Gazetat boshnjake, “Po Vjen Berisha, mik i Fazlliçit”
Letër e Nënë Jovankës për Damirin
I dashur Damir.
Sot m’u duk se linda dhe një herë. Kryeministri Berisha, miku i shtëpisë sonë, erdhi në Bosnjë. Nuk e ke idenë si kam qenë gjithë ditën. Shikoja televizorin dhe qaja nga gëzimi. Sa do të doja të ishe dhe ti në krah të tij, kur takoi kryeministrin Spiriç dhe presidencën e shtetit. E shihja kur ishte në takim me kryetarin e radhës së Presidencës, z. Nebojša Radmanoviç, si dhe dy anëtarët e tjerë, Haris Silajdžiç dhe Željko Komšiç. Eh, më vinte për të plasur si nuk ishe dhe ti atje. Por këta nuk ta dinë vlerën. Më vjen shumë inat me këtë Silajdžiçin, se këtyre të tjerëve s’u kemi ndonjë borxh. Po Silajdžiçin e kemi ndihmuar. Nuk ia kemi ne fajin që u zu atëherë me Izetbegoviçin. Më dridhej buza kur e shihja kryeministrin, mikun tonë të familjes, vetëm në ato takime. Në Tiranë ty të mbante në zyrë në gjithë takimet. Dhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të thërriste, atje ku këta nuk qasin as ministrat e tyre. Kurse këtu nuk ta di njeri rëndësinë. Dhe kam frikë se do t’i kenë folur keq për ty, nëse i ka pyetur privatisht.
E di që ti e ke të vështirë të takohesh me të publikisht, se këtu je person në kërkim dhe të gjithën ta kanë bërë këta njerëzit e Silajdžiçit, por mos u mërzit. Do sqarohet dhe ajo punë, se ti tregti armësh ke bërë, për të mirën e Bosnjës. Pastaj, djali i Spahioviçit që duan të akuzojnë këta, është djali i ish-kryetarit të parlamentit. Mos të ishte, Bosnja kishte marrë fund, se ai i solli gjithë armët. ǒtë keqe ka bërë ai, se është marrë me tregti armësh? Këtë punë bëjnë gjithë djemtë e të mëdhenjve në Ballkan. Këtë punë ka bërë djali i Millosheviçit, këtë punë djali i Tuxhmanit, këtë ka bërë djali i Gligorovit. Në fund të fundit, këtë bëri dhe djali i mikut tonë kryeministër, pavarësisht se i ndodhi hataja, d.m.th., ai aksidenti teknologjik që vrau 26 vetë dhe u bë e madhe. Po ai s’po bënte ndonjë gjë të keqe.
Më the që do ta takoje fshehurazi kryeministrin në aeroport dhe jam në merak a e takove. Këtu gjithë mediet aty e kishin mendjen. Dy gazeta boshnjake shkruanin: “Vjen Berisha, miku i Fazlliçit”. U gëzova shumë që u bëmë mbiemër i njohur, se këtu kanë hapur llaf që jemi familje koti. Madje, një gazetë lokale ka shkruar që burri im ishte një leshko dhe gjithë meritat i kam unë si kushërirë e Stanishiçit. Në fakt, ti tregove që familja jonë ka vlerë. Ti u bëre miku më i madh i kryeministrit të Shqipërisë dhe brenda tre vjetësh bëre një kapital 50 milionë euro. Kush tjetër nga fisi ynë do ta bënte këtë? Dhe gojët e liga flasin, se kanë zili.
Në konferencë për shtyp me kryeministrin e dëgjova me veshët e mia. Ua kishte bërë zap gazetarëve ai, dhe dy pyetje lejoi. Dhe ato ishin me porosi. Por, kur u gjend para gazetarëve, e mbytën në pyetje. Vetëm për ty e pyesnin. Ishin shumë të çuditur se si ai kishte thënë në parlament që ty të ka mik dhe është gati të të mbrojë ku të jetë nevoja. Ishin shumë të çuditur. Domosdo, se këta nuk i vlerësojnë njerëzit. Këta e dinë se jemi njësoj si këta që s’i pyet njeri. Ne jemi fis i respektuar ndërkombëtarisht. Ama, që kur ka dalë që kushëriri im Stanishiç ka qenë dhe spiun i CIA, janë trembur keq. Vjen çdo mëngjes komshia dhe më shkel syrin. “Ehë, tani e dimë kush ia futi Millosheviçit, - thotë. - Ai kushëriri yt ka ngrënë me dy lugë. Tani e dimë, - thotë, - që dhe ai kryeministri i Shqipërisë ndaj i paska dhënë aq shumë lekë djalit tënd, se e di që duhet të jetë dhe i CIA-s.” Janë trembur keq të shkretët. Dhe më bëhet qejfi shumë, se janë sjellë shumë keq me ty këtu. S’të lënë një ditë rehat, po sa vjen ti, drejt me policinë e të rrasin në qeli.
