Modeli Dushkar "Lepe-peqe!"
Politika ka hedhur këto ditë në tryezën e debatit, çështjen e kufizimit apo heqjes së imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Në pamje të parë, ky frymëzim i ri duket mjaft parimor. Megjithatë, ashtu siç ndodh shpesh në këto sfera, sa edhe në organet qeverisëse e në organin më të lartë të zgjedhur me votën e qytetarëve, debati dhe show lënë shumë për të dyshuar. Është e njohur maksima e Xhorxh Oruell: "Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat".
Çfarë ndodhi, bie fjala, me "dosjen" Gërdeci? Duket se edhe këtu ka një frymëzim për ta sfumuar atë, për ta mbyllur. Në ditët që çështja ishte e nxehtë, deputetët u angazhuan disi në njëlloj debati, që megjithatë prodhoi zhurmë, por kurrfarë zgjidhjeje. Me kohë, gjakrat u ftohën, gjëma u harrua; filloi atëherë rrumbullakosja e gjërave. Puna shkoi deri aty, sa ndonjë deputet (gjoja) i djathtë e cilësoi ngjarjen si një shpërthim në një "depo private"(!) Përpara dy javësh, nga organi i Prokurorisë iu kërkua Kuvendit heqja e imunitetit të ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit Fatmir Mediu. Çuditërisht, anëtarët e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u shprehën se dosja ishte e cekët, e paplotë. Pas dy javësh, kur në zyrat e Kuvendit mbërriti një material më i plotë, të njëjtët deputetë konkluduan se dosja ishte... voluminoze. Kjo është kaq qesharake! Kaq cinike në të njëjtën kohë! Njerëz të mësuar me sofizma, të përzgjedhurit tanë mund të thonë se duhen respektuar normat, rregullat, ligjet. Por kur ua do puna, po këto komisione (dhe jo vetëm këto) i përgatisin vendimet dhe firmosin dokumentet më serioze të legjislativit a të shtetit në pikë të natës, madje edhe pa u gdhirë dita e pa u çelur zyrat. (Dekreti për shkarkimin e ish-Kryeprokurorit.) Nuk është harruar nga opinioni publik fakti që Kuvendi i Shqipërisë e kaloi me procedurë të përshpejtuar dhe me një kuorum qesharak ligjin që ngarkonte subjektet private të tregtonin armë, sikundër vendimin fatal për të përcaktuar Gërdecin si vendin ku do të çmontoheshin fishekë, (që në të vërtetë u bë edhe pikënisje e njërit prej trafiqeve të shumtë të armëve që ky vend dhe subjekte a individë të pandëshkuar të këtij vendi kanë kryer në vite). Publiku shqiptar nuk ka harruar gjithashtu se si institucioni ligjevënës kaloi me vetëm 53 vota (a ka gjë më qesharake) Ligjin për Legalizimet. Kur vjen puna për të përmbushur përgjegjësitë në lidhje me atë çka ndodhi në Gërdec, nën hundët edhe të deputetëve sqimatarë, ky Kuvend dhe komisionet e tij kërkojnë qiqra në hell; madje japin edhe leksione se si duhet të bëhet kërkesa për heqjen e imunitetit(!) (Mirë që s'thanë se nuk gjendej dosja a shkresa, siç kanë pretenduar përpara ca muajsh, në një rast tjetër të turpshëm.)
