E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e gabuar

Për të gjithë sot është e qartë se organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme në vitin 2009, është prova më e madhe gjatë këtyre 17 viteve tranzicion; për administratën, politikën dhe qytetarët shqiptarë. Progres-raporti i KE-së, i diskutuar aq shumë nga rrethet politike dhe mediat, e vizatonte këtë çështje si më të rëndësishmen për të ardhmen e vendit. Edhe pengesat e tjera në procesin e integrimit, si reforma e pronësisë, lufta kundër korrupsionit, etj., janë po aq me peshë dhe të pakthyeshme. Por nga sa është konstatuar deri më sot, prova e zgjedhjeve të lira, është jo vetëm më e vështira, por edhe më e vlerësuara nga partnerët tanë perëndimorë. Në kapërcyell të qershorit të vitit 2009, pasi “lufta” e sotme dhe e nesërme për zgjedhjet të ketë përfunduar, ndërkombëtarët do të marrin një vendim të rëndësishëm për Shqipërinë. Do ta ftojnë në komunitetin e tyre, duke i dhënë më në fund statusin e kandidatit për në BE, mbase edhe më tepër se kaq, ose do të vazhdojnë të dhurojnë edhe më tej këshilla inkurajuese dhe thirrje standarde për përmirësimin e standardeve. Ata, sigurisht, janë dhe do të jenë ende të pakënaqur me nivelin profesional të administratës, me lëvizjet e pajustifikuara të specialistëve sipas orekseve partiake, me arritjet modeste në luftën kundër korrupsionit, me problematikat e kthimit dhe kompensimit të pronave e të tjera këso. Por asnjë prej këtyre temave të rëndësishme, nuk do të zërë dot vendin e zgjedhjeve. E zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Një shtrëngim i tillë, është në logjikën e gjërave. Asnjë shoqëri e hapur nuk mund të ekzistojë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, thuhet në dokumentin me titull “Projekt për transformimin politik dhe procesin zgjedhor në Evropën postkomuniste”, (“Praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit” - botim i OSCE, Kapitulli II, faqe 17.)

Nuk është e rastësishme që edhe kriza më e madhe politike e kësaj vjeshte “të nxehtë”, përkon pikërisht me këtë temë. Greva e urisë e 10 deputetëve të LSI-së, PDK-së dhe PS 91-shit, vijon. Kjo që po ndodh këto ditë, nuk është një luftë e re. Është një kopje e pamjeve plot konflikte të gjithë tranzicionit. E vështruar pak më thellë, është endja e hershme nëpër trazira dhe moskuptime; që mendimtari dhe poeti i madh shqiptar Gjergj Fishta e ka fshikulluar herët: “Pse shqyptarëve asht tue m’u ba,/ s’u vjen gjuha tjetër gja,/ veç me pshtjellë e me ngatrrue, për shoshojn veç me shprrallue, punët e mbara me i shkatrrue...” (Nakdomonicipedija).

Por aktualisht ka një lëvizje të ndryshme nga (shumë) herët e tjera. Është e dukshme që këtë herë PD-ja dhe PS-ja, në disa rrafshe, kanë manifestuar vullnetin për mirëkuptim. Situata në të cilën ndodhet Shqipëria pas publikimit të raport-progresit më të fundit të KE-së, nuk është po aq delikate sa vite më parë; së paku, notat që kanë adresuar partnerët, duken më pozitive. Mbase edhe nuk i meritojmë plotësisht; por Evropa ngutet të vlerësojë qoftë edhe përmirësimet më të vogla në zhvillimet politike dhe në ekonomi. Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, në një intervistë të ditëve të fundit, ka nënvizuar se ka patur një klimë më të mirë politike në vend. Ka një konsensus ndërpartiak për objektivat evropiane.

Kjo ka qenë thelbësore në lehtësimin e progresit në disa reforma, të cilat njihen nga ne në raportin e progresit, ka shtuar ai, duke nënvizuar se në të njëjtën kohë, ka akoma plot punë për të bërë... Është e qartë që partnerëve tanë u intereson më së pari një qetësim i marrëdhënieve midis forcave kryesore politike, respektivisht PD-së e PS-së, në kuadër të zhvillimeve integruese. Konfliktet e tjera, më të sfumuara, përfshi edhe këtë midis partive të vogla dhe dy partive kryesore, ata nuk i nënvlerësojnë, por u duken më pak të rrezikshme nga ç’kanë patur rastin të shohin më parë në Shqipëri. Për partnerët, ashtu siç edhe shprehet Komisioneri Olli Rehn, e rëndësishme është që Shqipëria të garantojë se zgjedhjet e vitit që vjen do të zhvillohen në përputhje me të gjitha standardet evropiane.

Ky është një test për pjekurinë politike, për stabilitetin politik dhe për demokracinë e vërtetë. Kërkesa është e qartë dhe e prerë. Kështu ka qenë gjithnjë. “Të mëdhenjtë” kanë arritur deri diku të bindin partnerët se këtë herë po përpiqen shumë për diçka të tillë.

Ka një fjalë të urtë, që thotë: “Gjëja që nuk zgjidhet, pritet.” Më e mira zgjidhje, do të ishte ndërpreja e grevës së deputetëve (meqë jemi këtu, sjellja e forcave të rendit, në disa raste, ka qenë e dhunshme dhe patetike; si të thuash, ato e kanë mbiluajtur rolin e qetësuesit të situatës). dhe një konsultë e fundit për Kodin Zgjedhor.

Grevistët duhet të kuptojnë se vendi nuk mund të mbetet pafundësisht peng i konflikteve, reale apo të sajuara, që mjaft ua kanë rënduar jetën qytetarëve. Dështimi ose mosnjohja e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2009 do të ishte e patolerushme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›