E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë e pastër kundër krimit

Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar që të gjithë të kontribuojnë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, temë kjo që po dominon javët e fundit në vend, ndërkohë që janë paralajmëruar arrestime.

Këtë luftë, për të cilën ai tërheq vërejtjen se do të jetë e pastër, e konsideron edhe si betejë për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës.

Shefi i Qeverisë ka përsëritur se është vënë në ballë të kësaj beteje.

Po ashtu, ka thënë se ka edhe mbështetjen ndërkombëtare.

“Ky është zotimi im. Unë do të jem në ballë të kësaj beteje”, ka deklaruar Kryeministri Thaçi, në një intervistë për Express dhe për një medium ndërkombëtar, të hënën.

“Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe obligimin që kam marrë. Por, unë jam i vendosur që ta luftoj atë që është toleruar këto 10 vjet. Për të realizuar këtë, unë e kam edhe përkrahjen e qytetarëve të Kosovës, por edhe të miqve nga bashkësia ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Kreu i Qeverisë ka kërkuar përkrahje edhe nga të gjitha forcat politike në vend, duke përçuar mesazhin e qartë se beteja kundër krimit e nxjerr fitues vendin.

“Në këtë luftë dhe në këto përpjekje duhet të më bashkohen të gjithë, pa dallime politike. Pres nga i gjithë spektri politik që të jenë me mua në këto angazhime që shtetit tonë i sjellin vetëm të mira”.

Njësoj siç janë shprehur edhe zyrtarët e EULEX-it dhe përfaqësuesit tjerë ndërkombëtarë, edhe Kryeministri Hashim Thaçi pohon kjo përpjekje nuk është e mbështjellë me ngjyrime politike.

Sipas tij, luftimi i korrupsionit dhe zbardhja e krimeve që kanë ndodhur në vend gjatë një dekade, nuk ka për qëllim të dëmtojë asnjë subjekt politik, por ka për qëllim që autorët e veprave të paligjshme të vihen para drejtësisë.

“Kjo luftë nuk është e drejtuar kundër ndonjë partie politike, por kundër një të keqeje që nuk ka as ngjyra politike, e as etnike. Për këtë, askush nuk duhet të ndihet i frikësuar, do të ndëshkohen vetëm ata për të cilët ka fakte. Në fund do të dalin të gjithë fitues”, ka thënë ai.

Duke përsëritur se përpara ligjit të gjithë do të jenë të barabartë, Kryeministri ka theksuar se rastet e korrupsionit dhe krimit nuk kanë ndodhur vetëm në institucionet e shtetit.

“Këto dukuri janë të shtrira edhe në segmente të tjera të shoqërisë. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se krimi dhe korrupsioni nuk gjenden vetëm brenda mureve të institucioneve të shtetit”.

Ai beson se organet kosovare të drejtësisë kanë ndërtuar kapacitete të plota për të qenë në ballë të luftës kundër korrupsionit.

“Kjo e keqe, te cilën ne do ta luftojmë, nuk njeh asnjë adresë dhe ngjyrë politike dhe prandaj ne kemi vendosur që të mos e lëshojmë asnjë rast që ka ndodhur prej qershorit të vitit 1999 e deri në ditët e sotshme pa e hetuar. Pa marrë parasysh a kemi të bëjmë me krim të organizuar, korrupsion individual apo vrasje enigmatike që kanë ndodhur në këtë 10-vjeçar”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Zotimi i tij për ta luftuar krimin bëhet në javën kur është paralajmëruar se do të ndodhin arrestimet e para për dyshimet për vepra korrupsioni.
Hetimet, siç është pohuar, nuk kapin vetëm kohën e Qeverisë Thaçi, por ato do të përfshijnë edhe Qeverive të mëhershme, që janë drejtuar nga parti të tjera.

“Nuk do ta toleroj korrupsionin, sikur që këtë dukuri kaq të dëmshme nuk e tolerojnë as qytetarët e vendit tim. Kjo është ajo që qytetarët presin prej nesh. Kjo është ajo që ne kërkojmë prej vetvetes. Korrupsioni, hajnia dhe lakmia janë në kundërshtim me vizionin që unë kam për qeverisjen e vendit dhe ndërtimin e një shteti demokratik”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›