Platini: 5 gjyqtarë edhe në Euro 2012
Presidenti i Federatës Europiane të Futbollit (UEFA), Mishel Platini, i ka kërkuar Bordit Ndërkombëtar që t’i angazhojë edhe gjyqtarët e portës, në Kampionatin Europian, Ukraina e Polonia 2012. Bordi do të mblidhet gjatë fundjavës tjetër, ku ndër të tjera do ta shqyrtojë edhe kërkesën e kreut të futbollit europian. “Sa u përket pesë gjyqtarëve në një ndeshje, jam i kënaqur 500 për qind, për ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Europa League. Kemi arritur rezultate të shkëlqyeshme. Do ta pres një përgjigje nga Bordi për këtë kërkesë dhe shpresoj që ajo të jetë pozitive”, tha legjenda e futbollit francez, Platini. Numri 1 i futbollit europian po qëndron në Varshavë të Polonisë, për hapjen zyrtare të shitjes së biletave për evenimentin e rëndësishëm të futbollit, i cili do të mbahet gjatë verës së vitit tjetër, në ‘Kontinentin e Vjetër’.