E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Portokalli", nisin orët e gjata të humorit

Teatri i madh i humorit shqiptar
rikthehet sot, në mbrëmje, në
skenën e "Top Channel". Ashtu
si në çdo sezon të "Portokallisë",
edhe këtë sezon të ri artistik, ky
spektakël i madh ka rezervuar shumë
surpriza për publikun. Por, në thelb të
të gjitha ndryshimeve është ruajtja e
profesionalizmit, që ka karakterizuar
lojën e aktorëve në këtë spektakël. Me
regji të Altin Bashës, skenografia plot
ngjyra e Fatmir Mingës, "Portokalli" do
të prezantohet sërish nga Agron Llakaj
dhe Amarda Toska.
Agron Llakaj tregon se këtë sezon,
publiku do të ketë mundësi të shijojë
një sërë surprizash, mes të cilave edhe
rikthimin e personazheve më të dashura
prej edicioneve të shkuara.
Sezonin që shkoi, ata e mbyllën duke
premtuar se do të vinin sërish me të reja
e sigurisht me më shumë humor... e kur
flitet për humor e të qeshura, të gjithë e
dimë mirë se ku duhet të drejtohemi...
"Portokallia", nis në ekranin e "Top
Channel". Ata janë përgatitur, gati për të
dhuruar të qeshura e gëzim në familjet
e miliona shqiptarëve. Këtë sezon, ata
po vijnë ndryshe, me të reja e surpriza
plot, me dëshirën e madhe që çdo të
diel në mbrëmje të jenë pranë familjeve
shqiptare, për të dhuruar atë që jo të
gjithë mund ta bëjnë, të falin humor,
shumë, shumë humor.
"Duke qëndruar brenda parametrave
të ndryshimeve të riformatimit, duke
qenë të vetëdijshëm se çdo gjë, sado e
mirë të jetë, ka gjithnjë për të renë për
transformim, brenda këtij kuadrati ne
kemi bërë ndryshime. E kemi nisur këtë
transformim me skenografinë dhe sallën,
ambientin ku ulen spektatorët. Pas
tre vjetësh, kemi vendosur t‘i kthehemi
idesë së sallës dekor. Veç kësaj, ndryshim
të fuqishëm kemi bërë edhe sa i përket
karakterit të personazheve dhe paralelisht
kësaj kemi edhe prurje të reja cilësore,
nga bota akademike, studentë të
Akademisë së Arteve apo nga shkolla atë
tjetra të ngjashme", tregon drejtori artistik
i "Portokallisë" e njëkohësisht edhe
moderator i spektaklit, Agron Llakaj. Ai
thotë se kësaj here kanë mënjanuar disi
talentin që vjen nga jeta, "pasi realisht e
dimë se prurjet nuk janë kaq të mëdha".
E "Portokallia" vazhdon me vrapin e
mbërritjes, siç e quan aktori i humorit
Llakaj, por ka nisur një vrap tjetër i një
tjetër stadi, sepse "Portokallia" është rritur
e konsoliduar, tashmë, vrapi është ai
i vërteti, profesionali. "Këtë sezon kemi
gjashtë djem dhe vajza të rinj, të cilët për
herë të parë do të provojnë në skenën e
"Portokallisë", kjo është një tjetër e re që
do të shikojë e shijojë spektatori", vazhdon
më tej ai. E krahas prurjeve të reja,
publiku do të ketë mundësi të shijojë
edhe një herë personazhet e dashur, ato
që i kanë bërë shoqëri publikut sezonet
e shkuara. Personazhe të reja e të vjetra,
por edhe transformimi vizual, do të
jenë vetëm disa prej surprizave pjesë e
skenës më të madhe (në mos të vetmes)
në vend. Agron Llakaj tregon se këtë
sezon, jo vetëm që do të vazhdojnë të na
bëjnë shoqëri personazhe të sezonit të
kaluar, por publiku do të ketë mundësi
të gjej në "Portokalli" edhe të tjerë personazhe
nga e shkuara. të cilët mendohet
se kanë qenë më të suksesshëm. "Kemi
kthyer gazetaren Ponja, për shembull.
Ajo tashmë na paraqitet në një kuadrat
tjetër, pasi ka fituar një lloj eksperience
si gazetare. Do të kemi sërish menaxherin
me Nasin. Ky i fundit si lojë e menaxherit
është kthyer në një lloj këngëtari
meksikan, por që në fund "demaskohet",
duke u shfaqur ai që është në të vërtetë,
Nasi. Dy personazhe të tjera, po kaq të
dashura, që publiku vetë i ka pagëzuar
me "i gjati dhe i shkurtri", do të rikthehen
sërish, kësaj here njëri do të jetë në
rolin e instruktorit dhe tjetri në rolin e
një kursanti të interesuar në marrjen
e patentës", tregon më tej Agroni, i cili
shton se edhe transformimi vizual është
po kaq i bukur. "Mua më shijon dhe uroj
shumë të vijë me po kaq shije e po në të
njëjtën mënyrë edhe nëpërmjet ekranit",
shprehet Agron Llakaj. Në skenografinë
e ideuar nga Fatmir Minga, por në të
cilën kanë marrë pjesë dhe kanë dhënë
mendimet e tyre thuajse i gjithë stafi
i "Portokallisë", publiku do të shikojë
dhe do të gjejë veten e të përditshmen
e tyre, pasi është menduar që një detaj
i saj të rrëfejë në një farë mënyre edhe
shoqërinë tonë, që është në ndërtim e
sipër, ky është një detaj, të cilin "Portokallia"
ia ka "rrëmbyer" realitetit, por
jo gjithçka është e lidhur vetëm me të.
Ka shumë fantazi në skenografinë e
"Portokallisë", ashtu siç ka edhe në personazhet
e humorin e saj. Surprizat do të
shoqërojnë këtë natë të parë të sezonit
të "Portokallisë", për të qenë akoma më
shumë pranë publikut të "Top Channel"
dhe atyre që dëshirojnë të gjejnë humorin
të dielën mbrëma.
"Portokallia" ka atmosferën e duhur
e të domosdoshme për të sjellë suksesshëm
këtë spektakël të humorit, në të
cilin gjendet edhe grotesku, po aq sa
edhe satira. Aktorët e "Portokallisë" do
të shpërfaqin në skenë pjesë nga jeta
reale e shoqërisë shqiptare, gjithnjë
duke e transmetuar në trajtën komike
të saj", komenton aktori dhe moderatori,
Agron Llakaj. E pikërisht këtë
bën "Portokallia", e cila merret me fenomenet
sociale, ekonomike, politike,
duke i kthyer ato në humor e nëpërmjet
humorit e të qeshurave përcjell edhe
mesazhe. "E veçanta është që, veç të
tjerash, se ne do të këmbëngulim për
humorin kosovar në "Portokalli". Kemi
tre djem që janë përgatitur dhe besoj
se do ta kalojnë provimin e parë me
publikun".
Agron Llakaj, edhe kësaj here e di se
"Portokallia", me aktorët e gjithë stafin
realizues të saj, do të shënojë sukses. A
ka një çelës suksesi për këtë? Është tepër
e thjeshtë. Fakti që njerëzit kanë nevojë
të qeshin, të shkëputen për disa orë nga
problemet dhe streset e së përditshmes,
ky është suksesi. Të gjithë e dimë se
kemi nevojë më shumë të qeshim sesa
të qajmë... e për këtë arsye është gjithnjë
i bukur rikthimi i "Portokallisë" në "Top
Channel". Tashmë, publiku do të ketë të
qeshurën e freskët çdo të diel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›