E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta për titull dhe ekzistencë shumë e paqartë

Nga Ejup LLUMNICA
Stinori pranveror i Superligës së Kosovës në futboll, i cili gjithsesi është duke u pritur me kureshtje nga Federata e Futbollit e Kosovës, është marrë vendim që të fillojë më 10 mars. Duhet theksuar se shumë skuadra janë përforcuar deh sipas kësaj pritet se kjo periudhë do të sjellë futboll shumë më cilësor. Prishtina është skuadra që kaptinën e parë e ka përfunduar në vendin e parë, dhe stinorin pranveror do të luftojë për ta mbrojtur këtë pozitë, mirëpo do të jenë Besa e Trepca'89, të cilat deri në momentin e fundit do të rrezikojnë këtë gjë, pasi që janë skuadra shumë mirë të organizuar, e sidomos mitrovicasit, të cilat këtë stinor janë përforcuar dukshëm. Gjithsesi, edhe lufta për ekzistencë do të jetë shumë e madhe. Kosova e Prishtinës është ajo që, sipas të gjitha gjasave, do të përshëndetet nga garat elite, pasi që kushtet financiare i kanë shumë të dobëta, gjë që ka bërë që ajo në stinorin pranveror të hyjë edhe më e dobët, duke mos arritur që së paku t'i ruajë futbollistët e saj. Skuadrat e tjera të rrezikuara, Vëllaznimi, Drenica, KEK-u dhe Hysi, kanë bërë investime në përbërjet e tyre, krejt këtë për ta siguruar ekzistencën. Gjakovarët janë ata që kanë befasuar me përforcimet, të cilët përvec se kanë mbledhur futbollistë shumë cilësorë kosovarë, kanë angazhuar edhe futbollistë të huaj. Edhe Hysi, gjithashtu, ka siguruar shërbimet e disa futbollistëve mjaft të mirë. Vlen të theksohet angazhimi i Faruk Statovcit dhe Driton Vokshit, të cilët do ta bëjnë këtë skuadër shumë më të sigurt, andaj edhe ekzistenca për ta mund të sigurohet. Përvec garave kampionale, duhet theksuar se këtë vit edhe lufta për Kupën e Kosovës do të jetë shumë më interesante. Flamurtari dhe Besa njihen si skuadrat kryesore për ta arritur këtë trofe. Mirëpo, nëse bazohemi në atë se në këto gara gjithmonë ka pasur befasi, andaj më të drejtë pritet që edhe këtë vit mund të ndodhë një gjë e tillë. Organizatorët e futbollit (FFK) kanë paraparë që në këtë datë (10 mars) të fillojë edhe stinori pranveror për juniorë të Superligës dhe të Ligës së Parë. Ndërkaq, Liga e Parë për seniorë, ndeshjet e para do t'i zhvillojë një javë më vonë, më 17 mars 2007. Cerekfinalet e kupës së Kosovës në futboll do të zhvillohen më 28 mars 2007.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›