E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stresi, shëndeti dhe një këshillë për emigrantët si unë

 

Shumë aspekte të emigracionit, analizohen dhe jepet informacion mbi to, por unë mendoj se një nga aspektet më të rëndësishme, është anashkaluar. Ata që bëjnë jetë emigranti, do më kuptojnë sapo të shkruaj fjalët e para. Bëhet fjalë për shqetësimet psikike apo psikologjike të shqiptarëve që detyrohen të jetojnë në emigracion. Kemi dëgjuar në mënyrë sporadike nga kronikat e shtypit për persona që kthehen të depresuar nga emigracioni apo që kryejnë vrasje dhe vetëvrasje, në njërin apo në tjetrin vend. Ka një numër problemesh në këtë fushë që meritojnë pak vëmendje. Duhet shkruar për to sepse shpesh edhe vetë imigrantëve u mungon vetëdija për situatën ku ndodhen. Dhe kur flas për probleme psikike dhe psikologjike, nuk kam parasysh vetëm sëmundje për të cilat duhet të trajtohesh në Psikiatri. Por edhe për sëmundje të tjera, si shqetësimet e ndryshme në organe jetësore, përfshi tumoret, të cilat në fakt kanë si shkak, përsëri të njëjtat shqetësime që përmenda më lart: pra, turbullimet psikike emocionale të emigrantëve, shpesh të pashmangshme, për shkak të pozicionit social të tyre.

***

Po sjell një shembull të marrë nga media gjermane. Bëhet fjalë për një emigrant me emrin Murat B., (mbiemrin nuk po e përmend të plotë). Ja dëshmia e tij në një media: "Unë isha në Gjermani vetëm, pa familje, pra, pa miq dhe pa mjedisin me të cilin isha mësuar. Vuaja nga një ulçerë gastrike dhe fillimisht mjekësia tradicionale nuk më ndihmoi. Të gjesh rrugën tënde në vend të huaj, është vërtet e vështirë. U përballa me probleme psikike, të cilat në fillim nuk isha në gjendje t'i përballoja vetë...".

Murati kishte shqetësime të rënda psikosomatike, të shkaktuara nga kontrastet mes dy kulturave të ndryshme. Ai u operua disa herë nga stomaku por shqetësimet nuk morën fund. Ai nuk e kuptonte që sëmundja në ulçer dhe shqetësimet psikike për shkak të pozicionit social prej emigranti në vend të huaj, kishin lidhje njëra me tjetrën. Kjo gjendje e sëmundjes së tij, vazhdoi derisa miqtë gjermanë dhe gruaja e tij e këshilluan t'i drejtohej psikoterapisë. Këshillat e psikologut, dhe thika e kirurgut e bënë punën e vet. Murati ndihet mirë tani. Por emigrantë të tjerë, nuk e kuptojnë këtë lidhjes mes stresit dhe sëmundjeve trupore. Vetë Murati, në median prej ku kam shkëputur këtë rrëfim për "Shekullin", thotë: "...Kur flas me emigrantët e tjerë dhe u them se kanë nevojë për terapi, më përgjigjen se nuk janë të çmendur dhe nuk duan të mbyllen në Psikiatri".

***

Kombet e Bashkuara flasin për migracion kur dikush kalon më shumë se një vit larg vendlindjes. Shpresoj që ky informacion t'i vijë sadopak në ndihmë, për të kuptuar si janë gjërat, atyre mijëra emigrantëve shqiptarë nëpër botë, që vuajnë në heshtje e në vetmi kushedi sa qindra apo mijëra drama personale dhe familjare. Unë e di, që ata shpesh druhen se shqetësimi më i vogël psikik mund të bëhet shkas për t'i mbyllur në klinika psikiatrike. Por nuk është kështu. Edhe nëse për dhjetëra arsye e kanë të vështirë të shkojnë tek një psikolog, këshilla ime është: Ruani veten nga stresi. Përpiquni të mbani një nivel humori, duke sfiduar jetën e vështirë. Është jetësore kjo gjë, duhet t'ia dalim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›