E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta ndaj korrupsionit

A kishim nevojë që të vinte USAID dhe ambasadori i SHBA-së z. John L. Ëithers II për me na tregue se korrupsioni tek ne po lulzon ashtu siç duhet të lulzonin tashma treguesit pozitivë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare?!

Sigurisht që jo.

Zgjedhjet e vitit 2005 i dorzuen demokratëve nji sistem të paralizuem prej korrupsionit, nji gjendje të ngjashme me Jemenin, Kamerunin apo Senegalin. N'atë kohë lufta kundër kësaj plage ishte kryefjala e fituesve dhe ne të gjithëve na pëlqente me e besue këtë gja.

Kanë kalue gati tri vjet dhe rezultatet e premtueme ende nuk po shihen kund, bile kryefjala e atëhershme asht kthye në nji lidhëz me gjendjen e maparshme tragjike.

Problemi asht se ne sot kemi kategori të tana profesionale të korruptueme deri në palcë. Kemi mjekë, gjykatës, avoketën, policë, funksionarë shteti që mund të përdoren si etaloni i korrupsionit.

Por ma e keqja gja asht se tek ne korrupsioni nuk merr dënimin e merituem. Sa politikanë shqiptarë janë dënue për korrupsion? Sa gjykatës? Sa mjekë? Sa doganierë? Sa prej tyne kanë vuejtë dënimin dhe kanë damshpërblye shtetin dhe qytetarët?

Kjo legjislaturë nuk ka pasë asnji karakteristikë kushtetuese, pra nuk ka ba reformat e premtueme e të nevojshme, mbasi prekjet aty këtu të kushtetutës me qëllime që i shërbejnë momentit nuk janë reforma por nji makijazh i parandësishëm.

Përsa i përket alarmit të USAID-it për korrupsionin, ai asht i drejtë dhe vjen në nji moment kritik. Por asht objektivisht e vështirë me thanë se korrupsioni tash 3 vjet asht ulë apo rritë.

Si ulja ashtu edhe rritja e korrupsionit qysh në 2005 asht e papërfillshme dhe kjo e ban kritike gjendjen.

E gjithë lufta në fushën e drejtësisë asht kufizue për 2 vjet rresht në fushatën ndaj kryeprokurorit e asgja ma shumë.

E keqja ma e madhe asht se shumica e atyne që mbulojnë role institucionale apo kanë detyra që mund të shpërdorohen tue fitue në mënyrë të paligjshme prej tyne, trajtojnë si nji të "keqe" të justifikueshme aktet e korrupsionit në të cilat janë të implikuem vazhdimisht. Ata veprojnë si të ishin vu aty për me shpërnda timare, zijamete, spahilleqe e prona mirí e jo për me administrue ato pak të mira që zotnon populli e shteti shqiptar.

Historiani latin Taciti, shkruente tek «Germania» e tij se ma së shumti koha dekadente në të cilën jetojmë na shtyn me korruptue dhe me u korruptue prej të tjerëve (corrumpere et corrumpi in saeculum vocatur).

Ai që korrupton dhe ai që korruptohet janë kambët e së njejtës urë të turpshme që hidhet mes humnerës që ndan ligjin prej paligjshmënisë.

Sigurisht ne na ban përshtypje nji mjek i korruptuem që nuk e prek me dorë pacientin në qoftë se ky apo të afërmit e tij nuk e paguejnë paraprakisht. Na ban përshtypje nji gjyqtar akrobat që liron prej burgut nji kriminel, nji profesor që merr pare nën dorë për me pajisë gomarin e rradhës me nji copë letër pa vlerë, nji funksionar shteti që damton bashkësinë tue fitue prej detyrës që mbulon, nji doganier që si brejtës i pangimë vjedh pasuninë e shtetit, nji politikan që kapardiset me paret që i ka grabit qytetarëve.

Po çka bajmë ne konkretisht kundër këtyne ushujzave?

