Lufta e Berishës ndaj korrupsionit kufizohet vetëm tek zyrtarët e dorës së dytë
Gjatë vizitës së tij në Bruksel, ku mori pjesë në një konferencë të Partive Popullore, Berisha u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve shqiptarë, një prej të cilave kishte të bënte pikërisht me korrupsionin.
Sipas Berishës, qeveria e tij ka arritur një sukses të madh në luftën kundër korrupsionit, pasi sipas tij, nuk gjen dot një vend tjetër në të cilin, siç ndodhi te ne vetëm dy ditë më parë, të jenë vendosur para ligjit 7-8 zyrtarë së bashku.
Berisha i referohej arrestimit të 7 zyrtarëve në qytetin e Vlorës, të cilët akuzohen më së shumti për falsifikime dëshmish për patenta.
Pra, Berisha e koncepton luftën ndaj korrupsionit me arrestimin e personave që marrin apo japin shifra qesharake, ndërkohë që ata që bëjnë korrupsionin e madh, Berisha i ka në krah, siç janë Ilir Meta, Fatmir Mediu etj.
Lidhur me pyetjen tuaj mund të them dy gjëra; drejtësia shqiptare, pavarësisht nga vakumet që ka, në rast se i referohemi 2 momenteve, ato flasin më shumë se të gjitha akuzat e tjera. Së pari, në vitin 2005, popullata e burgjeve në Shqipëri ishte tërësisht 1800 persona, sot është rreth 5 mijë. Mos harroni se janë këta gjykatës që japin çdo ditë drejtësi. Së dyti, 60 për qind e proceseve në të cilat qeveria paditet, fitohen nga pala tjetër. Në qoftë se 60 për qind e këtyre vendimeve jepen jo në favor të qeverisë, kjo do të thotë se kjo drejtësi funksionon në mënyrë të pavarur. Por lidhur me faktin se a duhet të kemi apo jo koka turku, unë mund të them se ne duhet të kemi shtet ligjor të fortë, vijoi më tej Berisha.
Por, nëse do të luftojë vërtet korrupsionin, Berisha duhet fillimisht që të ti hapë rrugën burgosjes së Ilir Metës dhe madje edhe djalit të vet, raportet ndërkombëtare, kur flasin për korrupsionin në Shqipëri, u referohen pikërisht këtyre dhe jo zyrtarëve të dorës së dytë e të tretë.