E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alket Rizai, arratisje spektakolare nga burgu i Athinës me helikopter

 

Marko Caka/ Athinë

Çdokush që ka menduar për fundin e aventurave spektakolare të 35-vjeçarit shqiptar, Alket Rizai, i burgosur në Greqi si person shumë i rrezikshëm, duket se është gabuar. Tri vite pas arratisjes së parë me helikopter, e cila ngriti në këmbë shtetin grek, shqiptari tashmë i shumëkërkuar, ka përsëritur të njëjtin skenar në të njëjtën mënyrë. Ngjarja ka ndodhur në seksionin nr.3 të Burgut Koridhalos, dje rreth orës 14:30, ora greke, ose në 13.30 sipas orës së Tiranës. Shqiptari i akuzuar për krime të rënda Alket Rizai së bashku me shtetasin grek Vasilis Paleokosta, vëllai i Niko Paleokosta, person ndër më të kërkuarit në Greqi, kanë shfrytëzuar si në vitin 2006 edhe dje, kohën e daljes disa minutëshe nga qelitë. Arratisja ndodhi pasi një helikopter privat për fluturime të brendshme, që kishte deklaruar për destinacion aeroportin e Athinës, ndryshoi drejtim papritur. Mjeti fluturues është ulur në tarracën e burgut ku dy të dënuarit, shqiptari Rizai dhe greku Palaiokostas vuanin dënimin.
ARRATISJA
Helikopteri zbriti në tarracën e burgut dhe qëndroi për pak minuta, derisa me anë të shkallëve ngjitëse dy të dënuarit, shqiptari Alket Rizai dhe greku Vasilis Paleokosta u ngjitën në bord. Pas ngritjes së mjetit fluturues, efektivat e sigurisë qëlluan disa herë me armë zjarri pa arritur të qëllojnë helikopterin, ndërsa si pasojë e të shtënave një gardian mbeti i plagosur. Më pas helikopteri u ngrit dhe mori drejtimin e verilindjes së Athinës me destinacion zonën e Kopomandrit, 30 km larg kryeqytetit. Në këtë zonë është bërë ulja e helikopterit dhe dy miqtë e arratisur u larguan në drejtim të paditur me anë të një fuoristrade tip “Jeep”. Sipas dëshmimeve nga të burgosurit e tjerë në burgun Koridhalos, 15 metra nga vendi i arratisjes, vazhdimisht çdo ditë gjendet një autoblindë policie. Ky mjet në momentin e arratisjes së djeshme, mësohet se nuk ndodhej në vendin e zakonshëm të shërbimit.
DESHMITE
Sipas dëshmisë së një të burgosuri, thuhet se në momentin e arratisjes spektakolare të Alket Rizait dhe shokut të tij, një gardian i burgut ndodhej vetëm 70 metra larg tyre dhe arriti të shihte gjithçka. Duke rrëfyer me hollësi mbi ngjarjen përpara grupit hetimor, dëshmitari okular shpjegoi se në fillim në helikopter ka hipur Alket Rizai dhe pastaj Vasilis Paliokostas. Sipas denoncimit të dëshmitarit okular, gjatë momentit të arratisjes një polic që kryente shërbimin jashtë kangjellave të burgut në përpjekje për të ndaluar të dy të dënuarit u vetqëllua me armën e tij, duke mbetur i plagosur. Helikopteri u godit disa herë me breshëri nga gardianët por arriti të largohej pa pësuar asgjë. Menjëherë pas arratisjes në vendngjarje ka shkuar sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë Athanasiops Andrulakos dhe më pas edhe ministri Nikos Dhendias, i cili ka kërkuar që të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit.

Helikopteri i braktisur, kapet piloti

ATHINE – Mjeti fluturues i përdorur dje gjatë arratisjes nga Alket Rizai dhe miku i tij grek është gjetur i braktisur në zonën e Kopomandrit, 30 km larg Athinës. Policia ka mbërritur aty pas gjurmimit të helikopterit por duket se ka qenë vonë, pasi një automjet “Jeep” priste të burgosurit që ikën menjëherë duke lënë pilotin dhe helikopterin të braktisur. Drejtuesi i helikopterit ka pohuar se ishte rrëmbyer nën kërcënime fizike duke hedhur kështu tezën se veç tij në mjetin fluturues ka pasur edhe persona të tjerë që janë përkujdesur për devijimin e fluturimit dhe realizimin e qëllimeve të shqiptarit 35-vjeçar nga Fieri dhe mikut të tij të konsideruar si një nga kriminelët më famëkeq në Greqi.     

