E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Rama: Reformë zgjedhore transparente dhe gjithëpërfshirëse

13-10-2011 / Gazeta 55

Flet sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim


Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama tha dje se duhet shkuar tek gjetja e atij sistemi që bën të mundur që çdo votë e qytetarit shqiptar të ketë vlerë tek vota e përfaqësimit në Kuvend. Dy vitet e fundit Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë ajo forcë politike e cila ka kërkuar me insistim nisjen e një reformë zgjedhore duke përmbushur kështu edhe kërkesat e herëpashershme të institucioneve ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi se LSI është për një reformë e cila do të jetë e mirë pranuar nga të gjithë duke qenë kështu një reformë transparente dhe gjithëpërfshirëse. “Së pari më lejoni të shpjegoj së pari se cila është arsyeja qe Lëvizja Socialiste për Integrim ka insistuar dhe vazhdon të këmbëngulë në domosdoshmërinë e realizimit të reformës zgjedhore. Kjo nuk lidhet thjesht e vetëm më faktin që edhe partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë OSBE-ODIHR-i kanë evidentuar tashmë se çfarë duhet përmirësuar, ku duhet ndërhyrë në tërësinë e procesit të reformës zgjedhore por edhe sepse i gjithë debati politik, kontestet dhe pse jo edhe konfliktet politike vijnë prej zgjedhjeve ose burojnë prej faktorëve që lidhen me zgjedhjet në Shqipëri, vit pas viti apo sa herë ka pasur zgjedhje. Kështu që për ta evituar këtë debat pa vlerë është e rëndësishme të ezaurohet apo është i rëndësishëm të evitohet burimi prej nga vjen. Dhe natyrisht reforma zgjedhore është parësore. Ajo është e domosdoshme dhe për këtë arsye ne kemi ndërmarrë edhe hapa konkrete për të bërë të mundur që palët, aktorët politikë të vendit të vijnë, të ulen dhe realisht të nisë nga puna i gjithë procesi për realizimin e refromës zgjedhore sepse është zgjatur shumë ky debat vetëm në nivelin e demagogjisë apo të retorikës. Ajo çfarë është e rëndësishme pastaj lidhet me domosdoshmërinë që kjo reformë duhet të jetë së pari transparente dhe së dyti gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë që jo vetëm partitë parlamentare por më gjerë se kaq, aktorët politikë të rëndësishëm, madje edhe përfaqësues të shoqërisë civile, të opinionit publik duhet të jenë përfshirë në këtë reformë me qëllim që ajo të krijojë jo vetëm një impakt sa më të gjerë dhe efekte sa më pozitive por të jetë njëherësh edhe produkt i një konsulte të gjerë që do të thotë edhe e pranuar pastaj gjerësisht nga të gjithë aktorët politikë ne vend. Çështja e sistemit zgjedhor është padyshim një element përbërës i tërësisë së reformës. Për ne ai nuk është parësor në kuptimin që për Lëvizjen Socialiste për Integrim nuk ka shumë rëndësi se cili është sistemi pasi me çfarëdolloj sistemi, LSI do të vazhdojë të jetë faktor i rëndësishëm dhe përcaktues në krijimin e mazhorancave në vend. Por gjykoj që është e domosdoshme të mbërrihet në një sistem zgjedhor që bën të mundur dhënien e vlerës reale për ço votë të qytetarëve shqiptarë dhe leximin korrekt të çdo vote në mënyrë që përfaqësimi parlamentar të jetë sa më pranë vullnetit të zgjedhësve”- u shpreh Rama. Sipas tij, sistemi aktual krijon diskriminim në nivelin e përfaqësimit. “Ka deputetë që janë zgjedhur në Parlament me 20 mijë vota një deputet, siç është rasti i LSI-së, ndërkohë që ka parti të tjera që janë përfaqësuar në Parlament edhe me 4-5 mijë vota një deputet. Natyrisht duhet shkuar tek zbutja e kësaj diference dhe gjetja e atij sistemi, modele të tilla praktikisht ka, që bën të mundur që çdo votë e qytetarit shqiptar të ketë vlerë tek vota e përfaqësimit në Kuvend. Ndoshta një proporcional me korrektim kombëtar, në pamundësi të një proporcionali kombëtar do të ishte një zgjidhje oportune dhe që i jep më shumë vlerë votës së qytetarit” - tha më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›