Lufta e harruar

Nga një minutë për një pacient, e madje edhe ky është një luks. Kur mjeku Tom shkon për vizita, koha është një gjë tejet e vlefshme. Një pyetje drejtuar pacientit, trajti8m i shkurtë i plagës dhe puna vazhdon më tutje. Pa marrë parasysh natyrën e sëmundjeve apo të lëndimeve, gjërat për mjekun Tom duhet të lëvizin me shpejtësi. 290 pacientë dhe një mjek, këtu nuk ka kohë për biseda.
“Mirë se erdhët në Gidel”, thotë mjeku Tom. Është mbrëmje në Kordofanin e Jugut dhe ai ka ardhur në afërsi të misionit të Kishës Katolike.
Mjeku Tom 47 vjeçar, emri i plotë i të cilit është Thomas Catena, bartë syze, është amerikan dhe besimtar. Ishte mjek ushtarak, ka punuar në lagjet e varfra të Nairobit dhe në shumë spitale tjera në Keni. Ai e njeh fare mirë Afrikën. Për këtë arsye ka qëndruar në Gidel, në momentin kur qeveria e Sudanit para nëntë muajve rrethoi nga të gjitha anët provincën e Kordofanit të Jugut, në momentin kur ranë bombat e para dhe në momentin kur të gjithë të tjerët u larguan nga aty: OJQ-të, udhëheqësi i spitalit, e madje edhe një teknik i anestiologjisë.
Ata u arratisën, ndërsa numri i pacientëve po shtohej. “Është kjo një luftë tipike qytetare”, thotë Tom.
Askush nuk ka dëgjuar për Gidelin, askush nuk ka dëgjuar për Kordofanin e Jugut dhe malet Nuba. Kordofani i Jugut është gati dy herë territor më i madh se Austria dhe është territor i Sudanit, në brezin kufitar me Sudanin e Jugut, i cili në korrik të vitit të kaluar shpalli pavarësinë.
Bëhet fjalë për një tokë pjellore, të pasur me minerale dhe naftë. Edhe nuk duhesh ta njohësh këtë rajon, po të mos zhvillohej tani aty një dramë e ngjashme me atë në Siri: një diktator, një luftë e pashpallur, një popullatë që po mbahet peng, bomba dhe granata, të cilat po qëllojnë para se gjithash civilët. Por në malet Nuba nuk ka blogerë, video-xhirime në YouTube dhe kryengritës që kanë lidhje me mediet. Për këtë arsye, lufta po zhvillohet larg syve dhe vëmendjes së opinionit botëror.
Konflikti filloi në qershor të vitit 2011, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve për guvernator të Kordofanit të Jugut. Zgjedhjet i fitoi guvernatori i mbështetur nga Khartoumi, Ahmed Haroun. Haroun kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nën akuzat për krime të luftës në Darfur. Por në fitoren e tij nuk besonte askush, flitej për një manipulim masiv zgjedhor. Udhëheqësi i pakontestuar i rajonit Nuba është Abdul Aziz, një kryengritës me përvojë, i cili qysh më herët ka luftuar kundër ushtrisë së Sudanit.
Pasi që banorët refuzuan të dorëzojnë armët pas zgjedhjeve kundërthënëse dhe të integrohen në ushtrinë e rregullt të Sudanit, presidenti Umar Al Bashir ndaloi organizatat humanitare që të shkojnë në këtë territor dhe dërgoi atje aeroplanë dhe tanke.
Që nga ajo kohë Kordofani i Jugut është në luftë. Nëpër këtë territor në të njejtën kohë kalojnë tri vija ndarëse. Rajoni ndan të krishterët nga myslimanët, arabët nga afrikanët me ngjyrë dhe që nga viti i kaluar, Kordofani i Jugut e ndan edhe Sudanin e Jugut nga Veriu.
“Banorët e Nubas dikur kanë luftuar për Jugun dhe tani ata po e paguajnë llogarinë”, thotë Peshkopi Macram Gassis. Të krishterët janë pakicë në rajonin Nuba, por ata janë të pranuar nga shumica myslimane. Ndoshta edhe për shkak se të krishterët, me projektet e tyre, si për ndërtimin e shkollave, të spitaleve apo rrugëve, kanë sjellë ca përparim në këtë rajon të braktisur.
Rajoni sa i përket zhvillimit është injoruar gjithmonë nga qeveria e Bashirit, për shkak se banorët e rajonit nuk janë arabë, e hanë mishin e derrit, konsumojnë alkool dhe për shkak se kishin treguar simpati për pavarësinë e Sudanit të Jugut. “Për qeverinë në Khartoum, janë këta mysliman të rendit të dytë”, thotë Gassis.
Tani Bashir po zhvillon luftë kundër tyre. Rezultati mund të shihet në spitalin e Gidelit. Ky spital ka vetëm një mjek, pra mjekun Tom.
Gjatë vitit 2011, ai ka operuar mbi 1500 pacientë. “Thjeshtë nuk mund t’i dërgosh në vende më të pastra. Ke vetëm një mundësi, ti operosh vetë, apo ti lësh të vdesin”, thotë mjeku Tom.
Gjeografikisht, pikërisht ashtu siç e kanë tërhequr kufirin britanikët në vitin 1956, Kotrdofani i Jugut është pjesë e Veriut. Por Khartoumi nuk ka vlerësuar kurrë banorët e këtij territori. Për shekuj me radhë ata i kanë shërbyer arabëve si skllav. Gjatë 23 viteve të luftës qytetare, ky rajon ishte njëlloj tampon zone mes Veriut dhe Jugut.
E më pas pasoi marrëveshja paqësore e vitit 2005, ndërmjet Veriut dhe Jugut, me ç’rast u bë një gabim i madh politik. Dy palët nuk arritën të pajtohen për Kordofanin e Jugut.
Por John Garang, kryesuesi i kryengritësve nga Jugu, nuk deshi që pavarësia e Jugut të dështoi për shkak të Kordofanit të Jugut dhe u pajtuan me një kompromis, i cili la në mjegull dhe të pazgjidhur statusin e Kordofanit të Jugut.