E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajnerët, ja milionerët e pankinave të mëdha të Evropës

Trajneri i Celsit, Jose Mourinjo është tekniku më i paguar në botë. Sipas të përditshmes italiane "Gazzetta dello sport", portugezi merr rreth 7,5 milionë euro në sezon tek blutë e Londrës, duke lënë pas edhe sër Aleks Ferguson. Ky i fundit përfiton 6,3 milionë euro nën drejtimin e Mancester Junajtid. Por në treshen me podit një i papunë, Sven Goran Erikson mban "medaljen e bronztë". Ish-trajneri i kombëtares angleze gjatë botërorit "Gjermani 2006" është paguar rreth 5,8 milionë euro nga Federata Angleze e Futbollit.
Mourinjo ngriti shumë kuotat e tij gjatë kohës kur drejtonte Porton në Portugali. Asokohe ai arrinte të eliminonte Mancester Junajtid në cerekfinalet e Kupës së Kampioneve madje edhe duke e fituar këtë të fundit ndaj Monakos së Didier Deshamp. Pas daljes në skenë të mandatit rus, Roman Abramovic, Mourinjo mori në dorë pankinën e Celsit duke i dhënë londinezëve dy tituj kampionë rresht.
Në dhjetëshen e pasanikëve të pankinave janë edhe katër italianë (Fabio Kapello i Real Madridit, Klaudio Ranieri, ish-tekniku i Valencias, Roberto Mancini i Interit dhe Karlo Anceloti, trajneri i Milanit), të cilët kanë lënë pas spanjollin e Liverpulit, Rafael Benitez. Mes më të mirëve janë edhe francezi i Arsenalit Arsen Venger dhe tekniku i porsa kthyer tek Bajern Mynih (dy javë më parë), Otmar Hitzfeld.

1. Jose Mourinjo (Celsi) 7,5 milionë euro/sezon
2. Aleks Ferguson (Mancester) 6,3 milionë euro/sezon
3. Sven Goran Erikson (Ish-Angli) 5,8 milionë euro/sezon
4. Arsen Venger (Arsenal) 4,4 milionë euro/sezon
5. Otmar Hitzfeld (Bajern Mynih) 3,3 milionë euro/sezon
6. Fabio Kapelo (Real Madrid) 3,2 milionë euro/sezon
7. Roberto Mancini (Inter) 3 milionë/sezon
8. Klaudio Ranieri (ish-Valencia) 2,9 milionë/sezon
9. Karlo Anceloti (Milan) 2,8 milionë euro/sezon
10. Rafa Benitez (Liverpul) 2,6 milionë euro/sezon

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›