E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luani i dezertorëve ushtarakë

 

Një javë pasi hierarkia shtetërore dhe ushtarake kishte marrë vulën e turpit, pas papërgjegjshmërisë kriminale që hodhi në erë një fshat të tërë dhe rrëzoi stabilitetin fals të vendit, në skenë u rikthye Luani: Shefi i Shtabit për Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, njeriu me uniformë, që çuditërisht flet nga radhët e akuzatorëve dhe nga banka e të akuzuarve për implikimet e ushtrisë në vrasjen e popullsisë civile. Sepse me dijeninë e plotë të Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, është miratuar vendi që do të shndërrohej në varr masiv, me firmën e tij kanë kaluar vendime për bashkëpunimin e ushtrisë në magazinën vrasëse në Gërdec. Ndaj, ai nuk mund të ndahet nga tufa e bashkëpunëtorëve të krimit të Gërdecit, nga Kryeministri i vendit, Ministri i Mbrojtjes dhe deri te financierët e Ministrisë së Mbrojtjes, që bënin llogari gjaku me trafikun e municioneve.

Pak ditë pas prangosjeve të para për tragjedinë, opinioni publik, edhe ai që nuk ia ka haberin se si funksionojnë urdhërdhëniet në Ministrinë e Mbrojtjes, priste një ndëshkim ligjor të kastës ushtarake që kishte miratuar përzierjen dhe më aq keq, ndihmën e ushtrisë në biznesin vrasës të municioneve ushtarake, për llogari të një firme private. Ndërsa për ushtarakët, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm duhet të ishte i pari njeri që duhej penalizuar: Logjika është shumë e thjeshtë, shefi i Shtabit është personi që duhet të "kontrollojë' ushtarakisht ministrin, i cili, në fund të fundit, është njeri politik. Në rastin e ministrit Fatmir Mediu, ky njeriu politik jo vetëm ishte shumë i lehtë, i menaxhueshëm kollaj nga mafia e trafiqeve ushtarake, por edhe shumë i frustruar. Ndaj, përballë këtij njeriu të rrezikshëm, me naivitetin dhe papërgjegjshmërinë e vet për fatet e ushtrisë, Shefi i Shtabit duhej të ishte disa herë Luan, jo vetëm me zemër për fatet e vendit në kohë paqeje, por Luan me marrje atributesh që i jepnin uniforma dhe katër yjet e Gjeneral-Lejtnantit, kulmi i hierarkisë për një ushtarak.

Në të kundërt, shefi i Shtabit u bashkua me tufën e dezertorëve ushtarakë, që shikuan punët e tyre, vijuan bizneset e tyre, morën copat e tyre të majme, ndërsa ministria dhe lakenjtë rrotull, hidhnin vallen e përgjakur të bërjes së milionave.

Gati një vit më parë Luan Hoxha ishte parë të inspektonte vendin, që sot thirret krateri i Gërdecit, sepse atëherë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vijonte projekti i demolimit të municioneve të ushtrisë shqiptare. Por në janar 2008, megjithëse projekti i ashtuquajtur amerikan kishte mbaruar, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm nxjerr urdhrin që punonjës të Ushtrisë të punonin në vendin e vdekjes. Siç ndodhi me fadromistin e ndjerë Ilirjan Malçi, të cilin e morën nga Reparti 4501, si pjesë e të cilit ai kishte bërë qindra punë për rritjen e mirëqenies në shumë zona të vendit, dhe e urdhëruan që të punonte në fabrikën ku prodhoheshin milionat e trafikantëve të municioneve dhe ndërkohë, rrogën vijonte ta merrte në repartin nga ku kishte dalë me gjithë fadromë.

Rikthimi në skenë i Luanit të Ushtrisë, nuk mund të ndahet nga strategjia që qeveria po bën për të hequr nga supet e saj dhe për t'ia faturuar të dorëhequrve dhe të prangosurve, përgjegjësinë për masakrën e Gërdecit. Dhe këtu është lehtësisht e dukshme dora e atij që e mori komandantin e një batalioni në Kukës, i cili kishte qëlluar dhëndri i një deputeti të PD-së, për ta graduar në Tiranë, nga Drejtor të Trupave të Xhenios, te drejtimi i Akademisë së Trupave Tokësore e më tej, drejt shkallëve të tjera të hierarkisë. Ky njeri, atëherë President, sot është kryeministri i masakrës së Gërdecit, që kërkon jo vetëm të mbyllë sa më shpejt të vërtetën për terrorin shtetëror të masakrës, por edhe të lërë jashtë përgjegjësive, rrethin e njerëzve që tij, që u veshën gjeneralë edhe pse Amerika të tillë i ka me gishta, edhe pse zyrtarët e NATO-s kanë bërë gjithnjë gallatë me nëntë gjeneralët e Ushtrisë Shqiptare.

Luani i Shtabit të Përgjithshëm ka përpara një vendim për të marrë, në këto ditë përgjegjësish të mëdha: të bëhet pjesë e drejtësisë dhe të mbajë pjesën e tij të fajit. Ndryshe, të shkojë të presë klientët e shumtë që presin Luanin e qepenave, për të bërë pazaret kokë më kokë për negocimet mbi çmimin në euro të një metri/katror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›