Shansi i humbur i Shqipërisë për të dënuar krimet e komunizmit
Pezullimi i ligjit të lustracionit dhe mënyra se si u veprua me të, i humbi përfundimisht shanset këtij vendi për të dënuar të shkuarën e tij komuniste. Opozita ishte në të drejtën e saj të mos pajtohej me këtë ligj, sepse përfaqëson atë shtresë shoqërore që në një mënyrë ose tjetër është nostalgjike për atë sistem. Pra, thjesht luajti me kartën e elektoratit të saj duke mbrojtur në njëfarë mënyre të shkuarën e saj. Do ishte tepër mediokre ta mendonim ndryshe, se tashmë kemi të bëjmë me një të majtë tjetër, e gatshme të dënojë të shkuarën 50-vjeçare të këtij vendi. Do ishim naivë, po të mendonim se ajo do e ndërmerrte iniciativën e para ose do të pajtohej me këtë ide, e cila na ndan përfundimisht nga e kaluara jonë e zezë. Kostot do ishin tepër të rënda për opozitën e sotme dhe një numër i eksponentëve dhe figurave të saj do të detyroheshin të braktisnin njëherë e përgjithmonë politikën, pa menduar pastaj irritimin dhe revoltën e një pjese jo të vogël të elektoratit të saj, që ose kanë qenë pjesë e atij sistemi, ose në një pjesë të mirë janë pasardhës të atyre që ndërtuan atë sistem. Tek e fundit, baza e së majtës shqiptare ose kolona e saj mbajtëse është kjo pjesë e elektoratit që voton në rresht për ta.
Deri këtu opozita shqiptare është në të drejtën e saj, dhe pjesa që ka vuajtur nga regjimi komunist, as nuk i kërkon dhe as nuk do i kërkojë kurrë të dënojë këtë të shkuar. Faji qëndron pikërisht te mazhoranca ose tek ajo që ne jemi mësuar ta quajmë të djathtë. Kjo e djathtë, e cila doli pikërisht si ekuivalent i luftës kundër komunizmit, e përdori këtë shans për një hakmarrje banale dhe për t’i bërë presion dy apo tre gjyqtarëve apo prokurorëve që kishin disa çështje korrupsioni në dorë.
Por që të mos zgjatemi shumë. Shansi për të dënuar njëherë e mirë dhe për ta gdhendur dënimin e komunizmit në Kushtetutë ishte vetëm në fillim-vitin e 2008, kur u bënë ndryshimet në Kushtetutën e vendit. Ishte momenti kur mazhoranca, përveç të tjerave, mund të kalonte dhe një ndryshim tjetër ose të shtonte një nen me një përmbajtje të thjeshtë “Të gjithë atyre që iu provohet veprimtaria në shërbim të sistemit komunist, ndalohen të punojnë në organet e drejtësisë apo në nivele të ndryshme të administratës”. Ndoshta ky nuk do ishte tamam termi i përshtatshëm, por diçka e ngjashme e hartuar nga specialistët e fushës. Në këtë rast nuk do ishte fare e nevojshme të bëje ligj nga fillimi. Edi Ramës, kreut të opozitës shqiptare, në atë kohë nuk ia dalloje dot se ku i qëndronte opozitarizmi. Arsyeja ishte e thjeshtë, Berisha, përkundrejt disa ndryshimeve që forconin pushtetin e tij, kishte pranuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndryshime të cilat i hiqnin nga shpina Ramës andrallat që kishte me kundërshtarët e tij në parti. Kaq shumë i shërbeu ky ligj pushtetit të tij, sa sot qëndrojnë gatitu përpara tij, por edhe përpara aktivistëve të G99 dhe Andis Harasani, Taulant Balla, apo të tjerë që njiheshin për frymën e tyre anti-Rama. Kjo sepse tashmë Rama iu ka në dorë mandatin e deputetit dhe të ardhmen e tyre politike. Madje, sistemi proporcional rajonal bën që kundërshtarët brenda një partie të “qërohen” dhe më rehat se në sistemin e proporcionalit të pastër. Mjaft t’i vësh andej nga mesi në listë nëpër rajone dhe bastione ku fiton kundërshtari, madje je dhe i justifikuar. Si këmbim të kësaj Rama lëshoi mjaft terren. Lëshoi terren për ndryshimet kushtetuese që u bënë në lidhje me zgjedhjen e presidentit, dhe në disa nga kompetencat e tij, lëshoi terren gjithashtu dhe në çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, ku iu shkurtua mandati. Me të dyja këto çështje mazhoranca kishte hasur plot andralla dhe s’bënin asgjë tjetër vetëm se forconin pushtetin e ekzekutivit. Mazhoranca, nga ana e saj, në atë kohë nuk e kujtua për krimet e komunizmit, dhe as i shkoi ndërmend të propozonte një ndryshim të tillë. Nuk u kujtua as kryeministri, i cili sot thërret kundër Fehmi Abdiut dhe Zamir Shtyllës, nuk u kujtua as kryetarja e Kuvendit, e cila në atë kohë nxirrte deputeten Trashani të bënte disa propozime idiote, siç ishte, fjala vjen, kundër-firma që duhej të vinte kryeministri në dekretet e presidentit, një “hosana” aspak e nevojshme për të treguar devotshmërinë ndaj kryeministrit. Por për pastrimin e figurës askush nga ata që iu është dhënë e drejta të propozojnë ligje në këtë vend nuk foli.
