Apolonia humbet 4 brazilianët, u ka skaduar leje-qëndrimi

Albania-Sport - Përvec faktit që po lufton për mbijetesë në Kategorinë Superiore, Apolonia ka marrë dje një tjetër goditje, pasi futbollistët e saj janë marrë të martën pasdite nga forcat policore të Qarkut të Fierit dhe janë cuar në aeroportin e Rinasit në kryeqytet, për t'u nisur drejt Brazilit. Katër brazilianët e Apolonisë janë Rosha, Da Silva, Zheraldinjo dhe Pinto, të cilëve, sipas autoriteteve policore, u ka skaduar leja e qëndrimit në vendin tonë.
E gjithë kjo ka ndodhur sot pasdite, në kohën kur skuadra e drejtuar nga trajneri Andrea Marko po zhvillonte stërvitjen e saj, uniformat blu kanë ndërprerë stërvitjen, duke marrë me vete katër lojtarët latinoamerikanë, për t'i shoqëruar ata në Aeroportin "Nënë Tereza", ku ata ndodhen ende dhe ku ka të ngjarë që të kalojnë natën, për shkak se nuk ka fluturime në këtë aeroport pas ores 23:00. "Brazilianët nuk kanë patur leje qëndrimi ose iu ka skaduar ajo", - ka qenë përgjigja e dhënë nga Qarku i Policisë së Fierit. Në fakt, nuk është hera e parë që futbollistët e huaj bëhen protagonistë të shkeljes së afateve për leje-qëndrimi në vendin tonë, por ky veprim i policisë ka qenë i pari i këtij lloji deri më tani.
Natyrisht, ky veprim ka alarmuar drejtuesit e klubit të Apolonisë, të cilët, përmes një konference për shtyp, të zhvilluar mbrëmë vonë në "Hotel Tirana", me anë të zv/presidentit, Endri Puka e kanë quajtur një sulm politik ndaj kompanisë "2K", atë që ka ndodhur. "Ata janë regjistruar normalisht që në datën 20 janar të 2007-ës dhe ne i kemi dërguar pasaportat e tyre në polici, sipas rregullores. Kjo që po na bëhet është një sulm politik i Ministrisë së Brendëshme, ndaj kompanisë "2K", ka thënë Puka, ndër të tjera, në konferencën për shtyp.