Luftë kundër Zvicrës
Lajmi u prit si fitore në SHBA dhe BE. Të premten e kaluar qeveria zvicerane u dorëzua para kërcënimeve ndërkombëtare për të zbutur ligjin e sekretit të klientit, të cilin Zvicra e kishte mbrojtur me forcë për dekada të tëra. Rreth 70 marrëveshje me vende të veçanta mund të negociohen ende, por kahu është i qartë. Klientët e bankave të huaja që ruajnë asete të pataksuara në Zvicër duhet të parashikojnë që llogaritë e tyre mund të zbulohen. Kështjella alpine po thërrmohet. Ky ishte gjunjëzimi i dytë qeverisë brenda pak muajve. Në mes të shkurtit, Berna u ofroi autoriteteve amerikane të taksave rreth 300 klientë të UBS, pa pritur që gjykata zvicerane të verifikonte se klientët e bankës kishin kryer evazion fiskal, siç e kërkon ligji zviceran. Superfuqia i dha shtetit të vogël një ultimatum: Ndërmerr këtë veprim të paligjshëm ose shiko se si UBS do të humbasë licencën në SHBA.
Një shkelje e tillë ligjore nga ana e qeverisë nuk kishte ndodhur kurrë më parë në historinë zvicerane. Zviceranët u shokuan. Ata nuk e kishin menduar se miqtë amerikanë do t’i trajtonin sikur të kishin armë të dëmtimit të fshehura në alpe. Ky ishte sulm ndaj identitetit të tyre kombëtar. A është Zvicra një fole mashtruesish që po nxirren nga shtrofullat në periudhën e një krize ekonomike? A krijoi demokracia më e vjetër në Evropë ligje taksimi që joshin asete të huaja të paligjshme? A është ligji për sekretin e klientëve të bankave një institucion kriminal? Kështu u duk se e prezantoi Carl Levin, senator amerikan i majtë, gjatë sulmeve të tij të shumta. Çështja nuk është aq e thjeshtë sa sugjeron zoti Levin. Ligji zviceran bën dallim mes evazionit të taksave dhe mashtrimit me taksat: e para, do të thotë që dikush falsifikon dokumentet për të fshehur paratë; evazioni fiskal, mosdeklarimi i gjithë të ardhurave ose pasurisë, ndëshkohet vetëm me gjobë. Dikush mund ta shikojë këtë dallim me shqetësim, por ai është shprehje e sistemit të lirë ligjor dhe republikan zviceran. Zviceranët nuk duan të trajtohen si kriminelë, kur ata harrojnë të deklarojnë gjithë të ardhurat apo asetet e tyre. Ata e mendojnë se shteti nuk ka të drejtë hyjnore mbi pasurinë e qytetarit. Autoritetet nuk duhet të ndërhyjnë në sferën e jetës private të njerëzve. Zvicra nuk mund të fajësohet për faktin që milionerët e vendeve të tjera zbuluan përparësitë e këtij sistemi. Kritikat ndaj ligjit bankar të sekretit të klientit janë gjithashtu të ekzagjeruara. Siç e tregon edhe emri, ligji mbron klientët, jo bankat. Bankat zvicerane nuk lejohen të ndihmojnë klientët e tyre të shkelin ligjin zviceran. Ligji zë fill në vitin 1934, kur inspektorët e taksave gjermane u përpoqën të korruptonin bankierët zviceranë që të merrnin informacion për klientët gjermanë të tyre. Më vonë, mes të tjerave, ligji mbrojti çifutët nga persekutimi nazist. Sigurisht, ca diktatorë dhe kriminelë kanë përfituar nga kjo fshehtësi, por ligjet u shtrënguan vazhdimisht. Sot, Zvicra është një nga vendet më të rregulluara dhe më të pastra financiarisht. Vite më parë Zvicra pranoi gjithashtu që të taksonte llogaritë e qytetarëve të BE dhe t’i transferonte taksat në vendet e origjinës. Ministrat evropianë të Financave e përshkruajnë Zvicrën si republikë bananesh, e cila toleron veprimet e dyshimta. Në fakt, Zvicra ka miratuar gjithë marrëveshjet për taksat të kërkuara nga BE.
