E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë ka ndryshuar që prej luftës së Kosovës?

Nga Fabian Schmidt, Pandeli Pani, “Deutsche Welle”

Më 24 mars 1999 Evropa gjendej para një katastrofe të madhe humanitare. Mbi 30 000 vetë ishin larguar nga vatrat e tyre brenda Kosovës dhe mijëra të tjerë ishin larguar në drejtim të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.

Bisedimet për paqe në Rambuje kishin dështuar dhe vëzhguesit ndërkombëtarë njoftonin për dëbime të qëllimshme dhe vrasje të civilëve. ǒpasoja patën përvojat e luftës së Kosovës për të drejtën ndërkombëtare civile dhe raste të tjera shkëputjeje në vitet e fundit?

Mars 1999: E sensibilizuar prej përvojave në Kroaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, NATO ishte e vendosur që pas dështimit të përpjekjeve për paqe t'i kundërvihej ndonjë fushate të mundshme spastrimesh etnike. Për herë të parë në historinë e NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i saj, Javier Solana, urdhëroi kryekomandantin e NATO-s për Evropën, Wesley Clark, që të ndërhynte ushtarakisht. Kjo ndërhyrje e parë humanitare e Aleancës përbënte njëkohësisht edhe një terren të ri në fushën e së drejtës ndërkombëtare civile. Kritikët e quajtën atë shkelje të së drejtës ndërkombëtare civile, sepse nuk pati një mandat të posaçëm të Këshillit të Sigurimit dhe se NATO po vepronte jashtë territorit të vendeve të Aleancës, duke cenuar integritetin territorial të Jugosllavisë.

Përkrahësit e sulmit mendonin se ato legjitimoheshin prej një sërë rezolutash të Këshillit të Sigurimit, si dhe paaftësisë së tij për të kërkuar me forcë zbatimin e tyre. Edhe pse OKB kishte kërkuar prej Beogradit tërheqjen e trupave dhe përfundimin e luftimeve, regjimi i Millosheviçit nuk iu përgjigj atij.

Joseph Marko, specialist i së drejtës ndërkombëtare civile në Universitetin e Gracës në Austri, beson se ndërhyrja në Kosovë vërtet nxori në pah dobësitë e së drejtës ndërkombëtare civile, por, nga ana tjetër, dha impulse të rëndësishme për zhvillimin e saj: “Kosova ishte sigurisht një pikë kthese, e cila e çoi më tej të drejtën ndërkombëtare civile. Është e qartë se për shkak të së drejtës së vetos të anëtarëve të përhershëm, Këshilli i Sigurimit nuk është vërtet i aftë për të vepruar në raste krizash të tilla. Ndërhyrja humanitare e NATO-s dha sigurisht një impuls të ri vendimtar për ta diskutuar sërish doktrinën e sovranitetit dhe për të diskutuar në lidhje me të.”

Megjithatë, ai është i mendimit se e drejta ndërkombëtarë civile vazhdon të jetë ende shumë larg ofrimit të një qëndrimi të qartë: “Në vitin 1999 shtrohej pyetja, nëse ndërhyrja humanitare është legale në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare civile. Në këtë pikë, unë vazhdoj ta shoh problemin edhe sot, sepse kjo pyetje nuk është sqaruar deri në fund.”

Të paktën tani po diskutohet në mënyrë intensive në lidhje më çështjen, nëse shtetet mund t`i shijojnë të drejtat e tyre të sovranitetit, vetëm në qoftë se ato përfaqësojnë të gjithë popullsinë e tyre civile dhe e mbrojnë atë. Si rrjedhojë, përndjekja e ndonjë minoriteti etnik apo fetar mund të çojë në atë që këto shtete t`i humbasin këto të drejta. Por, realiteti është ende larg kësaj teorie: “E drejta ndërkombëtare civile vazhdon të bazohet në parimin e të njëjtit sovranitet të shteteve, sikurse i përgjigjet gjendjes së konfliktit që mbrohet edhe prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.”

Franz-Lothar Altmann, ekspert për Ballkanin në Munih, ka gjithashtu rezerva në lidhje me faktin, nëse anëtarë të veçantë të Këshillit të Sigurimit në rastin e Osetisë Jugore përdorën standarde të dyfishta në argumentimin e tyre të parimeve të së drejtës ndërkombëtare civile: “Rusia është deklaruar gjithmonë si mbrojtëse e parimit të paprekshmërisë së kufijve dhe moslejimit të ndarjeve territoriale. Dhe tani, papritur, bën pikërisht të kundërtën e atyre që ka kërkuar vazhdimisht.”

Pra, në praktikë nuk ka arritur të sundojë as mendimi i asaj pale, që thotë se ndarja territoriale është krejtësisht e palejueshme dhe as i asaj që mendon se ndërhyrja humanitare është e mundshme. Sipas Josef Markos, problemet e këtij debatit kanë të bëjnë me detajet: “A është gjenocidi justifikim për ndarjen? Çfarë do të thotë gjenocid? A duhet ta përcaktojmë atë vetëm nga këndvështrimi i përgjegjësisë individuale ndërkombëtare në kuptimin e Kodit Penal apo mund ta përcaktojmë edhe nga e drejta e grupit? Gjëra të tilla mund të diskutohen deri në pyetjen cinike se sa njerëz duhet të vriten çdo ditë për të thënë se kemi të bëjmë me gjenocid, a mjaftojnë 20 të vrarë në ditë apo na duhen 300 të vdekur në ditë?”

Rastet e ndryshme të ndarjeve territoriale të ndodhura që prej precedentit të Kosovës, nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën, mendon Altmann. Paralelet e Kosovës me rajonet e tjera janë, sipas mendimit të tij, të papajtueshme: “Qeveria në Kosovë u detyrua që të përmbushte standarde të domosdoshme kryesisht në lidhje me respektimin e të drejtave themelore dhe të minoriteteve. Të gjitha këto nuk ndodhën në Osetinë Jugore dhe në Abkhazi.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›