E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta italo-greke, ditarët e ushtarëve grekë shkruar në Shqipëri

Saga e luftës italo-greke të vitit 1940 nuk u shkrua as në Itali dhe as në Greqi, por në një vend të huaj, për të dyja palët luftuese. Nga të gjitha konfliktet e historisë moderne, lufta italo-greke e 1940-1941 ka një tipar unik; duke përjashtuar ditët e para pas pushtimit italian, lufta u zhvillua në një territor të tretë, në Shqipëri, vend i cili u shndërrua në fushë betejë në mes të dy ushtrive. 

Nëse i referohemi rrëfimeve të vetë pjesëmarrësve në këtë luftë, marrim disa infomacione për banorët dhe zonat, që u shndërruan në një teatër të skenave tragjike të luftës. Janë rreth 20 dëshmi të tilla, të botuara në 30 vitet e fundit në Greqi, disa detaje prej të cilave do t’i sjellim në këtë shkrim. 

"Kaluam fshatra të braktisur, të bombarduar dhe shumë shtëpi të dëmtuara nga predhat", kujton një ushtar nga Kreta për rajonin e Korçës, në dhjetor 1940. “Më pas Erseka, që ishte e shkatërruar nga bombardimet dhe e braktisur nga banorët. Pashë vetëm një dyqanxhi i cili shiste uzo”. 

Një tjetër ushtar, Nikolla konfirmon këtë dëshmi: "Ne kaluam në qytetin e Ersekës, i cili ka qenë i shkatërruar nga bombardimet e avionëve të armikut. Qytet i bukur, por i pabanueshëm, vetëm xhandarë jetojnë atje”. Më 7 Janar, i njëjti ushtar, Nikolla, viziton Përmetin, të cilin e përshkruan si qytet të mirë e të madh. “Aty pashë fushimin e Forcave Ajrore Greke, ndërtesa të zhveshura, makina dhe armë e materiale të ndryshme të djegura në rrugë. Ditën tjetër, qyteti është goditur dhe nga italianët. Pasdite do të shkoja në Përmet, por Perëndia dhe Virgjëresha më ruajtën dhe ndryshuar rrugën, sepse Përmeti ishte djegur nga bombat në aviacionit italian", shkruan Nikolla. 

“Edhe Korça është bombarduar mjaft. Nga shumë shtëpi kanë mbetur vetëm rrënojat. Mbërritëm natën dhe qyteti ishte shkretuar", kujton ushtari Daskoulis. 

"Ne bëmë një xhiro pastaj fjetëm grupe grupe, duke zgjedhur shtëpitë që na pëlqenin", shkruan ushtari Haris. 

"Kalojmë në fshatin e parë shqiptar", lexohet në ditarin e Dimitris Loukas. "Artileria e rëndë ka gremisur shtëpitë e para". Një fëmijë përshkruan, "terrorin dhe tmerrin që kishin mbjellë bombarduesit tanë në Pogradec", shkruan ai. 

"Këlcyra është një fshat i madh me ndërtesa të vjetra", kujton toger Patrinos. "Ajo është kthyer tashmë në një grumbull gërmadhash. Eshtë djegur edhe nga bombat e grekëve edhe nga italianët. Sheh vetëm rrënoja të zeza dhe përreth varret e të vdekurve”, shkruan ai. 

Një tjetër ushtar, Anastasopulos përshkruan Progonatin, "ishte në afërsi të frontit dhe për këtë arsye goditej vazhdimisht. E njëjta gjë edhe për Golemin, një fshat i vogël që ishte bombarduar disa herë nga aeroplanët e artilerisë kryesisht italiane. Fshati ishte kthyer në rrënoja dhe katran i zi nga baruti. Vetëm varret e të vrarëve janë atje”. 

Duket se për ushtarët grekë, varfëria e fshatrave shqiptarë kishte shkaktuar një tronditje të vërtetë. 
"Njerëzit këtu jetojnë në një varfëri dhe skamje që nuk mund ta imagjinoni", vëren në 3 dhjetor 1940 një avokat i rekrutuar në luftë. "Ata nuk e shohin as Zotin, as djallin fytyrë. Kam para në xhep dhe dua të blej diçka. Cigare, një çaj, sende të ndryshme, por paratë janë tërësisht e padobishme”, shkruan Konitsas. 

Një ushtar grek, i quajtur Mihelidis përshkruan fshatin Leshnjë, që “ishte ngjitur me rrugën dhe sipër tij kalonin telat elektrikë që furnizonin Korçën, por në shtëpitë e fshatarëve nuk kishte as llambë me naftë. Shtëpitë ishin më të këqiat që kisha parë, as qeramidhe nuk kishin dhe dyshemeja e tyre ishte si mos më keq". 

Por në mesin u shtarëve kishte natyrisht edhe të privilegjuar. 
Gitsinas shkruan: “Unë gjeta shtëpi për oficerët dhe për vete. Ishte një shtëpi e madhe, shtëpi feudali. Ajo kishte dy dhoma të mëdha. Kam gjetur dhe një zjarr të ndezur. Pronari, një shqiptar i mirë na priti me dashamirësi, por në fytyrë vura re pakënaqësi". 

Ditari i avokatit Gotsina në datën 7 dhjetor 1940 tregon: ”Kisha për të marrë mish për Batalionin. Nesër është e diel. Shqiptarët nuk kanë asgjë. “S’ka”, shkruan avokati në gjuhën shqipe, Kjo është fjala që dëgjohet gjithandej: S’ka. Eshtë shumë zor. Atë që kanë e fshehin dhe ne iu ofrojmë pagesë të mirë, për t’i bindur të na i japin. Mishi nuk mund të gjendet. Kur i pyet shqiptarët, të përgjigjen me një fjalë: S’ka! Kemi patur probleme në disa shtëpi. Arsyeja ishte sepse kishte dhe ushtarë të tjerë në fshat, të cilët gjithashtu ishin në kërkim. Bëra gjithçka që mundja për të gjetur shtëpitë, duke përdorur të gjitha mjetet". 

Ushtari Panajotopulos shkruan në ditarin e tij: "Disa na shihnin si perëndi dhe të tjerët si demonë, sidomos kur disa nga ne iu konfiskonin kafshët, fenomen që ka arritur në kufijtë e ekstazës”. 

Përveç luftës zyrtare ishte edhe "lufta e urisë përditshme”. 
Ushtari Mihelidis shkruan se “shumë ushtarë të cilët nuk mund të durojnë dalin përreth të blejnë atë që gjejnë: misër, grurë, etj. Por shumicës së tyre, në nevojë, ju duhet domosdoshmërish të vuajnë, ose të vjedhin misër nga shtëpitë e fshatarëve. Fshatarët ankohen“. 

Në dhjetëra copëza ditaresh të tilla përshkruhet situata në Shqipëri në vitin 1940, e parë më sytë e ushtarëve grekë; varfëria, të ftohtët, pasojat e tmerrshme të luftës, shtëpitë e shkatërruara, varret e të vdekurve, diku frika nga ushtarët e diku mikpritja e shqiptarëve të asaj zone që pa me sy dhe përjetoi drejtpërdrejt luftën italo-greke.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›