E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e FBI-së kundër ekstremizmit

Interneti lehtëson komunikimin e ideve të ndryshme, duke përfshirë idetë e terroristëve dhe ekstremistëve. Në SHBA, Zyra Federative e Hetimeve apo FBI-ja, po punon me udhëheqësit e komuniteteve për parandalimin e përhapjes së terrorizmit të brendshëm përmes internetit.

Materiali në vazhdim na njeh me punën FBI-së në një qendër myslimane në periferi të Washingtonit. Saxhad Ahmadit i pëlqen sporti dhe e kupton pasionin e këtyre adoleshentëve. Ai punon me ta në qendrën e shoqatës “Myslimanët e zonës së Dallasit” që njihet thjesht si ADAMS. Ahmadi thotë se puna e tij është t’i mësojë adoleshentët mbi rreziqet e shoqërisë moderne si droga, krimi, dhe interneti. “Interneti është një burim i rëndësishëm, por mund të sjellë edhe telashe”, thotë Ahmadi.

Të rinjtë, në kërkim të një qëllimi, ndikohen shumë lehtë nga ideologjia ekstremiste. Brett Hovington është përgjegjës i FBI-së për marrëdhëniet me komunitetet. “Nuk të duhet fare të marrësh aeroplanin. Mund të përdorësh kompjuterin, ku je i mbrojtur pas tastierës dhe mund të lidhesh me njerëzit në gjithë botën”, thotë ai.

Pesë shtetas amerikanë nga rrethinat e Washingtonit janë akuzuar për përdorimin e internetit për të krijuar lidhje me militantët në Pakistan dhe tani ata po përballen me akuza për terrorizëm. Në një tjetër rast, një grua amerikane akuzohet për rekrutimin e burrave për të kryer vepra terroriste përmes internetit. Raste si këto i shqetësojnë ligjvënësit amerikanë.

Ligjvënësi republikan, Charli Dent thotë: “Interneti është vegël që përdoret nga terroristët për komunikim, rekrutim, planifikime, organizime, përgatitje, për trajnime dhe ekzekutimin e komploteve terroriste”.

Në një seancë dëgjimore mbi terrorizmin e organizuar në vend, agjenti Hovington tha se krijimi i lidhjeve të ngushta me komunitetet vendase është çelësi i parandalimit të ekstremizmit. “Është sfidë të identifikosh një terrorist të vetmuar. Është pothuajse e pamundur pa ndihmën e komuniteteve dhe qytetarëve”.
Hovington thotë se një nga mënyrat e ndërtimit të besimit, është shfrytëzimi i një prej 56 akademive qytetare të FBI-së në SHBA.

Studentët që vijnë në këto akademi përfaqësojnë të gjitha komunitetet në vend. Njëri prej tyre është president i qendrës Adams, Faruk Sajed. “Ka shumë perceptime negative mbi FBI-në në komunitete”, thotë ai.

Sajed thotë se pjesëmarrja në Akademinë e Qytetarëve e ka ndihmuar të kuptoj më mirë punën e FBI-së dhe i ka dhënë atij mësime të mira për t’i përcjellë në komunitetin e tij.

“Në këtë kurs unë mësova se kompjuterët portativë nuk duhet vendosur në dhomën e gjumit. Ata duhet të jenë të pranishëm, vetëm aty ku ne mund të vëzhgojmë aktivitetin e fëmijëve”, tha Sajed.

Por ndërgjegjësimi i publikut mbi rolin e FBI-së përfaqëson vetëm njërën anë të ekuacionit. Qytetarët dhe agjentët pohojnë se besimi duhet të jetë i dyanshëm. “Komunitetet do të jenë më mirëpritëse, nëse ne nuk kërkojmë që ata të na tregojnë gjithçka, por nëse u kërkojmë atyre të bëhen partnerë me ne. Ne u mësojmë atyre mënyrat tona dhe ata na i mësojnë neve traditat e tyre", shprehet Sajed.

Sajed tani dëshiron t’i intensifikojë marrëdhëniet me FBI-në. “Unë dua ta kem këtë partneritet me FBI-në, jo vetëm në nivel komuniteti, por edhe në nivelin e punësimit”, thotë ai.

Sajed po inkurajon të rinjtë në qendrën ADAMS të shqyrtojnë mundësinë e fillimit të një karriere me FBI-në për të forcuar lidhjet e komunitetit mysliman me forcat e rendit. (VOA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›