E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e pakryer ndaj gjethes magjike

Quhet "cannabis". Një nga fjalët më
të frikshme, që kanë hyrë në shqipen
e "Shqipërisë së hapur". Të
rinjtë i thonë shkurt në zhargon
"mall". Politikanët i thonë me eufemizëm
"miell i bardhë". Mjekët e ndajnë në lloje:
prej "extasy-së" (ekstazisë) e "xannax-it"
(ksanaks-it) deri te gjumëndjellësit dhe
euforizantët e zakonshëm shërues. Por,
gjuhëtarët mendojnë ndryshe: e paskemi
marrë këtë fjalë tri herë, në kohë të ndryshme
e nga burime të ndryshme, dhe
kjo forma më e frikshme është më e reja.
Sepse edhe "kërp" e "konop" qenkan të
së njëjtës prejardhje.
Për shkak të hapjes së vonët të vendit,
shumë njerëz mendojnë se lufta
kundër narkotikëve është thjesht një
zgjatim i prohibicionizmit të shekullit
të kaluar kundër alkoolit dhe duhanit.
Në të vërtetë, njerëzimi ka jo qindra, por
mijëra vjet që përballet me bimën vdekjeprurëse
"cannabis". Gjuha jonë, njësoj si
gjuhët e Perëndimit, e ka pranuar qëmoti
fjalën "hashash", qysh kur urdhri fetar i
"hashashinëve" në Lindjen e Mesme, me
anë të efektit të hashashit, predikonte se
kishte në dorë vetë ringjalljen dhe mund të
bënte mrekulli nga më të pabesueshmet.
Lënda dhe fjala qysh në atë kohë në disa
gjuhë u barazuan me vdekjen. "Assassino"
në italisht dhe "assassain" (asase) në
frëngjisht, këto fjalë që bashkojnë vrasjen
me vdekjen, hynë bashkë me bimën e
tmerrshme të hashashinëve. Në reportazhin,
që kolegu ynë Endri Xhafa ka
përgatitur për telerevistën e përjavshme
"Exclusive", paraqitet një prej pamjeve të
Shqipërisë së periudhës së narkotikëve.
A janë shqiptarët një popull i prirur dhe
i pasur për t‘u harruar kësaj jete përmes
narkotikëve? Apo ky vend shërben thjesht
si një urë "parash të lehta" midis dy
botëve dhe pjesa që konsumohet brenda
është e papërfillshme? A janë vërtet
kopshtet e fshatarëve shqiptarë rreziku
i narkomanisë dhe narkotrafikut, apo
"gjethja e cannabis-it" vendës nuk është
asgjë para narkotikëve të industrializuar
që lëvizin në paketime speciale këndej e
andej portave ndërkombëtare të vendit?
Përditë edicionet e lajmeve njoftojnë
për sasi të mëdha droge të kapura nga
policia, po ku shkon më pas gjithë ky
mall i shtrenjtë e i rrezikshëm, ku evidencohet,
ku asgjësohet? Lufta e policisë
me kopshtijet shqiptare të cannabis-it a
nuk ngjan më shumë me një spektakël, sa
kohë që askush nuk jep sigurime që droga
e pastër, e rafinuar, nuk riciklohet në
mënyra të ndryshme? Narkotrafiku, apo
narkomania, janë rreziku i vërtetë i këtij
vendi? "Gjethja" apo "mielli" bartin më
shumë krim e tmerr në këtë vend, që prej
kohësh zë vend parësorë në shumicën
e llojeve të trafiqeve? A është, në të vërtetë,
Shqipëria, një ishull i së keqes, apo
thjesht një urë e kanal i saj, dhe në këtë
rast duhet të marrin të njëjtat përgjegjësi
edhe vendet kufitare me të, qofshin në
Lindje a në Perëndim? A po ngrihet në
këtë vend edhe shërbimi rehabilitues
spitalor ndaj atyre që gjithë energjinë e
jetës janë të gatshëm ta shuajnë brenda
një ekskursioni "në gjendje të bërë", sipas
zhargonit të përdoruesve të drogës?
Këto e shumë të dhëna të tjera, por dhe
specialistë e qytetarë të intervistuar sonte
në mbrëmje në revistën e përjavshme
"Exclusive", në "Top Channel".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›