Çota: Sduhet ta lëshojmë kurrsesi kreun
Sulmuesi i Teutës pohon se duhet ruajtur ritmi, aq më shumë që ndaj Tomorit luhet në fushë asnjanëse
Duhet të mbajmë ritmin dhe të ruajmë kryesimin. kështu shprehet sulmuesi i Teutës, Mirel Çota, i cili shprehet se humbja në kupë nuk do të ndikojë në ndeshjen e ardhshme kundër Tomorit, ku durrsakët synojnë një rezultat pozitiv. Ndeshja e kupës ka tjetër specifikë, megjithatë ne humbëm jo vetëm pse nuk ishim në një ditë të mirë, por kishim shumë mungesa.
Në ndeshjen e radhës në kampionat do të jemi më të kompletuar dhe kemi vetëm synimin, që të ruajmë kreun, por për këtë duhen tri pikë. Të fitosh kundër një ekipi të vështirë si Tomori, nuk do të jetë e lehtë, por ne duhet ta bëjmë, në radhë të parë për pikët, por edhe për të zhbllokuar sulmin, sepse kemi tri ndeshje në kupë e kampionat që nuk shënojmë. Ndaj duhet të bëjmë patjetër gola kundër Tomorit, në mënyrë që të zhbllokohemi dhe të marrim tri pikët.
Kompaktësia Çota mendon se ndeshja kundër skuadrës së Tomorit është një provë e vërtetë për skuadrën e tij, teksa thotë: Jam i kënaqur që nga java në javë loja ime po vjen duke u përmirësuar. Këtë sezon gjithçka është ndryshe në skuadrën tonë, vërtetë grupi i lojtarëve nuk ka shumë ndryshime nga viti i kaluar, por skuadra ka mentalitet tjetër. Përgatitja gjatë javës është mjaft e mirë dhe të gjithë hyjmë në fushë me besimin për të qenë fitues.
Fatmirësisht kemi qenë rezultativ gjatë këtyre javëve, por e rëndësishme është mos mbetemi në këto nivele, por të përmirësohemi edhe më shumë. Teuta ka qenë gjithnjë një skuadër grupi dhe falë kompaktësisë, ka arritur të jetë rezultative në ndeshjet e para. Ndaj ne shpresojmë të jemi po aq të konsoliduar edhe në trasfertën e ardhshme.
Çdo ekipi i pëlqen të jetë në krye ndaj dhe dëshirojmë të vazhdojmë me këtë ritëm. Por këtë do e realizojmë kur vijmë duke u rritur javë pas jave, duke fituar dhe jashtë fushës sonë. Kemi qenë të suksesshëm në dy ndeshje të luajtura jashtë fushës tonë, ndaj duhet ta provojmë ta bëjmë përsëri këtë.
