E Diel, 1 Nëntor 2026

Izolimi i kosovarëve

Nga Augustin Palokaj

Ndonëse është populli më pro BE në Ballkan, kosovarët janë dhe do të mbeten populli më i izoluar në Evropë. Kur këtë vit do të hiqen, sipas të gjitha gjasave, vizat për të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kosovarët do të mbeten të vetmit që do të kenë nevojë ende për viza dhe të cilët do të vazhdojnë që të arrijnë disi deri në Evropën Perëndimore, qoftë duke u pajisur me pasaporta të vendeve fqinje apo duke iu qasur tentimit të emigrimit ilegal. Ky është një realitet, për të cilin pakkush ka menduar dhe po mendon sot, por i cili do t’u sjellë kosovarëve përsëri ndjenjën se janë të pabarabartë, të padëshiruar dhe të izoluar. Këto ditë ka një presion të madh ndaj vendeve të BE që sidomos Serbisë t’i hiqen vizat, në mënyrë që t’i jepet një “shtytje” forcave pro-evropiane në pushtet në Serbi. Që në qeverinë e sotme ka ministra, të cilët publikisht thonë se “Sllobodan Millosheviçi ka qenë heroi më i madh ndër të gjithë heronjtë serbë”, sot në BE nuk i pengon më askujt. A do t’i marrin kosovarët pasaportat e Serbisë? A do të jetë kjo një gjë e kuptueshme apo jo, kjo është një çështje në të cilën askush nuk ka të drejtë t’u përzihet të tjerëve. Por Serbia e sheh izolimin e Kosovës si një mjet politik për të bërë presion që Kosova të pranojë të hyjë në bisedime për koncesione të reja.

Serbia sot praktikisht mund ta parandalojë anëtarësimin e Kosovës në shumicën e organizatave ndërkombëtare. Ajo, ose ka të drejtë dhe mundësi vetë ta bllokojë Kosovën në organizata si OSBE dhe Këshilli i Evropës, apo ka miq që do ta bëjnë këtë në emër të saj, si Spanja, në BE dhe NATO, Rusia në OKB apo Irani dhe Indonezia në Organizatën Islamike. Siç qëndrojnë punët tani, Kosova do të mund të bëhet vetëm anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku votat ndahen sipas kontributit financiar dhe vendet perëndimore që e kanë njohur Kosovën mund ta kalojnë pa problem një vendim të tillë.

Në Këshillin e Evropës vendimi për të pranuar Kosovën mund të merret me shumicë të kualifikuar, por me kusht që asnjë shtet në takim të ministrave të mos jetë kundër. Pra, mjafton që Serbia, Rusia apo Spanja ta bllokojnë këtë. Kur një vend nuk është anëtar i Këshillit të Evropës, e ka vështirë apo edhe të pamundur të ecë drejt integrimeve të tjera në OSBE e më vonë në NATO. Për BE, jo vetëm se Kosova nuk mund të integrohet në rrethana kur kundër saj janë pesë shtete anëtare, por nuk mund të ketë as raporte kontraktuale, pra as të negociojë për heqjen e lehtësimin e lëre më për heqjen e vizave. Pa dashje, por për shkaqe formale, BE është duke ndihmuar Serbinë që të izolojë Kosovën. Deklaratat e fundit të kryeministrit të Spanjës se ky shtet është kundër pavarësisë së Kosovës dhe se Spanja mbështet fuqishëm rrugën e Serbisë drejt BE janë sinjale se Spanja nuk ka ndërmend të ndryshojë shpejt qëndrimin. Ky vend merr kryesimin e radhës së BE pas tetë muajsh në pjesën e parë të vitit 2010.

Mospranimi i Kosovës në OKB do të bëjë pengesa edhe në integrimin e saj në organizatat apo federatat sportive. Kjo ka një rëndësi të madhe emocionale për njerëzit, sepse sporti sot nxit ndjenjat kombëtare më shumë sesa politika. Serbia bën përpjekje maksimale për të parandaluar madje edhe ndonjë ndeshje miqësore futbolli të Kombëtares së Kosovës e lëre më anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA. Një koleg serb më thotë se, “përderisa të mos shohin skuadrën e Kosovës duke luajtur futboll kundër një shteti tjetër, serbët nuk do të besojnë se Kosova është shtet”. Në këtë mënyrë Serbia po arrin sukses në krijimin e problemeve për Kosovën dhe, nëse vazhdon kështu, Serbia beson se një ditë Kosova do të ndihet e lodhur dhe do të pranojë përsëri ndonjë kompromis. Pakkush beson në këtë dhe është vështirë të gjesh politikanë, madje edhe në shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që të besojnë se shteti i Kosovës mund të zhbëhet. Por izolimi i Kosovës dhe ndjenja e serbëve që Kosova nuk është shtet ka pasoja edhe për integrimin e serbëve në Kosovë, edhe për integrimin e Kosovës në strukturat dhe nismat rajonale.

Në BE ka shtete, të cilat duan ta kushtëzojnë ecjen e Serbisë drejt BE me sjelljen konstruktive të Serbisë ndaj Kosovës. Por sot Serbia është ende aq larg BE, saqë nuk ka nevojë t’i parashtrohet në këtë fazë ndonjë kusht i lidhur me Kosovën. Por as pyetja se, përse mendoni se i duhen hequr vizat Serbisë, kur ajo nuk lejon as lëvizjen e lirë të kosovarëve, nuk has në shumë mirëkuptim në BE. Krejt çka mund të bëhet për Kosovën është që vendet anëtare të BE individualisht të lehtësojnë dhe të heqin vizat. BE në mënyrë kolektive nuk mund të bëjë asgjë, sepse për BE Kosova nuk është shtet dhe kështu do të mbetet edhe për një kohë, nëse jo për disa vite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›