Rama: Nuk pyesim për asnjë rrezik. Protestë më 14 maj
Sfida jonë është se ne nuk pyesim për asnjë rrezik, sepse ne nuk kemi frikë të kemi të drejtë. Në këtë mënyrë do të mund të përmblidhej thelbi i fjalimit të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, i mbajtur dje para protestuesve të ardhur nga i gjithë vendi. Duke himnizuar sakrificën e 203 qytetarëve dhe deputetëve socialistë që janë ngujuar prej dhjetë ditësh në çadrën para Kryeministrisë, ai ka renditur edhe një herë arsyet e këtij aksioni dhjetëditor të opozitës që kërkon të hapë kutitë ose të provokojë zgjedhje të parakohshme. Një hap përforcues që dëshmon për këmbënguljen e opozitës në këtë drejtim ishte edhe vendimi i grupit parlamentar që ka paralajmëruar një protestë të ngjashme me atë të 30 prillit, në datën 14 maj.
“Ne duam një Shqipëri ku mësuesi të jetë autoriteti më i lartë moral i shoqërisë... një Shqipëri ku mjeku dhe infermierja të jenë pranë njerëzve pa dallim... një Shqipëri të sipërmarrjes së lirë... ku askush të mos e shohë policin e taksave tek dera sepse është i identifikuar si armik i pushtetit... një Shqipëri e cila të mos jetë peng e buxhetit të shtetit... ku shteti të jetë i të gjithëve... ku fondet publike të administrohen me transparencë të plotë...”, ka deklaruar ndër të tjera Rama. Me tiparet e një fjalimi programatik, apeli i kreut socialist ka referuar edhe një herë moton e zgjedhjeve të 28 qershorit që udhëhoqi PS dhe aleatët e saj. Ndryshimi po riciklohet si një fjalë kyçe në komunikimin e opozitës me opinionin, që bashkohen verbalisht në nevojën për të refuzuar realitetin ekonomik dhe politik që ka mbërthyer vendin. Pikërisht në këtë kuadër, Rama ka këmbëngulur edhe në atë që mund të quhet sqarim i aksionit politik që ka si pararojë të vetën grevën e urisë. I vendosur nën fokusin e kritikës dhe paragjykimit, nisma e fundit e socialistëve, e zbritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjithsesi i është nënshtruar një izolimi relativ që buron si nga propaganda e qeverisë, që e nënvizon protestën si element komprometues për integrimin, ashtu edhe nga ftohtësia në reagimin e opinionit publik. Letra e fundit e artistëve që e ka vlerësuar lëvizjen e rrugës si destabilizuese ka provokuar ndjeshmërinë e kreut të PS, i cili ka bërë të qartë se protesta në vetvete është rrjedhim logjik i situatës ekonomike dhe politike të ardhur nga keqqeverisja. “çfarë duam ne? Dhe si është e mundur që për atë që duam, jo vetëm të mallkohemi nga ata që kanë arsye të na mallkojnë. Sepse liria jonë kërcënon pushtetin e tyre që është i ngritur mbi kufizimin e lirisë. Po të tjerët, ata që dalin që bëjnë deklarata dhe marrin pozicione, e dinë se çfarë duam ne, a e dinë se çfarë kërkojmë ne, a e dinë se pse ne jemi këtu. Ne jemi këtu sepse ne e dimë që aty ku e vërteta nuk është e lirë, liria nuk është e vërtetë. Ne jemi këtu sepse duan një Shqipëri ku çdokush të jetë i lirë dhe ku e vërteta të jetë e lirë”, është shprehur Rama. Ndryshe, ky qëndrim i tij mund të shihet edhe si një replikë ndaj zërave kritikë dhe dashakeqës ndaj protestës së opozitës. Zëra dhe kritikë që duket se ia kanë dalë ta ndajnë dhe ta topisin interesin publik ndaj tubimit që po synon të shtrihet në të gjithë vendin. Të paktën sipas fjalëve që janë emetuar dje nga protesta është bërë e qartë se ky rrethim politiko-mediatik që qarkon aksionin opozitar nuk mund të ndryshojë kursin e saj politik. Fjala e Edi Ramës ka gjetur zbatimin praktik që dje në mbledhjen e grupit parlamentar. I mbledhur menjëherë pas protestës, grupi ka vendosur vijimin e marrëdhënies së kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë, si dhe organizimin e një tubimi të madh në datën 14 maj. Kjo vendimmarrje e organit socialist përcakton si vijë zyrtare të PS vijimin e lëvizjes së rrugës, duke mos i dhënë asnjë hapësirë të re manovrimit të shumicës në pushtet.
#