E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gomerët e Jeminit

Një i dëmtuar nga shpërthimi qeveritar në fshatin e Gërdecit, solli një ankesë në adresë të "Spiunit". Ai, për fat të mirë, thotë se nuk ka patur viktima dhe të plagosur në familjen e tij dhe as shumë dëmtime në shtëpinë e cila ndodhej më larg se të tjerat nga vendi i shpërthimit. Ankesa e tij kishte të bënte me vlerësimin shumë të ulët që Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, e drejtuar nga Jemin Gjana u kishte bërë dëmtimeve në gjënë e gjallë. "Deshi Zoti dhe më shpëtuan njerëzit dhe shtëpia, por m'u shu bagtia,- u ankua gërdecash.- Erdhën ata të Bujqësisë dhe na thanë se një lopë bën 1 milionë e treqind, një viç 300 mijë lekë, një kalë 800 mijë lekë, një gomar 150 mijë lekë, një dele 12 mijë lekë e kështu radhë. U ankuam dhe na shkelën syrin, se nëse donim të fitonim ne, po edhe vlerësuesit, të shtonim numrin e bagëtive, sepse me çmimet nuk luanin dot. Nja dy pranuan, por unë jo, sepse gomari im nuk kishte të paguar. Me çmimet e Jeminit, gomari im bën sa 10 pula në Tiranë. Por ai i shkreti gomar tërhiqte edhe parmendën, se traktori do një grusht me lekë për me punu arën. Kohët e fundit, ia kisha ul edhe sasinë e barit, se kemi qenë ngushtë, dhe ai i shkreti nuk ankohej. Ia kisha bo tamam siç po na e bo Saliu ne. Pranej un kërkoj nji çmim disa herë më të lartë se ato që kanë gomerët e Jeminit",- mbyllej ankesa e banorit të mbijetuar të Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›