E Diel, 1 Nëntor 2026

Paskal Milo akuza ndaj PS: Shkeli marrëveshjet me aleatët

22-04-2012 / Gazeta 55

Tryeza e partive politike - takimi të hënën me 24 parti, s’konfirmohet prania e PD dhe PS

Kryetari i PDS, Paskal Milo akuzon kryesocialistin Edi Rama se shkeli marrëveshjet me aleatët, lidhur me përfaqësimin e tyre në komisionin e reformës zgjedhore. Milo thotë se PS tentoi t’i përdorë aleatët si “ushtarë të bindur”, në një kohë kur marrëveshja parashikonte përfaqësimin e interesave të partive të vogla në komisionin e reformës.
“Ne s’jemi ushtarë të bindur të PS dhe as mos prisni që gjithçka që duhet të shprehë PS, është në raport edhe me gjykimin tonë politik. Ne i kërkuam PS përfaqësimin në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore si dhe kemi nënshkruar disa marrëveshje që PS të mbrojë edhe interesat e partive të vogla në këtë komision. Ne kërkojmë që ajo të këmbëngulë dhe të zgjidhë problemin. Për këtë, PS duhet të këmbëngulë siç po këmbëngul për numërimin elektronik, identifikimin elektronik të zgjedhësve. Pra, ashtu siç po këmbëngul për këto 2 komponentë, PS të bëjë të njëjtët gjë, ta bëjë kauzë të saj edhe çështjen tonë”, tha Milo.
Ndërkohë, në kushtet kur partitë e vogla politike po rrisin presionin ndaj dy partive të mëdha, për të bërë të mundur korrektimin e sistemit zgjedhor, kreu i PDS-së, Paskal Milo ka iniciuar një tryezë gjithëpërfshirëse të spektrit të majtë dhe të djathtë politik, përfshirë edhe dy partitë e mëdha, PD dhe PS.
Sipas Milos, kjo tryezë do të shërbejë si një mundësi e mirë për të shprehur shqetësimet e të “vegjëlve”, lidhur me reformimin e Kodit Zgjedhor, që sipas tij i mungon transparenca. “Procesi nuk ka transparencë, nuk ka gjithëpërfshirje, koncepte këto që ishin baza fillestare e dy partive të mëdha, do të sjellë rrjedhoja të pakëndshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Bisedimet që zhvillohen midis dy partive të mëdha zhvillohen vetëm në planin dypalësh, pa marrë mendimin e asnjë faktori tjetër. Ka çështje që duhet të vendosin vetëm dy partitë e mëdha, por ajo duhet bërë transparente edhe për përfaqësuesit e tjerë politik. Ajo që duam ne, është që të bëhet sa më gjithëpërfshirës procesi, para se të miratohet reforma. Komisioni ndonëse premtoi që në nëntor që do të thërriste edhe përfaqësuesit e partive të tjera jo parlamentare, nuk e ka bërë. Jemi në fund të procesit dhe ne këtu shohim se është e qëllimshme dhe pikërisht këtu shprehim shqetësimin tonë. Ne përfaqësojmë 160 mijë votues që ka prodhuar në Kuvend nga 16 – 20 deputetë. Shqetësimi ynë i përbashkët do të shprehet ditën e hënë në një tryezë, ku janë të ftuar 24 parti politike, bashkë me PD dhe PS. Synimi ynë është që t’u bëjmë edhe njëherë thirrje që të reflektojnë seriozisht për të bërë një Kod Zgjedhor, jo për të siguruar garanci paraprake, por një Kod që duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme; të mos diskrimojë votën e shqiptarëve. Vota e shqiptarëve në Dibër, apo Kukës, duhet të jetë e barabartë me votën e qytetarëve të Tiranës”, u shpreh Milo.
Ai sqaroi se të vegjlit nuk kërkojnë ndryshimin e sistemit, por të shtohet një amendament i ri në Kod që vendos korrektimin kombëtar. 
“Ne nuk kërkojmë ndryshimin e sistemit, kërkojmë vetëm një amendim të Kodit që vendos korrektimin kombëtar në sistemin aktual dhe kjo vërtetë që do të bënte që vullneti i shqiptarëve të mos diskriminohej dhe barazia e votës së mund të arrihej në zgjedhjet e ardhshme. Korrektimi i sistemit nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por është çështje vullnetit të partive politike. Duhet që këtyre partive tu garantohet barazia e votës dhe këto parti të kenë start të njëjtë me dy partitë e mëdha, në garën elektorale. Kodi aktual u jep avantazhe dy partive të mëdha dhe u merr votat partive të vogla, të cilat shkojnë në interes të dy partive të mëdha. Pra, flasim për një lloj ‘Dushku’, veçse këtë herë votat shkojnë në drejtim të kundërt, nga partitë e vogla tek partitë e mëdha”, theksoi ai. Tryeza e thërritur nga Paskal Milo do të mblidhet të hënën ku dhe do diskutohen dhe shqyrtohen pretendimet e të vegjëlve në prani të përfaqësuesve të dy partive të mëdha.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›