E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëntë me tre

Kryeministri Hashim Thaçi ka emëruar nëntë zëvendësministra të rinj dhe ka shkarkuar tre të vjetër në përfundim të procesit të riformatizimit të kabinetit qeveritar.

Në një njoftim të lëshuar të hënën nga Zyra e Kryeministrit, sqarohet se Shefi i Qeverisë ka marrë vendim për emërimin e zëvendësministrave duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore.

Shefi i Qeverisë ka vendosur të largojë nga pozita Zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, duke e zëvendësuar me ish’ministrin e Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.

Pozitën e numrit dy në Ministrinë e Transportit të lënë bosh nga Adem Grabovci, e ka zënë Emin Krasniqi, i cili ka mbajtur të njëjtën pozitë në Ministrinë e Ambientit. Në vend të Krasniqit është emëruar ish’ministri i Bujqësisë, Idriz Vehapi.

Ish’kryetari i Degës së PDK’së në Podujevë, Naim Fetahu është emëruar zëvendësministër në vend të Rifat Blakut në Ministrinë e Administratës Publike.

Zyrtari i lartë i PDK’së në Ferizaj, Xhabir Morina do të zëvendësojë Sylë Sylanin në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ish’kandidati i LDK’së për kryetar të Lipjanit, Imri Ahmeti, shkon në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si Zëvendësministër i dytë.

Në Ministrinë më të re, atë të Integrimeve Evropiane janë emëruar dy zëvendësministra, Dardan Gashi si dhe Arban Abrashi nga LDK’ja.

Megjithatë, Zëvendësministrja e Kulturës, Lirie Kajtazi nuk është larguar nga Qeveria. Në këtë Ministri është emëruar Zëvendësministri i dytë, Gani Elshani, që vjen nga komuniteti pakicë.

Sipas kumtesës së Qeverisë, këto ndryshime janë bërë për të rritur cilësinë e punës së Ekzekutivit.

“Në vazhdën e reformave afirmative që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës, që kanë për qëllim shtimin e efikasitetit dhe efektshmërisë së punës së Qeverisë... Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim për emërimin e nëntë zëvendësministrave”, thuhet në kumtesë.

Ndryshe, procesi i ndryshimeve në Qeveri ka filluar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, ku PDK’ja kishte shkëputur koalicionin me LDK’në për një natë.

Pas 19 nëntorit, PDK’ja dhe LDK’ja ishin pajtuar për vazhdimin e koalicionit, por me kusht të ndryshimeve në Qeveri.

Në fund të muajit mars, PDK’ja dhe LDK’ja u pajtuan të shkarkojnë gjashtë ministra dhe të formojnë Ministrinë e Integrimeve Europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›