Përtej tragjedisë së Gërdecit
Përtej kësaj tragjedie të tmerrshme të Gërdecit, ka shumë vend për të diskutuar. A mund të parandalohen tragjedi të tilla? Cili është roli i shtetit shqiptar në këtë lloj tragjedie? Dhe, cilat janë përgjegjësitë konkrete në rastin unikal të Gërdecit? Shqipëria vazhdon të jetë një vend i pasigurt së brendshmi. Është një vend ku çdo vit, vetëm në aksidente automobilistike, humbin jetën mbi 200 qytetarë; një vend ku lëvizin varka të palicencuara si ajo e Farkës dhe në një rezervuar të vogël, humbin jetën 16 persona; ku lejohen punime të pagarantuara; ku lejohet të punohet në miniera si ajo e Bulqizës ku brenda një viti kanë humbur jetën, një pas një, disa minatorë; ku nuk ekzistojnë qendra gatishmërie dhe as zona sigurie nëpër plazhe, gjatë periudhës së verës, ku nuk ka asnjë hartë kombëtare, që tregon zonat e rrezikut për arsye ekzistence industrish apo arsye natyrore, etj.
Politikanët shqiptarë nuk shkojnë përtej trajtimit në mënyrë folklorike të ngjarjeve të tilla. Ata marrin rolin e kryepleqve duke shkuar si pamës në terren, në spital, në mort, e kudo tjetër, pa mbajtur asnjë përgjegjësi. Bëjnë rolin e të kujdesshmit, pasi kanë lejuar, në rastin konkret, ndërtimin e një fabrike për shpërbërjen e një armatimi shumë të rrezikshëm në mes të një fshati bukur të madh, shumë afër autostradës më të rëndësishme të Shqipërisë (kujtojmë se nga shpërthimi në Gërdec u plagosën një numër i madh qytetarësh që po lëviznin në autostradën Tiranë-Durrës).
Folklorizmi në drejtimin e shtetit, mund të shkaktojë tragjedi të çdoditshme në Shqipëri, ku çdokush mund të bëjë çfarë të dojë dhe askush nuk mban përgjegjësinë në kryerjen e detyrës. Shqipëria ka nevojë të mblidhet, të shtrëngohet në të gjitha hallkat e saj. Jemi një vend ku as në shtëpinë tënde nuk mund të jesh i sigurt, jo nga tërmeti, por nga papërgjegjësia e shtetit. Një vend që kemi nevojë të shtrëngojmë rripat në të gjitha planet, duke filluar që nga funksionimi korrekt i tregut, rendi, siguria, drejtësia, shërbimet e emergjencës, sistemi arsimor e shëndetësor, transporti rrugor etj. Një vend që duhet të zëvendësojmë llafet e shumta me veprime konkrete. Një vend ku qytetarët duhet të ruajnë veten, ku duhet t'i dalin vetë të keqes përpara, ku duhet të pyesësh 100 herë për të marrë një vendim mbi të ardhmen tënde, për shkak të mungesës së sistemit. Jemi, pra, të hipur një makinë me defekt të madh në sistemin e drejtimit.
Politikanët shqiptarë nuk janë shtetarë por kryepleq. Janë njerëz që kërkojnë t'i zgjidhin apo t'i kalojnë situatat me fjalë të mira, me organizime populiste, pa ditur se më së pari ata janë përgjegjësit, për shkak se marrin përsipër të bëjnë gjëra që janë të paaftë për t'i bërë, ose që i bëjnë keq qëllimisht. Na duhen politikanë, që nuk të lënë të vritesh edhe nëse je i pakujdesshëm, burra që të vënë ligjin përpara dhe të tregojnë se çfarë nuk lejohet të bësh, jo burra që të krijojnë kushte të vdesësh lehtë dhe më pas vijnë e të ngushëllojnë.
Tragjedia e Gërdecit ka evidentuar faktin se duhet kërkuar një alternativë tjetër e shpërbërjes së armatimit të vjetër, një mënyrë më pak e kushtueshme, e parrezikshme dhe më e shpejtë në kohë. Nuk ka diskutim që mënyra e shpërbërjes një nga një, është shumë e kushtueshme dhe shumë e rrezikshme. Një mënyrë që të lë të kuptosh se në këtë proces mund të ketë afera me interes përfitimi. (Janë disa projekte të tilla shpërbërjeje dhe deri tani është shpërbërë më pak se 10% e armatimit që duhet të shpërbëhet, ku janë shpenzuar miliona Euro). Ngjarja e Gërdecit është e mjaftueshme jo thjesht për të nxjerrë përgjegjësi, për të pasur dorëheqje, ndëshkime, por për të pasur një transformim, për të vënë në lëvizje një sistem të tërë efikas për mbrojtjen e jetës së njeriut.