Për më tepër, shumë zviceranëve u duken hipokrite akuzat prej Britanisë dhe SHBA. Ligji i besimit në Britani, i cili lejon përfituesit të mos iu publikohet emri, duke e kthyer në një mënyrë tërheqëse për të fshehur paratë nga autoritetet e taksave - do të ishte i paligjshëm për standardet zvicerane. Megjithatë, kryeministri, Gordon Brown, foli ashpër për disa javë kundër republikës alpine. Amerikanët tolerojnë parajsat e tyre për taksat. Në Delaware, për shembull, të huajt mund të gjejnë “shoqëri me aktivitet të kufizuar” dhe t’u japin atyre shuma të mëdha parash si kapital fillestar pa qenë nënshtetas amerikanë. Ligji i SHBA i lejon pronarët dhe përfituesit e këtyre kompanive të mbeten anonimë. E si shpërblim shtesë, Delaware nuk i takson këto kompani. Nëse kjo nuk është parajsë për mos-paguesit e taksave, atëherë çfarë është? Atëherë, përse sulmohet Zvicra? Shumë vetë vënë në dyshim motivet e superfuqisë. Qëllimi nuk është taksimi i sinqertë dhe drejtësia, mendojnë ata, për një përpjekje për të dobësuar industrinë financiare zvicerane - për të hequr qafe një konkurrent që nuk u vjen për shtat. SHBA dhe BE, thonë njerëzit, por bëjnë luftë ekonomike ndaj Zvicrës. Disa komentues histerikë po flasin tashmë për fundin e sistemit bankar zviceran. Disa të tjerë e konsiderojnë gjunjëzimin e Bernës si kompromis të zgjuar. E vërteta ndodhet diku në mes. “E premtja e Zezë” nuk duhet paraqitur si katastrofë kombëtare. Është e vërtetë se Bernës nuk i pëlqen të zbutë ligjet e sekretit bankar për evazionin fiskal gjithashtu. Ndërkohë, po bëhet më e vështirë për njerëzit që sjellin paratë në Zvicër vetëm që t’u fshihen autoriteteve të vendit të tyre. Por mbrojtja e klientëve të bankës nuk zhduket. Ligjet që propozoi qeveria i ndalojnë “ekspeditat e peshkimit” pa kushte. Shkëmbimi automatik i informacionit i kërkuar nga qeveritë e BE është shmangur. Nuk duhet largim i madh i fondeve të klientëve. Për më tepër, Zvicra vazhdon t’u ofrojë një mjedis politik solid me ligje pro biznesit. Konfidencialiteti do të vazhdojë të vlerësohet shumë. Kur vendet e huaja do të kërkojnë informacion për llogaritë zvicerane, ata duhet të mbështetin me prova dyshimet e tyre. Refuzimi kokëfortë i zyrtarëve të Bernës për të dhënë informacion pas çdo pretendimi për mashtrim që u aprovua, ofron një rrjet sigurie natyral që nuk do të kalohet lehtë. Megjithatë, do të ishte gabim nënvleftësimi i efektit psikologjik të ngjarjeve të fundit. Ligji zviceran ishte konsideruar i mbrojtur nga tërmetet. Klientët e bankave e vlerësonin stabilitetin politik të saj. Këto cilësi janë vënë në rrezik nga një qeveri e dobët. Ministrat e Financave të BE dhe senatorët amerikanë tani e dinë se, nëse ushtrojnë presion ndaj Bernës, zviceranët do të përkulen.
Por ky nuk është vetëm një problem zviceran. Në këtë krizë ekonomike ne po përjetojmë një rilindje të Qeverisë së Madhe me gjithë efektet anësore shkatërruese të saj. Nën presidentin e ri, Amerika po shkon majtas. Vendet perëndimore në borxhe kanë nevojë për pará. Ata do t’i marrin ato me forcë. Me anë të sulmeve ndaj vendeve të pavarura me taksa të ulëta si Zvicra, është hapur rruga për një dallgë taksimi dhe shpronësimi. Nuk është lajm i mirë për botën, kur oazi i fundit i lirisë kthehet në shkretëtirë.
*Z. Köppel është pronar dhe kryeredaktor i të përjavshmes zvicerane “Die Weltwoche”