E Shtunë, 31 Tetor 2026

"DOSJET", FITUAN NDERKOMBETARET E JO DREJTESIA

Pezullimi nga Gjykata Kushtetuese
e ligjit për "Dosjet" si
për paradoks ritheksoi edhe
më shumë skllavërimin thuajse
total të pushtetit të drejtësisë nga bota e
politikës, përfshirë këtu edhe ndikimin
e madh që ushtruan "ndërkombëtarët".
Nuk është vështirë të kuptohet se pa presionin
në rritje të "ndërkombëtarëve",
Gjykata Kushtetuese nuk do të kish guxuar,
si në jo pak raste të tjera, të merrte
një vendim që "ia theu hundët" Kryeministrit
Berisha, autoritarizmit dhe intrigave
të tij politike. Prandaj edhe pse
ishte në drejtimin e duhur, vendimi i
Kushtetueses kundër "dosjeve" nuk jep
ende shpresë për pavarësi, por përkundrazi,
është një tjetër sinjal alarmi. Sepse
pa një pavarësi absolute të pushtetit të
drejtësisë nga bota e politikës që akoma
e bën atë të dridhet, që e ngadalëson apo
e shpejton në vendimmarrjen e tij, nuk
mund të ketë shtet ligjor dhe drejtësi të
vërtetë në Shqipëri. Dhe pjesë e botës së
politikës janë edhe "ndërkombëtarët".
* * *
Një vendim i marrë nën tutelë sot,
edhe kur është i drejtë, është në vetvete
një premisë padrejtësie për nesër. Sepse
tregon që mungon liria. Dhe kur drejtësia
nuk është e lirë, kjo do të thotë që nuk
mund të japë drejtësi. Drejtësia dhe liria
janë pazgjidhshmërisht të lidhura me
njëra-tjetrën, si dy anë të një sendi të
vetëm. Drejtësia lind si realitet mendor,
por realizohet si vullnet. Vullneti si liri,
shfaqet si realizimi praktik i konceptit
(ligjit) të së drejtës. Në këtë rast, vullneti
iu importua Gjykatës Kushtetuese nga
jashtë, nga "ndërkombëtarët". U dëshmua
edhe një herë se ajo nuk ka një vullnet
të vetin. Sepse mjerisht nuk është e
lirë. Përse? Sepse politika shqiptare, dhe
veçanërisht lidershipët e dy partive më
të mëdha PD-PS, që kanë më shumë
forcë, pra më shumë pushtet, vazhdojnë
të ushtrojnë një ndikim dhe presion të
madh mbi drejtësinë që nuk ka mundur
as ta fitojë lirinë e saj.
Jo rastësisht një nga problemet më
shqetësuese që po shtrohet gjithnjë e më
me shqetësim (më në fund lavdi Zotit!)
nga "ndërkombëtarët" (edhe nga ambasadori
amerikan, Withers) është mungesa
e drejtësisë së pavarur dhe nevoja
urgjente për krijimin e një pushteti të pavarur
drejtësie. Por inkurajimi që "ndërkombëtarët"
i dhanë Gjykatës Kushtetuese
në rastin e ligjit për "Dosjet", nuk mund të
mos tregojë se asaj vetë, gjykatës që është
garant i Kushtetutës, garant i vullnetit të
sovranit, i mungon guximi për të vepruar
vetë dhe pa pasur nevojë për mbështetje,
në mbrojtje të vullnetit të sovranit,
që është Kushtetuta. Duhet të jemi të
sigurt se pa mbështetjen e "ndërkombëtarëve",
Gjykata Kushtetuese nuk do
ta kish mbrojtur dot Kushtetutën e
kërcënuar nga ligji për "Dosjet".
* * *
Dhe në fakt nuk e ka mbrojtur Kushtetutën,
nuk e ka realizuar këtë mision të
shenjtë atëherë kur ka pasur mbi kokë
vetëm presionin e dy dinozaurëve të politikës
shqiptare, por jo mbështetjen e
"ndërkombëtarëve". Bëni krahasimin: Me
mbështetjen e "ndërkombëtarëve",
Gjykatës Kushtetuese nuk ju deshën as
dy javë që të merrte një vendim për pezullimin
e ligjit për "Dosjet". Përse kaq
rrufeshëm? Sepse jo vetëm opozita, por
edhe "ndërkombëtarët" thanë që ligji
për "Dosjet", në formën se si është hartuar,
cenon Kushtetutën.
