E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Rama: LSI, faktor i rëndësishëm politik

22-04-2012 / Gazeta 55

Zhvillohet konferenca zgjedhore e LSI-së së rrethit Mat

Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka bërë edhe njëherë thirrje që reforma zgjedhore të garantojë barazinë e votës për qytetarët shqiptarë. Gjatë fjalës së tij në konferencën zgjedhore të LSI-së në Burrel, Rama theksoi se LSI është një forcë e integrimit europian të Shqipërisë dhe si e tillë ajo ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e saj në plotësimin e kushteve të Bashkimit Europian. Më tej ai nuk ka hezituar të shprehë dhe bindjen se LSI tani është një forcë kyçe në politikën shqiptare, madje përcaktuese për pushtetin.
“Zgjedhjet e zhvilluara vitin e kaluar për qeverisjen vendore na dhanë një test, na dhanë treguesit se cili është  bashkëveprimi i njerëzve dhe i strukturave të LSI-së me elektoratin në Rrethin e Matit. Kjo na bën që të shohim më mirë dhe të përcaktojmë akoma më qartë synimet tona politike dhe elektorale për zgjedhjet e përgjithshme politike që do të zhvillohen vitin që vjen. Lëvizja Socialiste për Integrim për shkak të mbështetjes që i japin votuesit dhe qytetarët shqiptarë, për shkak të qenit e faktorizuar prej votës së qytetarëve shqiptarë është sot forca përcaktuese e mazhorancës, është forca përcaktuese e pushtetit dhe këtë përgjegjësi, këtë atribut që ne kemi marrë për shkak të votës së qytetarëve nuk e kemi shpërdoruar por e kemi administruar me shumë seriozitet dhe me shumë përgjegjësi që vendi të ecte me ritmet që meritojnë në kuadër të proceseve integruese në BE. Ne nuk u bëmë pengesë por u bëmë promotorë të të gjitha këtyre proceseve dhe falë kontributit dhe pranisë së LSI-së në qeverisje u bë e mundur që Shqipëria të meritonte liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarë të saj ashtu sikundër  të shënonte progres të vazhdueshëm pavarësisht dhe me gjithë pengesat që krijoi klima konfliktuale politike e shfaqur në të gjithë këtë periudhë për shkak të atyre rrethanave që ju i dini. Duke qenë se ne jemi forca lëvizëse e integrimit evropian të Shqipërisë, duke qenë se ne kemi qenë dhe mbetemi faktori i rëndësishëm përcaktues për përmbushjen  e të gjitha këtyre detyrimeve që ka Shqipëria na del të gjithëve detyra që të ridimensionojmë veten, të ridimensionojmë angazhimet, energjitë tona, kontributet tona që Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet e vitit të ardhshëm të jetë forca e parë e së majtës në Rrethin e Matit. Ne socialistët e të majtës evropiane shqiptare, pra socialistët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kemi përgjegjësinë dhe detyrimin t’i dalim zot fateve të vendit dhe në kuadër të fateve të vendit edhe fateve të së majtës progresiste në Shqipëri e cila nuk e meriton të keqpërdoret dhe të abuzohet mbi të”, u shpreh Rama.
Sipas tij, retorika e PS për të përndjekurit politikë, për ish pronarët, për rikthim të një flirti apo të një raporti me ta, është një demagogji e turpshme.
“Natyrisht kemi dëgjuar retorikën dhe patetikën e përfaqësuesve të PS-së që flasin sot për të përndjekurit politikë, për ish pronarët, për rikthim të një flirti apo të një raporti me ta. E gjitha kjo është hipokrizi sepse kur vjen fjala për të mbajtur qëndrim në mbrojtjen e vlerave fondamentale që ka krijuar shoqëria shqiptare, të vlerave që përfaqëson lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të kontributeve dhe të sakrificave të qytetarëve shqiptarë që kanë punuar dhe kanë derdhur djersë për t’i shërbyer këtij vendi ata heshtin. Prandaj të nisur edhe nga përgjegjësitë që ne kemi LSI u bë pjesë e qeverisjes për të mos krijuar situatë konflikti politik, për të mos krijuar situatë të mosveprimit të institucioneve të shtetit, për të mos krijuar situatën e bllokimit të proceseve të integrimit evropian të vendit. Unë e them me bindje që nëse LSI nuk do të kishte hyrë dhe nuk do të ishte bërë pjesë e qeverisjes qytetarët shqiptarë do të vazhdonin edhe sot e kësaj dite të rrinin e të mbanin radhë para dyerve të ambasadave se pa LSI-në në qeverisje askush nuk do të hapte dyert e integrimit dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.
Ndërsa theksoi se LSI është pjesë e rëndësishme e të gjitha proceseve dhe reformave që lidhen me plotësimin e 12 kushteve që janë të domosdoshme të përmbushen në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit, që Shqipëria të meritojë statusin e Vendit Kandidat.
“Këtë status nuk ta dhuron kush, atë duhet ta fitojnë vetë qytetarët shqiptarë dhe që ta fitojnë qytetarët shqiptarë duhet që edhe pjesa tjetër e politikës të punojë me atë përgjegjshmëri, me atë seriozitet dhe përkushtim që punon Lëvizja Socialiste për Integrim. Ne edhe për partitë e tjera të të dy krahëve, edhe për PS-në edhe për PD-në që përfaqësojnë grupimet më të mëdha politike, jemi modeli i vendosjes së raporteve me qytetarin, jemi modeli i bashkëveprimit dhe i punës në të mirë të qytetarëve por jemi edhe modeli i kapërcimit të interesave partiake kur është fjala për interesat evropiane të vendit. Prandaj jemi pjesë e këtyre reformave dhe kur është fjala për interesat evropiane të vendit ne nuk bëjmë pazar me askënd por bëjmë kontribut dhe japim gjithçka duhet për të mirë të interesave evropiane të qytetarëve shqiptarë”, tha më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›