Luan Krasniqi lufton më 7 maj?

Luan Krasniqi mund t’i kthehet ringut në muajin maj, përkatësisht në datën 7, shkruajnë mediat gjermane. Sipas uebfaqes lkz.de, palestra ‘Arena Ludwigsburg’ është duke u bërë gati për ta pritur meçin ndërmjet boksierit kosovar, Luan Krasniqi dhe atij amerikan, Johnathon Banks.
“Ne mbesim optimistë për faktin se ky eveniment do të organizohet”, ka thënë përgjegjësja e menaxhmentit të Arenas, Petra Roser.
Dueli ndërmjet Krasniqit e Banks ishte paraparë të zhvillohej më 26 shkurt, por një sëmundje (infektim i sinuseve) e boksierit nga Juniku, e detyroi atë që ta anulojë meçin e shumëpritur nga të gjithë.
Sipas Roserit, Klitschko Management Group, e cila do ta organizojë këtë përballje, ka ofruar tri alternativa, sa i përket datës së zhvillimit të këtij meçi: 16 prill, 30 prill e 7 maj. 16 prilli është bërë paksa më problematike, sepse një ditë më parë do të zhvillohet një ndeshje basketbolli ndërmjet Ludwigsburgut e Brunswickut.
Më 30 prill, Wladimir Klitschko do ta mbrojë në Manheim titullin e tij botëror kundër Derek Chisoras, kështu që ky fakt e vështirëson një meç paralel të 39-vjeçarit nga Kosova. Kështu që, mbetet e shtuna, më 7 maj, data e cila i jep edhe avantazh Krasniqit, i cili do të kishte kohë më shumë për t’u përgatitur sa më mirë për këtë duel, i cili konsiderohet si kualifikues për titull të kampionit të botës.