Ndërkaq, megjithëse kanë kaluar
muaj që kur një grup nismëtarësh kanë
depozituar një ankesë në Gjykatën
Kushtetuese për dhunimin e Kushtetutës
nga amendamentet e 21 prillit, të
realizuara nga Berisha dhe Rama, ende
nuk kemi një vendim nga Gjykata Kushtetuese.
Përse? Për faktin e thjeshtë se
duket që e ka të vështirë të japë një vendim
që do të ishte njëherazi edhe i drejtë
edhe i pëlqyeshëm për të dyja "kokat" që
realizuan amendamentet. Por edhe për
faktin se "ndërkombëtarët" nuk janë deklaruar
prerë kundër mendimeve,
ndonëse kanë kritikuar mungesën e
transparencës. Në rastin e ligjit për "Dosjet",
"ndërkombëtarët" nuk ngurruan të
fshikullojnë përmbajtjen e tij. Në rastin
e amendimeve antikushtetuese deklaruan
se përmbajtja e tyre është punë e Parlamentit
që i miratoi ato. Ky standard i
dyfishtë i "ndërkombëtarëve" tregon se
edhe ata vetë nuk janë gjithnjë të lirë nga
presionet e dinozaurëve të politikës shqiptare.
Veçanërisht kur këta të fundit
bashkohen.
* * *
Kjo vartësi e turpshme, por edhe e rrezikshme
e drejtësisë nga politika, duhet të
mbarojë. Natyrisht edhe me mbështetjen
e "ndërkombëtarëve". Por këta të fundit
duhet ta kuptojnë se misioni i tyre për të
ndihmuar integrimin e Shqipërisë në
sistemin e lirisë do të jetë kryer vetëm
atëherë kur drejtësia shqiptare (pra edhe
Gjykata Kushtetuese) e lirë nga presionet,
shantazhet dhe skllavërimet e politikës,
do të ketë guximin të shqiptojë vendimin
e saj sovran, edhe kur një vendim i tillë nuk
do të përputhej, jo vetëm me vullnetin apo
epshet e dinozaurëve të politikës, por
edhe me deklaratat e ndërkombëtarëve.
Gjykata Kushtetuese duhet të jetë dhe të
ndihet e lirë, e pa kërcënuar të dalë edhe
kundër gjithë botës në kryerjen e misionit
të saj si garante e Kushtetutës.
Duhet të jetë e lirë të dalë jo vetëm
kundër atyre që flasin në emër të "popullit",
por edhe kundër përjetimeve të çastit
të "popullit" që jo rrallë, për shkak të
manipulimeve të politikës, nuk përputhen
me interesat e popullit të fiksuara
në Kushtetutë. Dhe pas kësaj,
askush të mos guxojë ta prekë, ta fyejë
dhe shantazhojë sikundër po bën me tërbim
Berisha pas pezullimit të ligjit për
"Dosjet", edhe pse deklarohet për "respektim
të shtetit ligjor". Prandaj "ndërkombëtarët"
duhet të urojnë që të vijë sa
më shpejt ajo ditë kur Gjykata Kushtetuese,
e lirë dhe jashtë ndikimeve politike,
të ketë guximin të kundërshtojë
edhe "ndërkombëtarët". Sepse misioni i
"ndërkombëtarëve" është integrimi dhe
jo kolonializimi i Shqipërisë.
Besojmë se një rast i tillë është edhe ai
për amendamentet e Kushtetutës. Ndaj,
ndërsa në vendimin e Gjykatës Kushtetuese
për "Dosjet" shohim triumfin e
tyre sot, guxojmë të shpresojmë edhe në
një humbje të "ndërkombëtarëve", përballë
po një vendimi të Gjykatës Kushtetuese,
nesër. Me bindjen se jo triumfi i
sotëm, por vetëm ajo humbje nesër, do
t‘i bëjë ata do të ndihen vërtet të fituar.
Sepse do të triumfojë liria dhe prandaj,
drejtësia!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›