Në shtëpinë time sapo ka mbërritur një faturë e re...
I dashur "Shekulli"! Në këto ditë të ngjarjeve tronditëse si ajo e Gërdecit dhe rritjes galopante të çmimeve, pasiguria dhe varfëria, mund të thuhet me gojën plot tashmë që janë në rritje. Unë jam nënë e dy vajzave të vogla 5 dhe 2.5 vjeç dhe ju shkruaj lidhur me një njoftim që na ka ardhur ditët e fundit nga administrata e Kopshtit, ku shkon vajza jonë e madhe.
Në këtë njoftim të shtypur lajmërohemi ne, prindërit, që pagesa mujore për Kopshtin do të rritet me 20 për qind. Në letrën që na ka ardhur na shpjegohet se arsyet e kësaj rritjeje, janë rritja e përgjithshme e çmimit të ushqimeve, dritave, karburantit etj. Sigurisht që nuk gjykoj të drejtën e një institucioni privat për të rivendosur çmime të reja për shërbimet e tij, por ky njoftim, dëshmon qartë se politikat ekonomike të qeverisë në Shqipëri, janë të dështuara. Mund të bëhen qindra debate në media, jo kështu, po ashtu, me terma makro apo mikroekonomikë, por ajo që ne po ndjejmë në kurriz, është që rrogat nuk na dalin më për të nxjerrë muajin. Tani na dridhet dora të bëjmë një telefonatë apo një SMS, nuk na i mban ta hapim dot kondicionerin më shumë se gjysëm ore në ditë, fruta mundemi të blejmë vetëm një herë në javë. Dhe po flasim këtu për një familje normale, ku unë dhe burri jemi të dy në punë, madje me rroga të mira për nivelin shqiptar.
Po ata që nuk kanë mundësi të tilla si ne? Edhe gjetiu ka njerëz të varfër, por askund nuk janë kaq të padrejta e kaq paradoksale çmimet me të ardhurat, si këtu tek ne. Më ka rënë rasti të udhëtoj shpesh në Maqedoni (edhe atje rrogat janë të ulëta) por çmimet në dyqane janë mëse të përballueshme. Kam dëgjuar nja dy herë Kryeministrin, që thotë "nuk ndërhyjmë ne në treg". Ç'janë këto broçkulla? Askush nuk po i kërkon Kryeministrit të shkoj të zihet me shitësen e domateve tek pallati im, ama ai është përgjegjës i politikave ekonomike e nëse ato në shtëpinë time përkthehen në fatura të cilat unë (që jam e punësuar me rrogë të mirë, e përsëris) nuk mundem t'i përballoj, atëherë ç'më duhen mua teoritë televizive të kryeministrit, kushdo qoftë ai mbi tregun? Është njësoj si shfajësimi që Kryeministri jep mbi Gërdecin. Ai flet sikur po e akuzojnë se ka qenë ai që ka ndezur fitilin e shpërthimit...
P.S. Lutem, mos e botoni emrin e plotë