Tamam në këtë situatë, merr flakë edhe debati për imunitetin. Një rastësi e shpikur dhe që nuk bën gjë tjetër, përveçse shtyn dhe vetëm shtyn tutje, në harresë, në asgjë, atë çka ndodhi tek ajo "depoja private". Mirëpo nuk ishin dhe nuk janë deputetët, ministrat, as të afërmit e tyre, ata që u masakruan në Gërdec dhe as ata që mbetën nën qiell të hapur; ishin dhe janë të tjerë njerëz. Ndryshimi është për faj të tyre. Në librin e njohur "Praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit" thuhet: "Imuniteti politik nuk duhet lejuar kurrë të bëhet mosndëshkim total". (Faqe 54) E keqja e diskutimit të tanishëm, qëndron pikërisht në sigurinë e mosndëshkimit. Për të gjithë qytetarët e këtij vendi, tashmë është bërë e qartë se shumë nga zyrtarët e lartë dhe vetë institucionet që do të duhej të përfaqësonin vullnetin dhe kërkesat e tyre jetike, janë tepër larg këtij formati. E megjithatë mbijetesa e tyre ka qenë dhe mbetet e garantuar. Madje edhe pasi gënjejnë, abuzojnë me paratë e taksapaguesve, çojnë në ferr jetë të tëra e pasuri gjithaq për shkak të veprimeve apo mosveprimeve të tyre. Na e ka fajin Prokuroria. Nuk e ka qëndisur mirë atë dosjen... Këta janë me të vërtetë të paparë. Tani, bie fjala, kanë filluar t'i nxjerrin të palarat njëri-tjetrit edhe duke lënë të kuptohet se ndoca mund të kenë hyrë në qeveri e Kuvend me diploma të dyshimta(!) Kjo është një tjetër shprehje e mungesës së seriozitetit të asaj çka quhet politikë dhe përfaqësim interesash qytetare. Droja se edhe përmes diskutimit të sotëm për imunitetin, ata prapë duan të fshehin diçka, vjen nga përvoja e hidhur e shtatëmbëdhjetë viteve plot imunitet e gënjeshtra. Publiku shqiptar ka parë lëvizjet pa sens, shitjet dhe blerjet e votave e të grupeve parlamentare; vetëm në dy vitet e fundit, ka patur kaq shumë "shfaqje me kukulla", sa që nuk kupton se si vendin tënd e drejtojnë këso njerëz të rastësishëm dhe të varfër moralisht. Sot shumica e qytetarëve ndjehen të motivuar për të përkrahur ata që mendojnë dhe e përfytyrojnë ndryshe këtë tempull të ligjit. Me të drejtë.
Le të lidhim tani argumentet ca më mirë dhe të mos tregohemi "të pakujdesshëm... si Prokuroria". Shumë prej lëvizjeve dhe nismave që janë zhvilluar herë pas here brendapërbrenda Kuvendit, përgjithësisht janë dukur të turbullta. Ajo që mund të quhet e kthjellët, ka të bëjë vetëm me mbajtjen peng nga e shkuara; imuniteti i shumicës së deputetëve e zyrtarëve të lartë, është pikërisht imuniteti i së shkuarës. Është fjala për një model sjelljeje dhe qeverisjeje me vjetërsira dhe në emër të vjetërsirave. Ky model sjelljeje, i referohet sa prirjeve vetjake, aq edhe interesave të (pa)qarta. Imuniteti i së shkuarës, që midis të tjerave mund të përkthehet sot si modeli "Lepe/Peqe!", është një element i sistemit komunist, (jo në gjithçka të përmbysur). E shkuara sendëzohet mandej në figura; kukulla apo shefa qofshin. Institucionet që do të duhej të inkurajonin zhvillimin dhe demokracinë, përndryshe vetë politikën, mes tyre edhe qeveria e Kuvendi, janë mbërthyer fort dhe nuk lëshohen kurrsesi (midis të tjerave edhe) prej mtonjësve që vijnë nga kohërat e vjetra. Kështu, ngritja e kartonëve pa zemër, pa bindje, përkundrazi me urdhër - bie fjala për pronat, për Gërdecin, pse jo edhe për problemet e Kushtetutës, etj. - na rrëfen pikërisht këtë gjë; që nuk jemi ndarë nga komunizmi. Dhe problemi shtrohet si të ndahemi e të distancohemi jo vetëm nga komunizmi historik, por edhe nga "vazhduesit" e tij në ditët tona dhe në përgjithësi nga modeli "Lepe/Peqe!". Deputeti, politikani a ministri, që dinë vetëm "Lepe/Peqe!", nuk i duhet më qytetarëve të këtij vendi. Këtij soj deputeti, politikani, ministri, nuk i takon dhe nuk i vlen imuniteti. Ai është i koracuar nga servilizmi dhe gjithëbindja e tij, së paku deri në momentin që shefi apo shefat kanë interes prej tij. Por një deputeti, politikani, ministri me dinjitet, që mendon (edhe) me kokën e tij, imuniteti i duhet pa një pa dy. Imuniteti mund të shërbejë si mburojë kundër ndjekjeve penale, keqdashëse dhe për arsye politike. ("Praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit", faqe 50.) Në këtë sens, parimi demokratik i mbrojtjes së figurave të larta shtetërore, deputetëve, ministrave, gjykatësve, etj., nuk mund të merret përpara, sikur të ishim në një revolucion proletar; ajo çka do të duhej flakur, ka të bëjë më së shumti me mungesën e dinjitetit politik. Pikërisht kjo i mungon diskutimit të sotëm për imunitetin, që më shumë se diskutim, është një lojë, si shumë të tjera.