Dorëheqje e Berishës?
• Eduard ZaloshnjaPavarësisht se pse e si ndodhi tragje dia e Gërdecit, fakti që një ministri e qeverisë së drejtuar prej Berishës ishte përgjegjëse për sigurinë e çaktivizimit të predhave mortore që mbollën vdekje e shkatërrim në atë fshat të varfër, e bën edhe atë vetë përgjegjës për tragjedinë. Në mos ligjërisht, të paktën moralisht. Këtë përgjegjësi Berisha padyshim e ndjen - kjo shihej qartë në gjuhën e pazëshme të gjesteve dhe mimikës së kryeministrit gjatë daljeve në media - por ajo që ka munguar deri më sot është kërkimi i një falje publike prej tij ndaj viktimave të shumta, që neglizhenca ose korrupsioni i vartësve të vet shkaktoi.Po pse Berisha nuk kërkon falje publike? Një arsye mund të jetë sedra e sëmurë e malësorit, e cila nuk e lejon të pranojë publikisht një gabim të tijin. Mos të harrojmë se u deshën të kalonin 8 vjet që Berisha të pranonte publikisht gabimin që bëri kur lejoi lulëzimin e skemave piramidale që i vodhën rreth 2 miliardë dollarë shqiptarëve të varfër. Përveç sedrës së sëmurë, një arsye tjetër për moskërkimin e faljes mund të jetë një kalkulim politik i Berishës. Në kohën që po shtohen zërat publikë për dorëheqjen e tij, një kërkim falje mund ta fuqizojë shumë trysninë ndaj Kryeministrit. Dhe një dorëheqje e Berishës sot do i ndërpriste atij ëndrrën e kahershme për qeverisjen e Shqipërisë deri në anëtarësimin e saj në BE.Dhe pyetja 1 milion dollarëshe është: "A duhet ta japë tani dorëheqjen Berisha?". Duke presupozuar se ai nuk ka gisht në ndonjë aferë të mundshme midis ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe kompanisë që bënte çaktivizimin e predhave, përgjigjja e kësaj pyetje është: "Moralisht po; politikisht jo". Le ta shtjellojmë këtë përgjigje.Për sa i përket anës morale, siç u argumentua më sipër e siç është argumentuar në shumë faqe gazetash e studio televizive shqiptare, përgjegjësia e Kryeministrit është e padiskutueshme. Ndërsa politikisht, sot do ishte momenti më i pavolitshëm për Shqipërinë që Berisha të jepte dorëheqjen. Bash më 15 mars, në ditën e kobshme të tragjedisë, "New York Times", gazeta më e madhe amerikane, kishte në faqe të parë të saj një artikull rreth përpjekjeve që po bën administrata Bush për të bindur aleatët që të aprovojnë në Bukuresht pranimin në NATO të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Problem për Shqipërinë, sipas gazetës amerikane, janë kushtet politike të vëna ndaj saj, e jo niveli i përgatitjes ushtarake. Kjo, para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit…Në kushtet kur ajo që ndodhi në Gërdec vë në pikëpyetje edhe vetë përgatitjen ushtarake të Shqipërisë, një krizë qeveritare ndoshta do ishte kapaku i arkivolit në të cilin do preheshin shpresat tona për të marrë pas dy javësh një ftesë për futjen në NATO. Siç dihet mirë nga të gjithë në Shqipëri, PD-ja nuk është aktualisht në gjendje të nxjerrë në krye të saj një udhëheqës të ri brenda ditës, i cili të jetë në gjendje të ruaj kohezionin e partisë dhe të koalicionit qeverisës. Një dorëheqje e Berishës sot do e çonte vendin pothuaj me siguri në zgjedhje të parakohshme. Dhe fatkeqësisht, zgjedhjet e parakohshme duan më shumë se dy javë të zhvillohen e certifikohen si të rregullta e të ndershme nga komuniteti ndërkombëtar. Kuptohet që Berisha është përgjegjësi kryesor për mungesën e udhëheqësve me profil të ngjashëm me të tijin në krye të PD-së, por sot nuk është koha që ai të penalizohet për këtë - zgjedhjet e 2009-ës janë thjesht një kilometër më tutje…