E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kryeministër, mos u hidh nga dega në degë, bëj detyrën tënde!"

 

Ngjarja e Gërdecit është një tragjedi me përmasa të mëdha. Çfarë bëri qeveria? U mblodh dhe fillimisht na tha se kjo nuk është punë e saj, por e një firme private, dhe kjo jo shqiptare por amerikane(!) (Me demek, nënteksti: "Ju e kuptoni, ne nuk kemi çfarë t'i bëjmë". Pastaj vrapoi në Gërdec për ngushëllim dhe i nderuari Kryeministër doli përsëri në TV dhe na tha: "Kemi bërë punë të mirë. Vajtëm për ngushëllim si qeveri dhe unë, si i Pari i Qeverisë dhashë nga dy milionë lekë. (Kuptohet, jo nga xhepi im, por nga taksat tuaja). Pa humbur kohë i çoi lekët atje me thes dhe i numëroi në tavolinë (çfarë gjë e ulët dhe e neveritshme!). Por çfarë duhet të brente qeveria? Për këtë rast, siç është theksuar, qeveria ka nxjerre një Vendim (Nr.138) që përcakton me hollësi detyrat. Po ashtu dihen detyrimet ligjore të subjekteve private shqiptare apo të huaja, për çdo aktivitet që ato kryejnë në vendin tonë, po ashtu, dihen edhe detyrat që u ngarkon ligji qeverisë dhe institucioneve. Mendimi im për ju z.Kryeministër është: Po të ishit i pastër do të kishit pushuar nga puna çerekun e Ministrisë së Mbrojtjes, titullarët e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe të Drejtorisë së Tatimeve. Ju keni detyrim ligjor që në çdo rast të nxirrni përgjegjësinë administrative e jo më në një rast si ky i një tragjedie të tillë. Heshtja juaj në këtë drejtim tregon se jeni i përlyer. Pohimi i K.Trebickës, se "ministri e priti ftohtë dhe ngriti supet" (me fjalë të tjera: unë nuk kam çfarë të bëj) e ngriti pjacën për të kërkuar djalin tuaj, domethënë Juve. Dhe së fundi, të ndjerin baxhanakun juaj, që siç e thate dhe vetë, "punonte për bukën e gojës", ne populli këtej e kemi përkthyer si supervizor i aktivitetit dhe i vlerave monetare që rridhnin prej tij. Janë të gjitha këto që e çojnë dyshimin tek Ju.

Në 10 ditë pas tragjedisë, keni ndërruar dhjetë herë versionin tuaj. Tani dilni e thoni, që fajtorë janë Shërbimet e Informimit dhe "në shërbime duhet të bëhen reforma". E qartë, mos u merrni me ujkun, por me gjurmët!

Ju zoti Kryeministër, nuk ka nevojë t'i mëshoni përgjegjësisë penale dhe t'i bëni apele Prokurorisë. Mos u hidh nga dega në degë, se nuk i ka lezet atij posti që mban. Nxirr përgjegjësinë administrative. Drejtësia le ta bëjë punën e saj; ju duhet të bëni detyrën tuaj dhe n.q.s jeni i pa përlyer, të bëni Akt-Akuzë edhe për ndjekje penale ndaj përgjegjësve kryesorë. Duhet ta kishit bërë këtë në qeveri por nuk është vonë që ta bëni, bile me praninë, e medias, duke marre, në konsiderate, të gjitha faktet që ajo ju ka servirur. Kështu do të distanconi veten nga kjo aferë, do të ndihmoni drejtësinë dhe do të na jepje një arsye për të të besuar. Në të kundërt, jep pa vonese dorëheqjen. Se, të them sinqerisht, sa del në televizor dhe na thua gënjeshtra njëra pas tjetrës e formulime pa kuptim, ndihem i fyer dhe pyes: Këtë meriton të këtë kryeministër ky popull?

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›