E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djemtë e Mehmet Shehut kërkojnë dëmshpërblim për përndjekjen e familjes



Emri i Mehmet Shehut ka dalë sërish në skenë në Gjykatën e Tiranës. Dy djemtë e tij, Skënder e Bashkim Shehu, kërkojnë të shpallen trashëgimtarë ligjorë të prindërve të tyre, Mehmet e Fiqret Shehut, së bashku me dy fëmijët e vëllait të tyre të vrarë, Vladimir Shehu. Përmes dëshmisë së trashëgimisë, djemtë e ish-kryeministrit të vetëvrarë gjatë regjimit të Enver Hoxhës, Mehmet Shehu, kërkojnë të përfitojnë dëmshpërblimin që pretendojnë se u takon për përndjekjen e nënës së tyre Fiqret, burgosjen e saj dhe vdekjen në qelitë e burgut, por edhe përndjekjen që u është bërë edhe vetë atyre pas vdekjes së të atit. Kjo dëshmi, sipas burimeve, u duhet trashëgimtarëve Shehu për ta dorëzuar në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë, ku grumbullohen dokumentet për përfitim dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit politikë. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se kërkesa është depozituar dje në Gjykatën e Tiranës dhe sot pritet t’i nënshtrohet procedurës së shortit elektronik, i cili do të caktojë gjyqtarin që do shqyrtojë këtë kërkesë të trashëgimtarëve të ligjshëm të Fiqret Shehut. Kërkesa për lëshim trashëgimie bëhet pasi Skënder e Bashkim Shehut dhe dy mbesave të tyre u ka rezultuar se Fiqret Shehu, edhe 11 vite pas vdekjes nuk rezultonte e çregjistruar nga regjistrat e gjendjes civile. Madje, vërtetimi i vdekjes së saj u ka hapur disa ditë punë deri në grumbullimin e fakteve për vdekjen e saj.

Kërkesa

Kërkesa është përgatitur nga njëri prej djemve të Mehmet Shehut, Skënderi, i cili kërkon lëshimin e trashëgimisë ligjore për të ndjerët prindër të tyre, Mehmet e Fiqret Shehu. Sipas kërkesës së depozituar dje në Gjykatën e Tiranës, kërkuesi Skënder Shehu deklaron se nga aktet e lëshuara nga Zyra e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake nr.4, vërtetohet se më 18.12.1981 ka vdekur babai i tij Mehmet Shehu, i cili si të vetmit trashëgimtarë ligjorë të radhës së parë ka lënë nënën e tyre, Fiqret dhe tre djemtë Vladimir, Skënder dhe Bashkim. Në vitin 1982 ka vdekur vëllai i tyre i madh, Vladimiri, i cili si të vetmit trashëgimtarë të radhës së parë ka lënë gruan Fatbardha Shehu dhe dy vajzat, Edlira dhe Blerta Shehu. Në 1988 ka vdekur nëna e tyre, Fiqret, e cila si trashëgimtarë të radhës së parë ka lënë dy djemtë, Skënder dhe Bashkim Shehu dhe dy mbesat, Edlira e Blerta Shehu, që janë vajzat e djalit të saj të madh të vdekur, Vladimirit. Në kërkesën e tij, Skënderi deklaron se as babai dhe as nëna e tij nuk kanë pasur fëmijë të tjerë jashtë martese apo të birësuar dhe se nuk kanë lënë asnjë testament. Në fund të kërkesës, Skënder Shehu kërkon lëshimin e trashëgimisë ligjore.

Mundimet e djemve për të vërtetuar vdekjen e nënës së tyre

Djemve të Mehmet Shehut nuk u kishte shkuar asnjëherë nëpër mend se ndonëse e vdekur prej 11 vitesh, nëna e tyre, Fiqret Shehu, rezultonte e gjallë në regjistrat e Gjendjes Civile. Një fakt të tillë e kanë vërtetuar teksa përgatisnin dokumentacionin për të përfituar dëmshpërblim si të përndjekur dhe të dënuar politikë, kryesisht të nënës së tyre që vdiq në qelitë e burgut. Por, sipas burimeve, do u duhej pak kohë për të gjetur dokumentacionin dhe për të vërtetuar se nëna e tyre kishte vdekur dhe mbi të gjitha në qelitë e burgut më 11.09.1988. Pasi kanë siguruar dokumentin përkatës dhe kanë regjistruar vdekjen e saj, tashmë do u duhet që të bëjnë edhe gjyqin që i deklaron ata trashëgimtarë të saj. Ky dokument u duhet trashëgimtarëve të familjes së Mehmet Shehut për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar në Ministrinë e Drejtësisë, për të përfituar dëmshpërblim për përndjekjen nga regjimi komunist.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›