Luan Hoxha akuzon Mediun e gjeneralët
Trazhgim Sokolaj
Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, u detyrua javën që shkoi t’i shpërndajë me kompaktdisqe (CD) provat materiale kundër të pandehurve. Në zbatim të kërkesës së ligjit për t‘ua prezantuar provat të akuzuarve, Prokuroria shpërndau për 30 të dyshuarit provat materiale kundër tyre, por volumi i dosjes u bë shkak për përdorimin e kompaktdisqeve, një procedurë kjo e panjohur më parë në drejtësinë penale shqiptare. Burime zyrtare thanë se bëhet fjalë për një dosje prej 3 mijë faqesh, e cila është skanuar dhe është kopjuar në nga një disk, që është shpërndarë për secilin prej të pandehurve. Në përmbajtje të diskut mësohet se janë vendosur qindra urdhra, dokumente, memo, shkresa dhe raporte e kontrata që bëjnë fjalë për kuadrin ligjor, që i hapi rrugë aktivitetit të demontimit të predhave në Gërdec. Po kështu, CD-ja e dosjes “Gërdeci” përmban edhe deklarimet e të gjithë personave të pyetur, atyre nën akuzë dhe me dijeni për ngjarjen. Në fund është bërë një listë e të pandehurve dhe poshtë emrit të secilit prej tyre, janë shënuar me radhë, provat për akuzën e ngritur. Prokuroria e Përgjithshme po ndjek një linjë të kujdesshme larg vëmendjes së publikut në trajtimin e çështjes Gërdeci. Po ashtu, edhe 30 të pandehurit që kanë marrë provat në dorëzim, janë paralajmëruar me burgim në rast se thyejnë konfidencialitetin e çështjes. Megjithatë, gazeta “Panorama” arriti të mësojë linjën e ndjekur nga Prokuroria në ngritjen e akuzave për të pandehurit kryesorë, ish-ministrin e Mbrojtjes Mediu, zyrtarët e këtij dikasteri dhe gjeneralët e kolonelët e ushtrisë. Në listën e provave që sipas Prokurorisë fajësojnë ish-ministrin Mediu, më së shumti është përmendur dëshmia e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, konkretisht pjesë të saj.
Përplasja ministri-shtabi
Replika “luftarake” mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, e cila shpërtheu publikisht pas tragjedisë së Gërdecit, ku palët bënin përgjegjës njëra-tjetrën, duket tashmë se është shfaqur në formën e saj më të egër edhe brenda mureve të Prokurorisë. Dëshmia kryesore, e cila është përmendur në provat që Prokuroria rendit kundër ish-ministrit Mediu dhe zyrtarëve të tjerë të stafit të tij, është procesverbali i marrjes në pyetje të ish-shefit të Shtabit Luan Hoxha, i cili është pyetur tri herë me radhë nga Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke theksuar se gjithë veprimet e ushtrisë ishin bërë në zbatim të urdhrave dhe shkresave të dala prej Ministrisë së Mbrojtjes. Megjithatë, duket se ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk ka kursyer në delegimin e përgjegjësive as tre gjeneralë ish-bashkëpunëtorë të tij si drejtues të komandave kryesore. Dëshmia e ish-shefit të Shtabit citohet si një ndër provat kryesore të prokurorisë kundër gjeneralëve Agim Lala, Zija Baja dhe Shpëtim Spahiu. Taktika e ish-zyrtarit më të lartë të ushtrisë, gjeneral-lejtnant Luan Hoxha për të deleguar çdo përgjegjësi tek Ministria si burim i urdhëresave dhe komandat e Shtabit dhe ndërmarrja MEICO, si zbatuese të tyre megjithatë nuk ka ecur, për shkak se pas përdorimit të dëshmisë për të fajësuar ish-ministrin, zyrtarët e stafit të tij dhe gjeneralët, Prokuroria ka vënë nën akuzë për “shpërdorim detyre” edhe vetë ish-kreun e Shtabit Luan Hoxha. Duket se jo pa qëllim ai u trajtua gjatë gjithë hetimit si i pandehur dhe pasi tregoi gjithçka, u vendos nën akuzë si të tjerët. Hoxha ka qenë në dijeni dhe ka kaluar urdhrat, shkresat dhe informacionet që bënin fjalë për Gërdecin, madje në shumë raste, si ai i dërgimit të kontejnerëve apo fadromës në Gërdec, ka qenë urdhërdhënësi i vetëm.
Të pandehurit
1. Rezar Tërshana
2. Besnik Dauti
3. Agim Babameto
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municionit, për Fishekët
4. Gëzim Oshafi
5. Denis Hajdari
6. Jorgo Mino
7. Fatbardh Kuçi
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municioneve, për Predhat
8. Zenun Fero
9. Hysni Çoçka
10. Hilmi Laçaj
Komisioni i Kategorizimit të Municioneve
11. Fiqiret Mato
Drejtor i Uzinës Mekanike të Gramshit
I akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”
12. Fari Toska, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Municioneve
13. Landi Shatro
Drejtor i Kombinatit Mekanik të Poliçanit
I akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”
14. Luan Hoxha ish-shefi i Shtabit
15. Agim Lala ish-zv/shef i Shtabit
16. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes
17. Ardian Mullai, ish-sekretar i Përgjithshëm
18. Shkëlzen Madani, ish-drejtor Ekonomik i Burimeve dhe Menaxhimit
19. Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcave të Bashkuar
20. Zija Baja, ish-komandat i Forcës Mbështetëse
21. Dashnor Çaushi, ish-drejtor i Logjistikës së Shtabit
22. Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministri
23. Armand Tartari, ish-drejtor i Drejtorisë së menaxhimit të Buxhetit
24. Ndue Marku, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike në Shtab
Në gjendje arrest me burg
25. Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO
26. Mihal Delijorgji, pronar i fabrikës në Gërdec
27. Dritan Minxolli, ish-drejtor i fabrikës
Strategjia
Prokuroria duket se ka pasur një strategji të qartë, së paku për hetimin e çështjes. Pasi ka ndjekur me vëmendje debatin publik mes Ministrisë dhe Shtabit, por edhe akuzat që nxorën në dritë prova të rëndësishme, prokuroria ka përplasur palët brenda dosjes, duke u marrë deklarime ushtarakëve dhe zyrtarëve lidhur me pozicionin e “të tjerëve” në abuzimet dhe shkeljet ligjore që shkaktuan tragjedinë.
Fajësimi
Në një përputhshmëri edhe me karakterin e dëshmisë së dhënë prej gjeneralit Luan Hoxha, aktakuza e Prokurorisë është ndërtuar e tillë, që ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes i fajëson kryesisht për inicimin e kontratave dhe urdhrave, që favorizuan Delijorgjin në Gërdec ndërsa ushtarakët, më së shumti fajësohen për mosveprime ashtu sikurse ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Tragjedia
Shpërthimi i qindra predhave, djegia e 700 tonëve barut dhe më pas ngjarja e rëndë, që shkaktoi 26 të vdekur e 300 të plagosur ndodhi mesditën e 15 marsit 2008 në ish-repartin e tankeve në Gërdec të Vorës. Sipas akuzës së prokurorisë ngjarja ndodhi për shkak të shkeljes së rregullave teknike dhe moszbatimit të kushteve të sigurisë për demontimin e municioneve luftarake.