Të arratisurit nga burgu

Alket Rizai, 35 vjeç, nga Fieri,
I dënuar përjetë
I akuzuar për vrasje dhe pjesëmarrje në bandë kriminale

Vasilis Paleokosta, 43 vjeç
I dënuar me 25-vjet burg
I akuzuar për rrëmbimin e një biznesmen

Gardiani i burgut paralajmëroi por denoncimi nuk u mor si i vërtetë

TIRANE - Policia greke bëri me dije dje se një gardian, i cili është transferuar nga qelitë e burgut të famshëm të Koridhalosë, kishte njoftuar shefat e tij për një skenar të ri të arratisjes së Alket Rizait, por gjithçka ishte parë me mospërfillje nga zyrtarët. Sipas raportit të hetimeve greke, arratisja e Rizait dhe Paleokostas ishte akoma më e specializuar se e para, sepse si gardianët, drejtuesit e burgut, ashtu edhe dikasteri i Drejtësisë, kishin përvojën e arratisjes së parë, ndërkohë përsëri u gjendën të papërgatitur. Ndërkaq menjëherë pas ngjarjes së djeshme, të ndodhur në një nga burgjet më të sigurta të Athinës, policia greke është vënë në ndjekje të personave që u larguan nga vendi i vuajtjes së dënimit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kishte njoftime për ndonjë rezultat konkret. Forcat e sigurisë janë përqendruar më tepër në gjurmimin e makinës dhe mjeteve të përdorura nga të arratisurit apo edhe personat e tyre të kontaktit. Megjithatë, sipas të dhënave dhe siç po ecën mekanizmi i ngjarjes, mësohet se arratisja kishte disa muaj që planifikohej ndaj edhe kërkimet e policisë duken të vështira.  m.c     

Plani i arratisjes, zgjati 1 orë e ‘50

ATHINË – Plani spektakolar i arratisjes së ndodhur dje në burgun Koridhalos në Athinë ka zgjatur 1 orë e 50 minuta. Policia ka arritur të zbardhë orën e saktë kur helikopteri i raportoi kullës ngritjen në fluturim dhe më pas momentin kur devijoi itinerarin e deklaruar dhe shkoi mbi tarracën e burgut të fortifikuar një qeli e të cilit mbeti bosh përsëri ditën e djeshme. Kishin kaluar vetëm 1 orë e 50 minuta kur forcat e policisë arritën të lokalizonin helikopterin, që u gjend i braktisur në një terren periferik të Athinës, që ishte zgjedhur më parë me qëllim realizimin e uljes së mjetit fluturues dhe mbajtjen e një makine të gatshme në atë zonë, e cila u shkoi në ndihmë dy të arratisurve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pa u shqetësuar nga forcat e policisë. Kjo e fundit ka dyshime të forta se ngjarja ishte planifikuar që më parë dhe gjithçka ishte përgatitur në detaje nga një numër i konsiderueshëm personash.     

Helikopteri i parë u pagua nga shqiptarët
ATHINE – Arrestimi i mikut të Alket Rizait, grekut Vasilis Paleokosta në janar 2008 ndihmoi autoritetet në zbardhjen e shumë enigmave, që shoqëronin deri në këtë kohë ngjarjen e ndodhur me largimin e dy të dënuarve nga burgu në 2006. Sipas hetimeve të policisë mësohet se helikopteri i parë ishte ngritur, pasi qe porositur për të bërë ulje në burgun e Koridhalos. Nga hetimet e policisë dhe nga deklarimet e mikut të shqiptarit, u konfirmua se ai kishte organizuar arratisjen nëpërmjet njerëzve të tij në Greqi, ndërsa shërbimi me helikopterin ishte paguar nga miqtë shqiptarë të Alket Rizait. Miqësia mes Alket Rizait dhe shtetasit grek të konsideruar si një vrasës gjakftohtë lindi në qelitë e burgut Koridhalos, ku të shumëkërkuarit i bashkoi plani spektakolar i largimit nga qelitë ku vuanin dënimet e rënda të dhëna ndaj tyre nga drejtësia greke.     

