"Çfarë hipokrizie acaruese, me kufomat ende në rrugë!"
Mars 1997-mars 2008, dy tragjedi nga më të rëndat në kontinent, për një popull kaq të vogël! E në krye të këtij vendi, shkaktari dhe përgjegjësi Nr.1, është i njëjti njeri, dje si President i vendit, e sot si Kryeministër. Njëlloj si më 1997 e sot pas tragjedisë së Gërdecit, në vend që të bëjë minimalisht aktin qytetar të dorëheqjes, na mbiu në ekran për të na bindur se i vjen keq që ndodhin tragjedi të tilla në "qeverisjen e mirë të tij!". Atëherë (më 1997) fajësoi "social-komunistët", sot shumë-shumë do të ndalë tek "gabimi njerëzor!". Mos presim më shumë nga ky njeri.
Po ka gjetur e po bën! Gjeti më 1997 që megjithëse mbeti me një dorë sejmene me kallash në dorë në Presidencë, çuditërisht e rikthyem përsëri në fron. Po kush e ktheu!? Jo populli mo jo, se atë nuk e pyet ai; por dhe ata deputetë nga e majta që sot rreken se janë "engjëj" e kujtohen të thonë pas kasaphanës së Gërdecit: "Dhe Berisha të japë dorëheqjen!". Pra mos presim bashkëqytetarë nga Berisha të japë dorëheqjen, mos presim që një takëm politikanësh, nga të dy krahët e politikës, ta detyrojnë të bëjnë një gjë të tillë! Nuk e bëjnë se diku u "djeg", e kanë shitur veten. A nuk ka turp më të madh që ky Berishë falënderon Mediun për dorëheqjen, ca deputetë të tjerë, nën shembullin e tij, bëjnë të njëjtën gjë!
E vetë Fatmiri, kur vendit i ka ndodhur gjëma më e madhe, më e madhe sesa në një luftë botërore, na "prek në sedër" me "zemërgjerësinë e tij", kur si i përmalluar (nënteksti "Po iki, po ku do më gjeni!"), kujtohet të "falënderojë familjen" dhe "ata ushtarakë që nuk mundi t'i takojë sa qe Ministër!".
Ka hipokrizi e tallje më të madhe, kur gra e fëmijë që ikën nga jeta, një pjesë (nuk dihet numri) nuk dihet se ku janë, të tjerë kanë mbetur pa strehë e pasuri? Edhe në Zulu, një kryeministër do të ishte larguar pas një gjëme të tillë.