Lufta për tregjet në Ballkan?
Nexhmedin SPAHIU
Vrojtuesit të kujdesshëm do t’i ketë renë në sy se gjatë këtij mandati të kryeministërllëkut të Sali Berishës politika ndaj Greqisë ka qenë tejet e moderuar. Kjo, për arsyen se Berisha nuk deshi që në asnjë moment t’u japë shkas grekëve për acarim marrëdhëniesh. Në fakt, mllefi grek qëndroi pezull jo nga ndonjë arsye historike, po nga fakti që ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës rrezikon interesat e saj. Shqipëria është që 18 vite treg grek dhe vetëm italianët i kishin konkurrentë në tregun shqiptar. Në anën tjetër, Serbia përkundër faktit që kjo autostradë ia bën hisedare Shqipërinë në tregun e Kosovës, të cilin Serbia akoma e dominon, nuk duket fare nervoze. Arsyeja është e thjeshtë: vërtet, Shqipëria përmes autostradës po i hyn në hise Serbisë në tregun e Kosovës, po edhe Serbia përmes kësaj autostrade futet në tregun e Shqipërisë. Kështu, Serbia për aq sa humb tregun e Kosovës, e fiton atë të Shqipërisë. Greqia ka arsye të jetë nervoze pasi që tani në tregun shqiptar jo vetëm që i bëhet hisedare edhe Serbia, por edhe vetë Shqipëria përmes kësaj autostrade, duke e fituar një treg siç është ai i Kosovës, kalon ngadalë nga një shoqëri konsumuese mallrash e vlerash në një shoqëri prodhuese e tyre.
Natyrisht, Greqia nuk mund të reagojë në këtë pa shkas, e Sali Berisha arriti që me sukses t’i shmanget këtij konflikti. Eksponentët e interesave greke në Shqipëri reagojnë në mënyra të ndryshme kundër autostradës Durrës-Kukës. I vetmi arsyetim që mund ta kapërdijë publiku është kostoja financiare e kësaj autostrade. Por, për dobinë e kësaj autostrade, d.m.th. se ia ka vlejtur barra qiranë, publiku shqiptar do të bindet së shpejti, hiç më larg se brenda vitit. Për ironi të fatit, Greqinë e pret edhe një gjë tjetër jo e këndshme: sapo publiku shqiptar të bindet për dobinë që ka sjellë autostrada Durrës-Kukës, do të fillojë autostradën Tiranë-Dibër. Përmes kësaj, Shqipëria i bëhet hisedare Greqisë dhe Serbisë në tregun maqedonas, për të cilin treg Greqia po lufton me ngulm të mbajë dominimin që 20 vite.
Ajo çfarë vlen të analizohet me rastin e autostradës Durrës-Kukës, është efekti i saj brendakombëtar (brenda Shqipërisë). Paragjykohet se ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës favorizon Veriun e Shqipërisë, gjë që është pjesërisht e vërtetë. Në fakt, autostrada Durrës-Kukës i krijon shanse më të mëdha avantazhi Jugut të Shqipërisë. Jugu i Shqipërisë, i cili ka qenë më i zhvilluar gjatë sundimit komunist, në 20 vitet e post-komunizmit, kjo diferencë në zhvillim u rrit edhe më shumë, edhe falë faktit që ishte më afër Greqisë, me të çilen u zhvilluan marrëdhëniet ekonomike. Tani, Jugu i Shqipërisë është shumë më afër të jetë komunitet prodhues (si komunitet më i zhvilluar) sesa Veriu i Shqipërisë dhe së këndejmi tregu i Kosovës për të është më i shfrytëzueshëm sesa për Veriun e Shqipërisë, të cilit do t’i duhet kohë për t’u zhvilluar dhe për të shfrytëzuar tregun e Kosovës.
Sa i përket Kosovës, e cila naivisht i gëzohet kësaj autostrade më shumë se askush tjetër, ka shumë më pak dobi nga kjo autostradë se Shqipëria, Italia e Serbia, sepse Kosova është larg të qenit shoqëri prodhuese. Dobia e kosovarëve është se tani, kur të shkojnë në det, do të harxhojnë më pak kohë dhe benzinë. Dobia tjetër për Kosovën është fakti që Shqipëria dhe Italia i bëhen konkurrente më të denja Serbisë në tregun e Kosovës dhe kësisoj, mbi Kosovën do të peshojë më pak presioni politik i Serbisë. Natyrisht, Kosova mund të përfitojë për veten e vet vetëm atëherë kur të ndërtojë autostradat e veta. Këtë mund ta bëjë vetëm atëherë kur do të shmangë rrezikun e ndarjes së saj në dy etnitete si në Bosnje. Bosnjizimi i Kosovës paraqitet si interes i Serbisë vetëm e vetëm Kosova të mbetet treg i Serbisë, ashtu siç ka mbetur Bosnja tash e 15 vite.