E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI, plani i ndarjes së bashkive të mëdha

Rama: Po përpilojmë hartën e njësive lokale, ku pretendojmë të fitojmë

Dy aleatët kryesorë të mazhorancës qeverisëse, përkatësisht PD dhe LSI, do të nisin së shpejti negociatat për ndarjen e “tortës” elektorale të zgjedhjeve vendore, që pritet të zhvillohen në majin e vitit të ardhshëm. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim mësohet se janë në momentin e testimeve të brendshme në zona elektorale, përpara se Kryeministri Sali Berisha, si kryetar i PD-së dhe zëvendëskryeministri, Ilir Meta, të ulen për të ndarë zonat elektorale për zgjedhjet e ardhshme lokale. Por paralelisht me këtë proces, palët duhet të kryejnë edhe ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor.

Përgatitjet

Zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të mbahen në fillimin e majit, por përgatitjet e forcave politike të koalicionit qeveritar kanë nisur që muaj më parë. Tashmë kur nga fillimi i fushatës zgjedhore na ndajnë nëntë muaj, përgatitjet po bëhen edhe më intensive. Për sa i përket LSI-së, kjo konfirmohet nga sekretari i saj i Përgjithshëm, Luan Rama, i cili thekson se partia që ai përfaqëson po punon për përgatitjen e hartës së saj elektorale. Rama thekson se njëkohësisht LSI po punon edhe për reformën elektorale. “Angazhimi i LSI-së është në dy fronte. Së pari jemi duke punuar të kemi hartën tonë të njësive lokale, ku pretendojmë të fitojmë dhe për këtë qëllim, strukturat tona po punojnë për të pasur një qasje sa më realiste. Së dyti ne kemi gati draftin tonë të propozimeve për ndryshime përmirësuese në Kodin Zgjedhor”, theksoi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Nga ana tjetër, burime brenda PD-së bëjnë të ditur se testimet e brendshme kanë nisur prej muajsh dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale në strukturat lokale nuk kanë ndaluar për asnjë çast. Por për sa i përket situatës me reformën zgjedhore, PD i ka më të komplikuara punët, nisur edhe nga fakti se kësaj partie i duhet edhe kompromisi i opozitës.

Preferencat

Ndonëse marrëdhënieve të deklaruara të mira mes PD-së dhe LSI-së në koalicionin qeveritar, ndarja e zonave elektorale për zgjedhjet vendore konsiderohet si proces që mbart në vetvete probleme. Ajo që dihet me siguri deri në këto momente është se PD do të vendosë një kandidat të saj në kryeqytet, përballë emrit që do të vijë nga PS. Zërat sa vijnë e shtohen, se ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, do të jetë edhe kandidatura e PD-së për këto zgjedhje, ndonëse është ende herët për një konfirmim zyrtar nga selia blu. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se LSI synon të dalë me një kandidat të saj, të mbështetur nga e gjithë mazhoranca në Bashkinë e Durrësit, një ndër bashkitë më të mëdha në vend. Kjo edhe për faktin se LSI ka pasur një rezultat të mirë elektoral në këtë zonë, gjatë zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Nga ana tjetër, bashki të Rrethit së Skraparit pritet të jenë të preferuara për aleatin e PD-së në qeverisje. LSI do të kërkojë të përfaqësohet në lokalet e 2011-s, si një forcë e rëndësishme për qeverisjen e vendit dhe jo thjesht mbi numrat e votave që kjo parti marrë në terren.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›