E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Presidenti, LSI do të mbështesë kandidatin e PD-së”

22-04-2012 / Gazeta 55

Tritan Shehu, deputet i PD-së

Rreth një muaj larg nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, mazhoranca nuk ka publikuar ende emrin e kandidatit të saj, por e sigurt është se ai do të jetë nga Partia Demokratike, forca kryesore qe qeveris vendin. Fatos Nano, i cili po tenton kandidimin, ende nuk është takuar me kreun e mazhorancës, por deputetët demokratë, ashtu si dhe kryeministri Berisha në asnjë rrethanë nuk e shohin atë kandidat të tyre. “Unë them dhe i qëndroj gjithmonë asaj që PD do të dalë me kandidatin e saj. Ky lloj kandidati nuk mund të jetë zotit Nano”, u shpreh deputeti demokrat, Tritan Shehu.
Ai deklaroi se nuk i sheh aspak të luhatshme votat e LSI-së në koalicion, për më tepër kur bëhet fjalë në momente vendimtare, siç është zgjedhja e kreut të shtetit, ku të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella në një marrëdhënie bashkëpunimi përvijohen edhe më të qarta.
Zgjedhja e presidentit, sikundër vë në dukje Tritan Shehu, tenton që në raundet e para një proces konsensual. Por po aq legjitime dhe kushtetuese është zgjedhja me shumicë të thjeshtë votash në raundet e fundit.
“Jam i bindur që të gjithë anëtarët e koalicionit tonë janë politikanë racionalë dhe me eksperiencë, jo vetëm për të drejtat e tyre brenda koalicionit por edhe për detyrimet që kanë për koalicionin. Duke gjykuar në këtë prizëm, padyshim roli lider në përzgjedhjen e çështjes së Presidentit i takon padyshim liderit të koalicionit, zotit Berisha. Më duket se në këtë pikë nuk mund të ketë askush dyshime sepse ky është racionaliteti i çdo koalicioni demokratik në botë”, theksoi Shehu.
Ndërsa Fatos Nano në përpjekjen për tu bërë president ka në axhendë dhe një takim me kryeministrin Sali Berisha, demokratët ritheksojnë se ata do të kenë emrin e tyre për këtë post.
Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim deri tani nuk ka folur për emra konkret por ka theksuar faktin që procesi i zgjedhjes së presidentit të jetë kushtetues.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›