Lubonja është një shqiptar si ne!
Ka një reagim histerik ndaj një shkrimi të Fatos Lubonjës rreth dy standardeve të liderëve shqiptarë në raport me shqiptarët dhe Evropën. Reagimi vjen nga leximi fragmentar i shkrimit dhe pos të tjerash nga fokusimi tek biografia e luftës dhe e paqes e Ramush Haradinaj. Por shkrimi është më i gjerë se kaq. Thelbi i tij është se liderët shqiptarë, për të mbuluar problemet e tyre brenda, përdorin nacionalizmin, kurse për t’iu servilosur Evropës, gjuhën e saj. Në të vërtetë më i hidhur për mua është fakti që shqiptarët nuk janë as nacionalistë dhe as evropianë, por një shoqëri që tenton të përdorë çdo mënyrë sjelljeje për të mbijetuar.
Unë nuk hyj tek ata kolegë që pajtohem shpesh me ato që shkruan Lubonja dhe nuk dua të hyj në polemika me njerëzit e emocionuar nga ndonjë paragraf i tij. Reagimi ndaj shkrimit të Lubonjës tregon disa probleme që ka shoqëria shqiptare me perceptimin e standardeve të një shoqërie perëndimore. Lubonja tregohet i guximshëm si publicist kur i beson të gjitha ato që thuhen për Haradinajn, dhe bazuar mbi këtë u bën gjyqin politikanëve shqiptarë. Por kjo nuk është një arsye për tu linçuar publikisht, por një arsye për të reflektuar përse ne nuk flasim sinqerisht për historinë tonë. Krimet e serbëve ndaj shqiptarëve, krahasuar me dhunën e UÇK-së ndaj tyre, janë të pakrahasueshme dhe të pabalancuara, por ky nuk duhet të jetë kriteri ynë për të gjykuar historinë. Krimi nuk është statistikë dhe si i tillë qëndrimi ndaj tij nuk varet nga sasia e kufomave. Serbët kanë bërë gjenocid real ndaj shqiptarëve, kanë vrarë në mënyrë masive, kanë përdhunuar gra dhe vajza, kanë deprimuar karakteret dhe krenarinë e tyre duke iu nënshtruar një regjimi represiv etnik, kanë hequr të drejtën e tyre për shkollim dhe vetëqeverisje, dhe së fundmi kanë hyrë në konflikt me Perëndimin për ta ruajtur me dhunë këtë dominancë. Perëndimi nuk e toleroi këtë gjë dhe ka bërë luftën e parë në botë në emër të të drejtave të njeriut. Kosova është shembulli jo i lumtur për Perëndimin se si ata bombarduan një shtet vetëm pse donte të shtypte qytetarët e një kombësie tjetër brenda territorit të tyre. Dhe i ndëshkoi rëndë duke ua hequr nga duart këtë popull. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë.
Shkrimi i Fatos Lubonjës nuk rreket të tregojë se dhe shqiptarët kanë bërë krime dhe as tenton ti barazojë ato me krimet serbe, por tregon gjuhën e drunjtë dhe hipokrite të politikës shqiptare në raport me krimin. Ai thjesht kërkon të dëshmojë se ne jemi të pasinqertë dhe kur bëjmë si evropianë dhe kur bëjmë si shqiptarë dhe këtu besoj se ka të drejtë.
Së dyti, dua të theksoj se vetë Lubonja është një shembull i këtij standardi të dyfishtë. Ai është një publicist i kulturuar dhe një shkrimtar i mirë, i cili ka ndikim në opinionin tonë publik. Në shoqërinë ku ai jeton dhe kontribuon, pra në Tiranë, më 21 janar të vitit 2011, regjimi i Tiranës vrau katër qytetarë të pafajshëm, të parrezikshëm, të pambrojtur dhe të paarmatosur. Ata ishin me duar në xhepa para kryeministrisë duke protestuar për të drejtat e tyre politike. Regjimi i vrau, i poshtëroi, mbrojti vrasësit dhe ishte gati të vinte themelet shtetit shqiptar duke akuzuar presidentin, kryeprokuroren, SHISH dhe gazetarët si puçistë. Fatos Lubonja, i cili është një kontributor i rëndësishëm në TV Klan, një grup mediatik i regjimit që iku, nuk adoptoi ndaj këtij krimi standardin që adopton si intelektual ndaj krimeve sado të pakta të UÇK. Përkundrazi, në krimin e regjimit në Tiranë ai shikon dy palë përgjegjëse, dhe opozitën që i nxori në protestë, dhe vë si dytësor regjimin që i vrau. Ky është një fakt që dhe Lubonja është shqiptar, një shqiptar me dy standarde, i vetëkufizuar, vetëcensuruar dhe vetëpërdorur nga rrethanat në këtë vend.
Histeria ndaj tij duhet të ndalet. I gjithë shkrimi i Lubonjës ka dhe atë tiparin e tij të përhershëm, cektësinë me të cilën prek problemin. Ai mendon se e ka imunitet faktin që nuk është i interesuar për informacionin real, por në fakt e ka mangësi të madhe. Ai shpesh shkruan me të njëjtën lehtësi për çështje politike, sociale, kulturore, kriminale dhe historike, duke injoruar thellësinë e problemit. Në këtë rast cektësia me të cilën ai qaset ndaj problemeve, nuk e mbron dot, por jo se e fajëson në atë shkallë sa po e sulmojnë.
Në Kosovë ka shumë politikanë që kanë thënë gjëra të tmerrshme për njëri- tjetrin. Po të lexosh çfarë kanë thënë bashkëluftëtarët e UÇK-së për njëri- tjetrin, apo njerëz të PDK kundër AAK, Lubonja të duket një njeri i moderuar dhe i censuruar. Po të dëgjosh çfarë ka thënë Berisha për Metën, Meta për Ramën dhe Rama për Berishën, gjithë shkrimet e mia për ata, janë shumë të dobëta. Mos bëni sikur e dëgjuat për herë të parë nga Lubonja këtë gjë. Nuk ka thënë asgjë më shumë se sa kemi bërë dhe nuk ka bërë asgjë më shumë se sa thotë. Është shqiptar si ne. Në shumicën e kohës me dy fytyra.