Vrasësi përshëndet nga helikopteri mbi burg

Trazhgim Sokolaj

Arratisja e Alket Rizait dhe mikut të tij grek, të cilët përshëndetën në shenjë lamtumire, ndërsa helikopteri i mori në bord dhe po ngrihej mbi burg, shkaktoi dje reagime të forta në skenën politike të Athinës. Ministri i Drejtësisë në qeverinë helene Nikos Dhendhias ndërpreu një aktivitet në Janinë dhe menjëherë shkoi në vendin e ngjarjes. Ai tha se “nuk mund ta pranojë këtë situatë zhgënjyese”. Ministri grek garantoi më tej se “do të merren të gjitha masat e domosdoshme sado të ashpra që të jenë”. Arratisja e parë shkaktoi një valë ndëshkimesh e dorëheqjesh dhe një tërmet politik nga reagimi i forcave politike, çka pritet të ndodhë edhe kësaj here. Hetimet e para sugjerojnë se të arratisurit kanë pasur bashkëpunëtorë të brendshëm, megjithatë autoritetet që kanë në duar hetimin bënë kujdes me deklaratat, duke pranuar se ka pasur paralajmërime. Alket Rizai dhe i arratisuri tjetër Vasilis Paleokosta mësohet se qëndronin vetëm prej disa muajsh në burgun Koridhalos për shkak se më parë ishin mbajtur në burgje lokale. Transferimi i tyre në Athinë ishte bërë për shkak se dy të shumëkërkuarit do të dilnin në gjyq brenda pak ditëve për akuzën e arratisjes së parë ndodhur më 2 qershor 2006.
Arratisja e parë
Ngjarja ndodhi rreth mesditës kur shqiptari i akuzuar për disa krime të rënda, Alket Rizai, së bashku me mikun e tij grek Vasilis Paleokosta, i dënuar si vrasës u arratisën nga burgu i Athinës me një helikopter. Rojet greke të burgut të Koridhalos, aty ku ndodhi edhe ngjarja e djeshme, kujtuan atëherë se helikopteri që po ulej ishte i policisë. Pas uljes së helikopterit, policët nuk arritën të shikonin për shkak se një re pluhuri është ngritur nga ulja dhe ngritja e helikopterit si pasojë e trysnisë së ushtruar në sipërfaqe prej helikave. Pas dy orë kërkimesh forcat e policisë kanë arritur atë ditë më 2 qershor 2006 të gjejnë të braktisur helikopterin e përdorur në krim, i cili ishte lënë në një zonë rreth 55 km larg Athinës, në lokalitetin e quajtur Sisto. Gjatë kërkimeve të saj në atë kohë, policia gjeti disa orë më vonë edhe dy motorë të braktisur, të cilët mendohet se ishin përdorur prej të arratisurve nga burgu.
Rikthimi në qeli
U deshën muaj të tërë ndjekje dhe vëzhgimi nga policia greke për të rikthyer në qeli të arratisurit nga burgu Koridhalos me helikopter në qershor 2006. I pari që ra në pranga pas ndjekjes nga policia greke ishte Alket Rizai. Ai kaloi vetëm tre muaj në liri derisa ra në prangat e policisë kur ndodhej në një zonë bregdetare jashtë Athinës. Shqiptari nga Fieri ishte strehuar në një vilë dykatëshe, ku lejohej të qëndronte nga një kushëri i tij nga Shqipëria. Pas kapjes së të arratisurit gjatë kontrolleve në banesë, policia gjeti një granatë, një pistoletë dhe një automatik tip UZI, ndërsa në aksion për kapjen e shqiptarit u angazhuan mbi 30 forca speciale të policisë. Pas hyrjes së policisë në banesën e tij Alket Rizai tentoi të kundërsulmonte me granatën që mbante me vete, por u neutralizua nga forcat speciale. Policia menjëherë arrestoi edhe kushëririn e Rizait duke e akuzuar atë për strehimin e të kërkuarit, i cili për t’i shpëtuar identifikimit ishte maskuar duke lënë mjekër dhe duke ndryshuar ngjyrën e flokëve nga e zezë në biond. Dy vjet pas arratisjes së parë ra në pranga edhe miku i Alket Rizait, greku Vasilis Paleokosta. Ai është arrestuar nga forcat greke të policisë më 19 janar 2008 pas një operacioni të gjatë kërkimi të shtrirë në disa qytete të Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›