E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi te UEFA

FIFA e ka gjuajtur topin tek UEFA, e cila do ta japë mendimin e saj rreth kërkesës së FFK-së për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës. Pasi ta marrë mendimin e shtëpisë së futbollit evropian, vendimin definitiv do ta marrë Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s. Drejtuesit e FFK-së janë të bindur se shtëpia e futbollit botëror në fund do ta marrë një vendim pozitiv për Kosovën. Nga Moral Pozhegu më 04 mars 2011 në ora 13:49

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) e ka shqyrtuar të enjten, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv (KE) të saj, kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës me përfaqësuese të shteteve tjera.

Ndër të tjera, siç njofton uebfaqja zyrtare e FIFA-s, shtëpia e futbollit botëror, njëzëri ka vendosur që kjo kërkesë duhet t’i drejtohet Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA). Kjo e fundit do ta japë mendimin e saj rreth kësaj çështjeje, për t’ia kthyer pastaj topin FIFA-s, e cila do ta marrë vendimin përfundimtar.

Kjo përgjigje vjen pas kërkesës që e kishte bërë ditë më parë FFK-ja, që t’i lejohet përfaqësueses kosovare të luajë në nivelin ndërkombëtar. Një ditë më herët, Komiteti i Asociacioneve të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) e kishte shqyrtuar kërkesën e palës kosovare dhe anëtarët e tij nuk e kishin kundërshtuar kërkesën e FFK-së, madje e kishin mbështetur atë.

Përkundër këtij vendimi, udhëheqësit e futbollit kosovar nuk brengosen fort. Ngase, presidenti i Komiteti i Asociacioneve të FIFA-s, Jack Thompson është njëkohësisht edhe nënkryetar i FIFA-s dhe UEFA-s, kështu që ky i fundit do ta japë mendimin e tij si përfaqësues i shtëpisë së futbollit evropian, në atë të futbollit botëror.

“Me rëndësi është se çështja jonë ka hyrë në rend dite. Me këtë rast, FIFA kërkon nga UEFA një mendim dhe këtë do ta japë nënkryetari i këtyre dy asociacioneve, Thompson, i cili është pro palës kosovare. Andaj, në fund, prapë vendos FIFA, me gjasë në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të saj, kah fundi i muajit prill ose në muajin maj. FFK-ja ka material të bollshëm dhe argumente të forta, për të marrë përgjigje pozitive pas mbledhjes së KE të FIFA-s”, theksoi për Express sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Sipas tij, pas njohjes së kartonëve të futbollistëve, tashmë është duke u bërë hapi i dytë i madh në këtë drejtim – lejimi i zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Salihu mendon se hapi i tretë do të jetë anëtarësimi i FFK-së në shtëpinë e futbollit botëror.

MT: FIFA, me qëndrim të njëjtë për Kosovën

Federata ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), e ka përsëritur qëndrimin e saj për Kosovën. Kreu i saj, Sepp Blatter, është treguar sërish kategorik për mospranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në shtëpinë e futbollit botëror, të paktën në një të ardhme të afërt.

“Rregullat janë të qarta: derisa një shtet nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nuk mund të jetë pjesë e FIFA-s”, transmeton agjencia AP deklaratën e zviceranit, që i referohet Kosovës, e cila nuk është pjesë e OKB-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›