Shpresoj që kryeministri, ai miku ynë, t’ua ketë hapur muhabetin tënd. Nuk e di si i ka punët me Silajdžiçin, se ai është dhe shqiptar, por shpresoj t’ia ketë hapur muhabetin. Mjafton t’i ketë thënë atë që ka thënë në Kuvendin e Shqipërisë, që të ka mik familjeje. Se ta dinë mirë me kë kanë të bëjnë këta qelbësira që s’të lënë rehat. Fola dhe me ata kushërinjtë e mi në Serbi. Dhe ata ashtu më thanë. Këta që janë në qeveri tani të kanë shumë inat, se je i lidhur me Mishkoviçin dhe të akuzojnë për matrapaz. As Jeremiçi që ke pas në Londër bashkë në një dhomë, nuk të përmend më. Sa ia hap dikush muhabetin, ndërron temë. Ashtu e kanë ata, kthehen nga fryn era. I vetmi mik që të ka mbetur në Ballkan, kryeministri Berisha është. Ndaj, kur e shihja sot në televizor, më bëhej zemra mal. Por këta qelbësirat kishin porositur gazetarët në rrugë të bënin pyetje provokuese. Çfarë s’e pyesnin. Vetëm për ty. I thoshin, ai është trafikant armësh, a ka lidhje me Gërdecin, i thoshin ai është person në kërkim, si e ke mik familjeje, i thoshin, ai ka mashtruar njerëzit dhe ka bërë një piramidë këtu, si thua, do ta çosh në parlament në Shqipëri. Ai iu buzëqeshte dhe iu fliste për arritjet e Shqipërisë dhe futjen në NATO. Aq mirë ua bëri, s’u përgjigj fare. Ishte një gazetar i “Slobodna Bosna” që e pyeti: “A ka qenë ndonjëherë djali juaj në rajon me Fazlliçin?” Atij iu përgjigj egër: “Këto janë insinuata të mafies së ndërtimit në Tiranë, - i tha, - që ka shtrirë kthetrat deri në Bosnjë.” E mbylli gojën, s’foli më. Pastaj ishte një takim shumë i ngrohtë. E dhanë gjithë kamerat. Një serb i Bosnjës, Sllobodan Markoviç, doli në gjithë televizionet, para se të vinte Berisha, dhe e lavdëroi për investime në rrugë. U çudit gjithë Bosnja; Çne ky serb i Bosnjës kaq i dashur me një mysliman?! Se ti e di që këtu vihen re këto gjëra, mos shiko familjen tonë që është e emancipuar, se është e përzierë. Pastaj erdhi Berisha dhe u takua me këtë Sllobodanin që e mburrte për rrugë. U çudit gjithë Bosnja; Çne një serb që ka qenë krahu i djathtë i njësive speciale për krime lufte, mik me Berishën?! Se këta myslimanët e mbajnë mend që ka bërë shumë pará gjatë luftës ai. Ai na paskësh qenë investitor në Shqipëri. Bënte rrugën Vlorë- Levan, Levan-Tepelenë dhe atë mbikalimin në Tiranë. Qenkësh bashkadministrator me atë që ka qenë kryeredaktore e gazetës “55”, asaj gazetës së vetme që të mbron ty. M’u bë zëmra mal, kur e dëgjova. Ja, i thashë komshies, ç’bën Berisha për ne. Dhe ato pak lekë që ka, për ne mendon. Prandaj mos i merrni inat shqiptarët, se na kanë dhënë kafshatën e fundit. U çudit dhe komshia. “S’e dija që i donte kaq shumë serbët ky kryeministri”, - tha. Ja, e tregojnë faktet, i thashë. Nuk ia ka dhënë ndonjë myslimani, Sllobodanit ia ka dhënë. “Të drejtë ke, - më thoshte, - të drejtë.” S’u besonin syve.
ǒtë të shkruaj më nëna. Se sot s’di ç’të them më parë. S’kishte ditë më të lumtur në jetën time. Ah sikur të ishe dhe ti me të në krah, në Presidencë, në Parlament, në Kryeministri! Të të shikoja dhe një herë me të në krah këtu, pa le të vdisja. Se aty ku është i pari i vendit të ka në ballë të qoshes, por këtu s’ta di njeri vlerën. Të quajnë akoma mashtrues, trafikant, spiun... tani që erdhi ai ta dinë vlerën. Po s’ka për të ecur para ky vend pa të ditur ty vlerën. Te ty do vijnë të përplasen, s’kanë ku shkojnë.
Të puth me mall,
Nënë Jovanka