E Shtunë, 31 Tetor 2026

600 gola nga Barcelona e Guardiolës

Barcelona ka shënuar 600 gola në ndeshje zyrtare prej kur Pep Guardiola mori drejtimin e skuadrës në fillim të sezonit 2008/09. 193 nga 600 golat në takime zyrtare janë realizuar nga ylli argjentinas, Lionel Messi.

Për më tepër, Messi ka shënuar 35 gola në La Liga këtë sezon duke mposhtur rekordin e brazilianit Ronaldo prej 34 në edicionin 1996/97. Barcelona nën drejtimin e Guardiolës ka fituar 170 prej 233 ndeshjeve zyrtare në të gjitha garat ( 73 % fitore) dhe ka shënuar 600 gola, mesatarisht 2.57 për ndeshje.

I pari ishte realizuar nga Samuel Eto’o në Nou Camp kundër Wisla Krakowit në sezonin 2008/09 në kualifikime për Ligën e Kampionëve. Kurse, numri 600 u shënua nga Gerard Pique kundër Mallorcas, të shtunën. Vetëm ‘Ekipi i ëndrrave’ i Johan Cruyffit kishte realizuar më tepër, 870 në 430 ndeshje zyrtare (mesatarisht 2.02 gola për ndeshje).

Barcelona ka një tjetër rekord para vetes: më së shumti gola të shënuar brenda një sezoni. Ekipi i Guardiolës vendosi rekord më 2008/09, kur realizuan 158 gola. Këtë vit, së paku 12 ndeshje para fundit, skuadra ka shënuar 152 gola, vetëm shtatë më pak se rekordi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›