E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, dhunë ndaj Pandeli Majkos dhe Alfred Dalipit

Deputeti Majko akuzon Berishën: “U kthye në veprimet e 97-s”. Policia e Korçës: Nuk është plagosur asnjëri prej protestuesve

Albert Gjoka

Përshkallëzimi i mosbindjes civile shoqërohet me dhunë policore ndaj protestuesve, e cila nuk ka kursyer as të zgjedhurit socialistë me mandat. “Policia e Korçës ushtron dhunë ndaj deputetëve Pandeli Majko, Alfred Dalipi dhe mbështetësve të PS-së”. Akuza është bërë dje publikisht nga deputeti socialist Majko, ish-kryeministri i Shqipërisë, i cili akuzoi forcat e rendit dhe kreun e maxhorancës, Berisha, duke pohuar se ai po kthehet te veprimet e vitit 1997. Menjëherë reagoi Drejtoria e Policisë e qarkut të Korçës, e cila përgënjeshtroi përdorimin e gazit lotsjellës, por nuk sqaroi akuzat e bëra nga PS-ja për ushtrim dhune ndaj deputetëve të zonës. Tubimi i zhvilluar në qytetin juglindor nga opozita ka shënuar përplasjen më të ashpër mes protestuesve dhe forcave të policisë që nga fillimi i grevës së urisë.

Dhuna ndaj deputetëve
“Policia më ka qëlluar mua dhe shokët e mi”. Kjo është deklarata e bërë nga deputeti Pandeli Majko, i cili ka akuzuar forcat e rendit të qarkut të Korçës për ushtrim dhune. Në një bisedë telefonike në media ai tha: “Unë jam goditur, por më pak se sa shokët e mi. Ata janë goditur me shkopinj gome dhe janë tërhequr zvarrë. Nuk do të flas më shumë sesa pamjet filmike në kamera”, - theksoi Majko, duke shtuar se me këto veprime, “Berisha po bën gabimet e vjetra”. Të njëjtën gjë deklaruan edhe deputetët e tjerë të PS-së. “Ka pasur dhunë ndaj deputetit Pandeli Majko. Ka pasur dhunë edhe ndaj protestuesve të tjerë”, - tha Mimi Kodheli.

Akuzat e PS-së
Partia Socialiste denoncoi dje dhunën policore të ushtruar gjatë zhvillimit të protestave në Korçë, Tepelenë dhe Orikum. “Në protestën e mbështetur prej socialistëve në Çërravë në aksin nacional Korçë-Pogradec, edhe pse policia ishte njoftuar zyrtarisht nga organizatorët për këtë protestë, forca të shumta të policisë kanë ndërhyrë me forcë duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe një sprajt, i cili ka sjellë djegie në sytë dhe në lëkurën e protestuesve”, - thuhet në deklaratën zyrtare të selisë rozë. Sipas saj, “mes protestuesve ishin edhe deputetë socialistë të Korçës dhe Pogradecit, Pandeli Majko, Mimi Kodheli dhe Alfred Dalipi”. Protesta është kthyer në një përplasje të dhunshme dhe në mesin e protestuesve ka pasur edhe të dëmtuar. Njoftimi zyrtar bën të ditur se “shumë prej tyre janë nisur me urgjencë në Spitalin e qytetit të Korçës. Ndërkohë, mbi deputetët e PS-së Mjako dhe Dalipi është ushtruar dhunë nga forcat e policisë”.

Reagimi i policisë
Menjëherë pas deklaratave dhe akuzave reagoi Policia e qarkut të Korçës, e cila mohoi përdorimin e gazit lotsjellës, por pa sqaruar nëse është përdorur dhunë apo jo ndaj deputetëve socialistë. Zëdhënësja Marsiela Vila shpërndau për mediat një deklaratë, ku theksohet: “Më datë 12.05.2010, rreth orës 13:15, nga dega e Partisë Socialiste Pogradec është zhvilluar një tubim pranë kryqëzimit të aksit rrugor Korçë – Pogradec, te vendi i quajtur Kthesa e Çërravës, me pjesëmarrjen e rreth 50-60 personave”. Sipas saj, “ky tubim është kryer në kundërshtim me kërkesat e Ligjit Nr. 8773, datë 23.04.2001 ‘Për tubimet’, pasi njoftimi është dërguar në Komisariatin e Policisë së Pogradecit në orën 11:00 të datës 12.05.2010, si dhe nuk ka plotësuar kërkesat e përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji.
“Me ndërhyrjen e forcave të policisë, pasi u bë thirrje disa herë për mosbllokimin e rrugës, u arrit mbajtja hapur e saj për kalimin e mjeteve dhe qarkullimin e lirë të tyre”, - thotë Vila, e cila shton se në miting pati dhe fyerje në drejtim të punonjësve të policisë. Sipas saj, “qëndrimi dhe ndërhyrja e forcave të policisë ka qenë korrekte, e qetë, duke synuar vetëm shmangien e bllokimit të rrugës dhe nuk është përdorur gaz lotsjellës apo lëndë të tjera, si dhe mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim”. “Po ashtu, njoftojmë se nuk ka pasur të dëmtuar nga radhët e pjesëmarrësve, e cila konfirmohet dhe nga spitalet e qarkut të Korçës”, - deklarojnë burimet zyrtare të Policisë së këtij rrethi.
Në deklaratën zyrtare të Policisë së qarkut Korçë, nënshkruar nga drejtues Bernard Çaushaj, nuk jepet asnjë detaj për akuzat që bënë ndaj forcave të rendit deputetët Pandeli Majko, Mimi Koledhi dhe Alfred Dalipi.

13 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›