Rinovimi i sheshit "Skënderbej", qeveria e shet si përpjekje të saj
Reagon Bashkia: Arritja e marrëveshjes, produkt i përpjekjeve të Bashkisë
TIRANË- Rinovimi i Sheshit "Skënderbej" dhe restaurimi i Xhamisë së Ethem Beut në qendër të Tiranës është bërë edhe një herë shkak për shfaqjen e konfliktit të vjetër pushtet qendror-pushtet vendor. Kur marrëveshja ka më shumë se 1 muaj që ka filluar të zbatohet dhe kur është shpallur dhe projekti fitues, Këshilli i Ministrave në mënyrë formale ka miratuar dje projektligjin për ratifikimin e saj. Ndërkohë që kryeministri Sali Berisha, po gjatë mbledhjes së djeshme të kabinetit, nuk ka ngurruar ta "shesë" këtë marrëveshje si një sukses të padiskutueshëm të qeverisë së tij. "Sot (dje) miratojmë marrëveshjen me të cilën ramë dakord me Kryeministrin e Kuvajtit, për të ndihmuar në rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej", - u shpreh kryeministri Sali Berisha në fjalën e vet. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës, si Agjencia e Zbatuese e kësaj marrëveshjeje për palën shqiptare, e cila ka akuzuar kryeministrin Berisha si përvetësues të sukseseve së pushtetit vendor në përgjithësi dhe Bashkisë së Tiranës në veçanti. Nënkryetari i saj, Eduart Shalsi, në një reagim për mediat, ka bërë të ditur se arritja e kësaj marrëveshje me qeverinë kuvajtiane është produkt i përpjekjeve të vazhdueshme Bashkisë së Tiranës për të ndryshuar qendrën e qytetit dhe e ndihmës së Emirit të Kuvajtit. "Ndoqëm përpjekjen e Kryeministrit të vendit për t'u treguar qytetarëve shqiptarë si një vepër të qeverisë, punën e Bashkisë për transformimin e Sheshit "Skënderbej" me ndihmën bujare të Emirit të Shtetit të Kuvajtit. Nuk është hera e parë që Kryeministri i tregon punët e Bashkisë së Tiranës, si punë të qeverisë së tij, por ky nuk është problemi ynë, sepse është e rëndësishme që Bashkia jonë t'i bëjë realitet punët në shërbim të qytetarëve, të cilët e dinë fare mirë se cila palë di të punojë me llafe, e cila palë di të flasë me punë", - u shpreh Shalsi. Ndërkohë vlen të përmendet fakti se për finalizimin e kësaj marrëveshjeje, kryetari i bashkisë së Tiranës para afro dy muajsh zhvilloi dhe një vizitë të posaçme në Kuvajt, ku dhe u takua me drejtuesit më të lartë të shtetit islamik. Qëllimi i kësaj marrëveshje, është zgjerimi i kuadrit të bashkëpunimit për të financuar nëpërmjet një granti zbatimin e projektit për rinovimin e sheshit "Skënderbej" dhe për rikonstruksionin e Xhamisë së Et`hem Beut. Shuma e grantit që Al Emri i shtetit të Kuvajtit i ka akorduar shtetit shqiptar për financimin e projektit është 5 milion euro, nga të cilat, 500 mijë janë programuar për hartuesin e projekt-skicës dhe 4.5 milion për zbatimin e saj në terren. Konkursi ndërkombëtar i organizuar nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me të dërguarin e Emirit të Kuvajtit më 10 prill, shpalli fitues studion belge "51N4E".
F.Braushi