Nuk kemi shpresa se mbrenda nji kohe tepër të shkurtë sistemi ynë gjyqsor do të mund t'i vejë me shpatulla për mur gjithë këta dallkaukë, por së paku shoqnia civile nji gja mund ta bajë: mund t'i dënojë me armën e përbuzjes dhe të veçimit të gjithë ata që shëmtojnë shoqninë dhe shtetin shqiptar.

Otto von Bismarck thonte se edhe me ligje të brishta mund ta drejtonte nji shtet, mjaft që të kishte funksionarë të zotë dhe të ndershëm. Ne s'mund të ankohemi për si janë shkrue në letër ligjet e shtetit tonë, e sa për funksionarët ata ma së shumti janë moralisht krejt larg nivelit të detyrave që mbulojnë.

Ryshfeti, bakshishi, abuzimi me prerogativat që rrjedhin prej nji zyre publike, korruptimi në administrimin e drejtësisë, përfitimi nga aktet në kundërshtim me nji detyrë publike... të gjitha këto janë shenja të degradimit të nji shoqnie civile dhe e largojnë atë prej botës së qytetnueme dhe prej progresit.

Vetë termat e shumë prej këtyne "mëkateve" janë orientale dhe shfaqin mbetjet helmuese të nji mendësie të mbrapambetun me të cilën kemi pasë të bajmë për disa shekuj.

Ende nuk jemi lirue prej peshës së asaj mendësie që nuk na lejon me shkue drejt Europës por na tërheq me tentakulat e pafundme që mbysin të tashmen, shpresat e së ardhmes dhe çdo andërr për me u çlirue prej asaj bote të ndytë e të pamoralshme.

Çka bajnë politikanët tanë sot? Grinden për interesat e tyne meskine, për caktimin e kolegjeve zgjedhore, për ruejtjen e privilegjeve, për ndamjen e përfitimeve të paligjshme.

Shumica e tyne, tue pa rolin që kanë luejt deri tashti në jetën e Shqipnisë, nuk janë tjetër veçse forma njerzore të gazta. Disa përfaqsojnë gazna helmues, disa të tjerë gazna lotsjellës e disa gazna ndotës.

Deri kur të kemi këtë nivel korrupsioni në shoqninë shqiptare, frymëmarrja jonë do të jetë shumë e vështirë, ajri do të jetë i vorfën në oksigjen dhe i ngopun me helme.

Transparency International në raportin e vet të dhjetorit 2007 e vendoste Shqipninë në rradhën e parë të vendeve me nivel ma të naltë korrupsionit përkrah Kamboxhës, Kamerunit, Maqedonisë, Kosovës, Nigerisë, Pakistanit, Rumanisë dhe Senegalit (shih: Global Corruption Barometer 2007).

Korrupsioni asht plaga prej së cilës po vdes përditë Shqipnia, ata që e mohojnë ketë gja dhe ata që s'duen me e pa janë shkaktarët e tij të drejtpërdrejt e ne nuk mund të presim që ata të akuzojnë vetveten.

Vendin tonë mund ta nxjerrin prej gjendjes së sotme vetëm nji mobilizim i përgjithshëm i shoqnisë civile, të korruptuemit duhen denoncue në shtyp, në tv, në polici, në gjykata, në partitë ku bajnë pjesë... ata janë votra e infeksionit që e mban vendin tonë në gjunj. Prej tyne duhet të ruhen të gjithë, pse korrupsioni asht sëmundja ngjitëse ma e rrezikshme që ekziston sot në Shqipni e vetëm të sëmurët randë nuk e ndiejnë rrezikun e saj vdekjeprusë.

*Ardian Ndreca drejton Institutin e Studimeve të Ateizmit dhe është profesor i Filozofisë Moderne pranë Universitetit Urbaniana në Romë. Është gjithashtu profesor i ftuar pranë John Carrol Universit (Cleveland).

Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal: "Kur lufta ndaj korrupsionit, nga kryefjalë, kthehet në nji lidhëz"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›