E Diel, 1 Nëntor 2026

“Taksa e sheshtë, e bën Shqipërinë konkurruese jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë”

22-04-2012 / Gazeta 55

Flet Horst Dieter Westerhoff, këshilltari ekonomik i tre kancelarëve gjermanë Helmut Kol, Gerhard Shroder dhe Angela Merkel

Nëse Shqipëria aplikon një taksë të sheshtë në nivelin e 10 për qind kjo do të thotë se e bën atë më konkurruese ndaj vendeve të tjera. Është ky afirmimi i Horst Dieter Westerhoff, këshilltari ekonomik i tre kancelarëve gjermanë Helmut Kol, Gerhard Shroder dhe Angela Merkel.
Në një intervistë për mediat shqiptare, shkencëtari europian i ekonomisë dhe financave ka deklaruar se taksa e sheshtë për ekonomitë në zhvillim i bën ato më konkurruese kryesisht për thithjen e investitorëve të huaj. “E njoh shumë pak sistemin tatimor në Shqipëri por dua te them që një sistem tatimor duhet të përmbushë të paktën tri kushte. Së pari t’i sjellë shtetit të ardhura të mjaftueshme duhet të mbështetet ne aftësinë pagues të qytetarëve dhe nuk duhet të pengojë apo të shpërbejë dëshirën për të punuar, për të bërë investime apo kërkime dhe zbulime të mëtejshme. Lidhur me rolin e taksës së sheshtë në thithjen e investitorëve të huaj, ajo varet nga niveli i taksës, nëse në Shqipëri ky nivel është në 10 për qind është konkurrues për ekonominë shqiptare, duke e bërë atë më konkurruese ndaj ekonomive të tjera”, u shpreh këshilltari gjerman.
Westerhoff, si ekspert i ekonomisë së parë të Europës, asaj gjermane, e cila i ka integruar të dy format e tatimeve, të sheshtën dhe progresiven, shprehet se nëse një vend ka një administratë tatimore që vepron me potencialin e saj të plotë, taksa e sheshtë nuk e pengon zhvillimin e ekonomisë, por përkundrazi rrit aftësinë performuese të saj.
Mungesa e të qenurit një ekonomi konkurruese është një nga shqetësimet më të mëdha të disa ekonomive të eurozonës të cilat janë përfshirë nga kriza, qeveritë e të cilave për të përballuar këtë rrënim të ekonomisë kanë qenë të detyruara të rrisin taksat në të gjitha nivelet, duke shkaktuar mbyllje të shumta të bizneseve, rritje të lartë të papunësisë si dhe tensione sociale, siç është rasti i Greqisë, Italisë dhe Spanjës.
Forma e taksimit vijon të mbetet një çështje e nxehtë edhe përtej kontinentit. Vetëm pak ditë më parë, republikanët dhe një pjesë e demokratëve në senatin amerikan kanë rrëzuar ligjin e qeverisë Obama mbi aplikimin e taksës progresive, apo tatimit progresiv mbi të ardhurat. Edhe pse SHBA janë ekonomia e parë e botës, shumica e deputetëve amerikanë e kanë cilësuar taksen progresive si një formë që sjell përfitime të papërfillshme në buxhetin e shtetit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›