E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Të dëgjohen të “vegjlit”

22-04-2012 / Gazeta 55

Reforma Zgjedhore, reagojnë Republikanët

Partia Republikane kërkon që në tryezën e partive të vogla të ndryshojë mënyra e ribërjes së Kodit Zgjedhor. Nënkryetari i PR, Alfred Deshati shprehet se komisioni nuk duhet të mbetet bipartizan duke shtuar se me numërimin korrekt të votave do të arrihet përfaqësimi i drejtë dhe do të shmanget fenomeni “Dushk”.
 Kjo është edhe arsyeja se pse partitë e vogla, kanë kërkuar ngritjen e një tryeze me përfaqësues të spektrit politik të majtë dhe të djathtë, me qëllimin unifikimin e pretendimeve të tyre kundrejt dy partive të mëdha.
Komisionin e kryesuar nga dy partitë e mëdha PD-PS, PR e cilëson në dëm të interesave të të vegjëlve.
“Ky komision nga kryetari Mediu është bojkotuar që në takimin e tretë. Është një komision bipartizan, një komision që drejtohet nga PD dhe PS që për hir të së vërtetës çdo ditë që janë në konflikt vetëm kur vjen puna tek Kodi Zgjedhor ato merren jashtëzakonisht mirë vesh me njëra- tjetrën. Nuk jemi dakord që vota e qytetarëve shqiptarë të tjetërsohet. Në rast se ne kishim një “Dushk” në 2005 sot kemi një “Dushk” që favorizon partitë e mëdha”, u shpreh nënkryetari i PR, Alfred Deshati.
Ndërkohë, një tjetër çështje që preket nga republikanët janë ligje e hartuara për çështjen e pronës të cilët sipas tyre nuk rikthejnë pronën tek pronari.
“Të keqen nuk e kemi vetëm nga PS për hir të së vërtetës. Në kemi pasur qëndrime të kundërta edhe me PD. Nuk jemi dakord me disa projektligje të miratuara së fundmi nga qeveria shqiptare dhe që ne kemi mundësi të kemi një grup të konsoliduar në parlamentin shqiptar, të kemi mundësi të diktojmë ato ligje që bëjmë të mundur kthimin e pronës tek i zoti”, tha ai.
Deklaratat e nënkryetarit të Partisë Republikane u bënë nga Kukësi në një takimi rajonal ku u theksua rëndësia e shtimit të radhëve të anëtarësisë së forcës së dytë politike në kampin e djathtë dhe të katrës në jetën politike në vend.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›