Kavajë, Topalli: Fitorja jonë, në të gjithë Shqipërinë
Fitorja e PD-së me 28 qershor, do të përfshijë të gjithë Shqipërinë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi turin e saj në qytetin e Kavajës, ku mes mijëra grave dhe të rinjve, ajo ka lëshuar akuza ndaj kreut të PS-së, Edi Rama. Topalli tha se Rama nuk do të mund të prishë zgjedhjet. “Fitorja do të jetë në të gjithë Shqipërinë si në ‘92-shin. Edvini ta harrojë se mund të prishë zgjedhjet”, - tha kryetarja e Kuvendit. Përpara qytetarëve të Kavajës, të parët që u ngritën kundër sistemit komunist, Topalli tha se qeveria “Berisha” u ktheu atyre besimin e humbur. Ajo tha se në këto katër vite, jo vetëm Kavaja, por i gjithë vendi u ndryshua. Sipas Topallit, ishte lideri Berisha që solli këtë transformim për vendin. “Më besoni mua, reformat që janë udhëhequr nga Sali Berisha, janë reformat që mund të realizoheshin vetëm nga një vizionar. Po ato reforma duhet të votoheshin në Parlament. Sa herë që kishim reforma për të rritur rrogat, ata votonin kundër; sa herë që kishim reforma për të nënshkruar MSA-në, ata u binin bilbilave; sa herë kishim reformat për të votuar buxhetin shtesë, ata bojkotonin Parlamentin; sa herë që vinte dhe afrohej dita për të marrë ftesën për NATO, ata protestonin në shesh”, - deklaroi Topalli. Por ajo u ndal gjerësisht në premtimet e katër viteve në vijim. “Projektet e zhvillimit në 4-vjeçarin tjetër janë po aq ambicioze, sa kanë qenë këto që ne kemi realizuar gjatë kësaj periudhe. Nga të gjitha premtimet e programit të Partisë Demokratike nuk ka një premtim që nuk është mbajtur. Katërvjeçari i ardhshëm do të jetë një katërvjeçar i jashtëzakonshëm, i sfidave dhe ambicieve të mëdha për Shqipërinë, i mundësisë së liberalizimit të vizave, i rritjes së mëtejshme ekonomike, do të jetë një katërvjeçar ku ne do të vazhdojmë të rrisim rrogat, një katërvjeçar tjetër i suksesshëm, ku do të vazhdojmë të rrisim pensionet e mbi të gjitha vëmendja do të përqendrohet tek ata që kanë më shumë nevojë, tek ata që kanë më pak mundësi dhe mbi të gjitha ajo që ne synojmë është rinia: më shumë bursa, më shumë shkolla, më shumë punësim”, - premtoi Topalli. Në fund të fjalës së saj, Topalli kërkoi nga nënat e Kavajës, por jo vetëm, që në 28 qershor të votojnë për ndryshimin e vendit si dhe për alternativën e vetme që ka ky vend. “Ne dhamë premtimin e ndryshimit dhe sot, pas 4 vjetësh, mund të themi me plot gojën se Shqipëria po ndryshon. Gratë kërkojnë vazhdimin e ndryshimit për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Unë kam ardhur këtu për të marrë ftesën e çdo gruaje, e çdo zonje, e çdo nënë, e çdo vajze, e çdo mjekeje, e çdo ekonomisteje, e çdo nëne të mirë që i është përkushtuar familjes, kombit dhe vendit”, - tha Topalli.