PR kundër Berishës: Po shkelet marrëveshja
Republikani Sabri Godo ka kërkuar që PD të marrë masa ndaj qëndrimeve të disa deputetëve, në të kundërt, do shohin pozicionin në koalicion
TIRANË- Pas 3 vjet qeverisjeje, Partia Demokratike ka raportet më të vështira me partitë aleate. Deputetët demokratë po shkarkojnë të emëruarit lokalë të partive të vogla, ndërsa situata është problematike edhe në qendër, për shkak të përfaqësimit në qeverisje. Kjo përplasje brenda maxhorancës ndodh vetëm një vit para se vendi të hyjë zyrtarisht në zgjedhjet parlamentare. Republikanët e demokristianët, dy partitë e djathta që pretendohet se kanë përfaqësimin më të madh në Kuvend pas PD-së, po kalojnë raportet më kritike me PD-në. Kështu, pas demokristianëve, janë republikanët ata që ankohen se ka filluar një fushatë shkarkimesh ndaj njerëzve të tyre, nga disa deputetë të Partisë Demokratike."Ajo që përbën shqetësim për ne, është se disa individë në PD duket sikur në vend që të ecim drejt bashkëpunimit me PR, shkojnë në të kundërtën e saj dhe mbase kanë edhe tendencë ta mënjanojnë disi nga koalicioni. Në 6 maj është pushuar pa asnjë arsye Pajtim Driza, drejtori i Shërbimit Shëndetësor në Qarkun e Dibrës, pa i thënë asnjë motiv. Unë pashë edhe urdhrin e Ministrit, thotë vetëm që shkarkohet. Duke insistuar edhe më tej, na thonë se kjo është një kërkesë e deputetit të PD-së, ashtu si na thonë se është kërkesë e deputetit të PD-së në Kukës, një kërkesë këmbëngulëse për të shkarkuar Drejtorin e Bujqësisë së Qarkut, që i përket PR-së",- tha dje Presidenti i Asamblesë Republikane, Sabri Godo. Pikërisht për këtë arsye, republikanët i kërkojnë Partisë Demokratike që të zbatoje marrëveshjen e nënshkruar mes dy partive. "Ankimi im shkon në dy drejtime, e para, se PD asnjëherë nuk e çoi deri në fund zotimin e saj në bazë të marrëveshjes që bëmë pas zgjedhjeve për ndarjen e posteve, jo vetëm në nivel qeveritar, por edhe në administratën lokale. Jo vetëm këtë, por fillon edhe largimi i njerëzve në mënyrë të pamotivuar. Nuk ndihemi mirë duke marrë sinjale të tilla, që nuk flasin për një bashkëpunim të mëtejshëm brenda koalicionit, por për disa nxitje që vijnë nga individë të ndryshëm që veprojnë me iniciativën e tyre",- tha ai. Republikani Godo ka kërkuar që PD të mbajë qëndrim, pasi, sipas tij, nuk mundet që "disa deputetë të sillen si guvernatorë në zonat ku janë zgjedhur, duke emëruar dhe shkarkuar atë që duan ata". Ai ka kujtuar se Partia Demokratike duhet të përgjigjet edhe për një post ministror ndaj PR-së, kur Berisha të vendose për ribërjen e qeverisë. Në të kundërt, Godo paralajmëron se edhe PR do të shikojë pozicionin e saj në raport me koalicionin. "Do veprojmë sipas ecurisë së gjërave. Në qoftë se do thellohen më tej këto gjëra, do shikojmë edhe ne punën tonë",- shtoi ai.