U desh një shpërthim i llahtarshëm në Gërdec, dhe vënia e ish-ministrit të Mbrojtjes para drejtësisë, që mazhoranca ta rikthente dhe njëherë në vëmendje këtë ligj, megjithëse një tjetër ligj ishte propozuar që në vitin 2005 nga Presidenti i Republikës.
Por, në fakt, çfarë do të ndodhte, në rast se mazhoranca do i ishte imponuar opozitës për të implementuar në Kushtetutë dënimin e krimeve të komunizmit? Së pari, ndryshimet në Kushtetutë do kishin dhe mbështetjen e asaj klase politike të vuajtur nga ai sistem, por që s’i intereson shumë se çfarë bën mazhoranca me zgjedhjen e presidentit, prokurorit apo sistemin zgjedhor. E dyta, do ishte shmangur Fehmi Abdiu, dhe Gjykata Kushtetuese, e cila në këtë rast e gjeti ligjin e lustracionit si në kundërshtim me Kushtetutën. Dhe ashtu është vërtet. Kushtetuta e thotë qartë që prokurori apo gjyqtari kanë një sërë arsyesh kur shkarkohen, si në rastin e kapjes përgjatë një krimi në flagrancë, kur kanë luajtur nga mendtë e kokës ose kur provohet katërcipërisht abuzimi i tyre me detyrën.
Për Fehmi Abdiun, (i cili vazhdon të përgjigjet me të njëjtën arrogancë sikundër dënonte njerëz me vdekje gjatë kohës së diktaturës), apo fundërrina të tjera të mbetura nga koha e diktaturës në sistemin tonë të drejtësisë, s’kam pikën e respektit, por në këtë rast ai është në të drejtën e tij. Mazhoranca e dinte fare mirë që ai ligj do të shkonte në Gjykatën Kushtetuese, dhe s’kishte pikën e shansit të mos rrëzohej. Pra, mazhoranca i la në dorë Fehmi Abdiun, qëndrimin apo shkarkimin e tij nga posti që ka, dhe ai natyrisht vendosi të qëndronte. Letrat e Topallit apo deklaratat e Berishës nuk ishin gjë tjetër vetëm se disa thirrje të dëshpëruarish, për të shpëtuar çka mund të shpëtohej, për t’i bërë presion prokurorëve që kishin çështje korrupsioni në duar, por pse jo dhe për të mbledhur disa vota nga të përndjekurit, të cilët i shohin sot inkuizitorët e tyre në krye të posteve më të larta drejtuese të vendit. Por, edhe në rast se Gjykata Kushtetuese do të votonte në shumicë pro këtij ligji, sërish problemi nuk ishte i zgjidhur. Mjaft që një nga ata gjyqtarë apo prokurorë që preken ta dërgonte këtë ligj në Komisionin e Venecias, dhe sërish të mbanin vendet e tyre pa u shqetësuar nga askush. Por, në rast se ndryshimi do të ishte vendosur në dokumentin themeltar të shtetit, dhe miratuar me shumicën e votave të Kuvendit, i cili në këtë rast mori atributet e referendumit, atëherë Fehmi Abdiu do ishte larguar nga zyra e tij urtë e butë, dhe bashkë me të gjithë ata që në një mënyrë apo një tjetër i kanë shërbyer atij regjimi. Kjo për faktin e thjeshtë se Gjykata Kushtetuese s’mund të marrë në shqyrtim ndryshimet kushtetuese të sovranit, i cili në këtë rast përfaqësohej nga Kuvendi. Neni për lustracionin, i implementuar në Kushtetutë, do të mund të rrëzohej vetëm me referendum popullor.
Por natyrshëm lind pyetja: Përse ky ligj duhej implementuar në Kushtetutë, në një kohë që të gjitha vendet e Lindjes e kanë rregulluar me ligje të posaçme? E para, se komunizmi në Shqipëri është pranuar nga të gjithë që ka qenë më i egri i bllokut komunist, dhe si i tillë duhet gdhendur në gurin themeltar të shtetit dënimi i tij. E dyta, dhe për një arsye shumë të thjeshtë, sepse s’mund të përsëritet më 1997, kur mazhoranca socialiste rrëzoi ligjin e hartuar nga qeveria Meksi në vitin 1995, dhe risolli në administratë të gjithë figurat e komunizmit, të larguar asokohe nga i njëjti ligj, pra ligji për pastërtinë e figurës. Fakti që duhen ¾ e votave të Kuvendit për të ndryshuar Kushtetutën ose referendumi, e çon në kufijtë e të pamundurës dhe askush s’ka të drejtë ta prekë këtë vendim.
Në lidhje me këtë çështje mund të ketë opinione të ndryshme, por do ishte në nderin e kësaj mazhorance që përpara se të mbyllte mandatin e saj të gjente formën dhe mundësitë që të dënonte krimet e komunizmit. Nuk marr përsipër të them këtu që kjo do ishte mënyra e vetme për ta zgjidhur këtë çështje, por ama së paku të ishte tentuar, pasi, në rast se do bëhej, këto thirrjet e Berishës dhe letrat e Topallit do ishin dukur më të sinqerta. Të kishim treguar që shqiptarët, megjithëse janë më të vuajturit nga ai sistem, të mos mbeten sërish delja e zezë dhe të paragjykohen si nostalgjikë të atij sistemi. Një mundësi që mazhoranca e shpërdoroi në mënyrë të pandershme, duke zhgënjyer të gjithë ata që prisnin prej së paku një rehabilitim moral.